2016-11-08 14:17:00

Françesku: për t’i shërbyer Zotit lirisht, duhet refuzuar pushteti e pandershmëria


 Për t’i shërbyer mirë Zotit, duhet të ruhemi nga pandershmëria e kërkimi i pushtetit. Këtë pohoi sot Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi edhe se nuk mund t’i shërbehet njëherësh Zotit  e botës.

“Jemi shërbëtorë të panevojshëm”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë  duke vënë në qendër të saj pohimin që duhet t’ia përsërisë vetvetes çdo dishepull i Zotit.

Etja për pushtet na pengon t’i shërbejmë Zotit

Po cilat janë - pyeti Papa - vështirësitë që të pengojnë t’i shërbesh Zotit? E t’i shërbesh me liri të plotë? Janë shumë - vërejti me dhimbje - e njëra është dëshira për pushtet:

“Sa herë e kemi parë, ndoshta, edhe në shtëpinë tonë: jam unë këtu që komandoj! E sa e sa herë, pa e thënë gojarisht, i kemi bërë të tjerët ta ndjejnë këtë “këtu jam unë!”. Mbase i kemi bërë edhe ta shikojnë këtë, apo jo? Dëshira për pushtet… Ndërsa Jezusi na ka mësuar se kush komandon, bëhet si ai, që shërben. Ose, nëse njëri dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtor i të gjithëve. Jezusi i kthen përmbys vlerat e mendësisë së botës. E kjo etje për pushetet nuk është udha për t’u bërë shërbëtor i Zotit, madje është një nga ato pengesa, që e lutëm Zoti t’i largojë prej nesh”.

T’i themi jo, pandershmërisë së atij, që dëshrion t’i shërbejë edhe Zotit edhe parasë

Pengesa tjetër, vijoi Françesku, që ndeshet edhe në jetën e Kishës, është pandershmëria. Gjë që nuk është njëlloj si të jesh mëkatar. Jezusi na e ka thënë. Të gjithë jemi mëkatarë, e pendohemi për këtë. Por të jesh i pandershëm e të bësh lojë të dyfishtë, jo? Të luash më të djathtë e më të majtë, të luash me Zotin e edhe me botën, jo? E kjo është pengesë. Kush ka etje për pushtet e kush është i pandershëm, vështirë se mund t’i shërbejë Zotit, duke u bërë shërbëtor i mirë i Atit. Këto pengesa, dëshira për pushtet, pandershmëria - vijoi Françesku - ta zhdukin paqen e të sjellin atë rrënqethje të zemrës, që nuk ka qetësi, që pushtohet gjithnjë nga ankthi. E kjo - pohoi - na bën të jetojmë me tensionin e kotësisë së botës, të jetojmë vetëm për t’u dukur.

Shërbimi ndaj Zotit është i lirë, i shërbejmë si bij, jo si skllevër

Sa e sa njerëz - kujtoi Papa - jetojnë vetëm për të dalë në vitrinë, për t’u dukur, që bota të thotë për ta: “Shihe, shihe, sa i bukur është!”. Jetojnë vetëm për famë! E kështu nuk mund t’i shërbehet Zotit. Prandaj - shtoi Ati i Shenjtë -  t’i kërkojmë Zotit të na i heqë pengesat që, me korp e shpirt në paqe,  t’i kushtohemi lirisht shërbimit të Tij”:

“Shërbimi ndaj Zotit është i lirë; ne jemi bij, jo skllevër. E duhet t’i shërbejmë në paqe, në qetësi, kur Ai vetë i ka zhdukur para nesh pengesat, që na lënë pa paqe e pa qetësi. E t’i shërbejmë kështu, lirisht. E kur i shërbejmë me liri Zotit, në shpirtin tonë zbret paqja e qetësia e thellë, aq e dëshiruar. E dëgjojmë zërin e Zotit, që na thotë: ‘Ah, eja, eja, shërbëtor i mirë e besnik!’”.

E të gjithë duam t’i shërbejmë Zotit me mirësi e besnikëri, por kemi nevojë edhe për hirin e Tij: vetëm nuk mundemi! E prandaj edhe duhet ta kërkojmë gjithnjë këtë hir, që të na i zhdukë Ai vetë pengesat, Ai, që na e jep paqen, atë paqe të zemrës, e cila na ndihmon t’i shërbejmë lirisht, jo si skllevër, por si bij:

“Liria e shërbimit”. Françesku vë kështu, në dukje, se edhe kur shërbimi ynë është i lirë, duhet të përsërisim se “jemi shërbëtorë të panevojshëm”, të vetëdijshëm se të vetëm nuk mund të bëjmë asgjë. Duhet të kërkojmë vetëm të na e hapë rrugën, që Ai vetë të veprojë në ne e të na shndërrojë në shërbëtorë të lirë, në bij, jo në skllevër.

Zoti - u lut Papa - na ndihmoftë ta hapim zemrën e ta lëmë Shpirtin Shenjt të punojë në ne, të na i heqë pengesat, posaçërisht dëshirën për pushtet, që të bën shumë keq, të bën të pandershëm, mësallë me dy faqe e të ngjall dëshirën t’i shërbesh edhe Zotit, edhe botës.

E kështu - përfundoi Françesku - na e dhëntë këtë qetësi, këtë paqe, që të mund t’i shërbejmë si bij të lirë e në fund, me gjithë dashurinë, t’i themi: “Faleminderit, o Atë, po ti e di mirëfilli: ‘Unë  jam shërbëtor i panevojshëm!’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.