2016-11-08 15:07:00

Papa: të dielën në Vatikan kremton Jubileun e të mënjanuarve


Në kuadrin e Jubileut të mëshirës, tashmë në fazën e përfundimit, njerëzit e pastrehë do të mund të takohen me Papën në tre raste, duke u nisur nga e premtja e ardhshme, në ora 11.30. në Sallën Nervi në Vatikan. Të shtunën, pastaj, me rastin e audiencës së përgjithshme të veçantë jubilare në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ( pas dite do të mbahen dëshmitë e homeless në bazilikat jubilare romake) e të dielën në ora 10.00 në Bazilikën e Shën Pjetrit do të priten afër një qind të pastrehë për Meshën e Papës me rastin e Jubileut të njerëzve që janë një strehë të caktuar.

“Të gjithë e dinë se Papa është miku i madh i njerëzve që janë të pastrehë – vëren Carlo Santoro, i komunitetit të shën Egjidit që është njëri ndër organizatorët e ngjarjes. Që nga fillimi i papnisë, Ati Shenjtë Françesku është interesuar e kujdesur për të varfrit me shumë nisma, duke treguar se çdonjëri, sipas mundësive të veta, mund të bëjë diçka për t’ua kthyer pak dinjitet atyre njerëzve që janë të mbramët e të mënjanuarit e tokës. Tani është dimri e personat e pastrehë kanë nevojë të madhe për ndihmë”.

Po kujtojmë se në të njëjtën ditë,  të dielën e ardhshme, do të mbyllen Portat e Shenjta në bazilikat e mëdha papnore romake të Shën Gjonit në Lateran, të Shën Marisë së Madhe e të Shën Palit jashtë Mureve, ndërsa Porta e Shenjtë e bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan do të mbyllet një të diele më pas, më 20 nëntor, pas kremtimit të liturgjisë Eukaristike me të cilin Papa Françesku do ta shpall mbylljen e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës së Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.