2016-11-06 16:52:00

Jubileu i të burgosurve. Papa: Zoti është gjithnjë gati për të falur


“Ku është njeriu që ka gabuar, atje bëhet edhe më e pranishme mëshira e Atit” . Kështu Papa sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë Meshës me rasin e Jubileut të të burgosurve. Të pranishëm më se 4 mijë vetë, ardhur nga 12 vende të botës. Një mijë, të burgosurit, që morën pjesë në kremtim. Françesku pohoi disa herë forcën e shpresës, që shikon drejt së ardhmes e është dhuratë e vetë Zotit.

Papa hyri në një Bazilikë, ku ndjehej fort emocioni. E gjeti përplot me të burgosur, ish-të dënuar, familjarë, veprimtarë, kapelanë e policë burgjesh. Sytë e shumkujt nisën të ndriçonin, të tjerë mbulonin fytyrën me duar, të tjerë akoma, luteshin… Në hapësirën mahnitëse të Bazilikës sot jehonin me një forcë të veçantë fjalët “falje” e “shpresë”! E Ati i Shenjtë, në homelinë e tij, duke përshkuar liturgjinë e ditës, u nis pikërisht nga shpresa, që nuk të zhgënjen, sepse i ka rrënjët në Zotin. Françesku i përqafoi, në gëzimin e Jubileut, mbarë pjesëmarrësit në këtë Meshë aspak të zakonshme.

“Të dashur të burgosur, është dita e Jubileut tuaj! Sot, para syve të Zotit, shpresa juaj u ndez përsëri. Jubileu, për vetë natyrën e tij, sjell me vete  kumtimin e lirimit”.

Shpresa, dhuratë e Zotit

“Shpresa është dhuratë e Zotit - vijoi Papa -  duhet ta kërkojmë e ta ndezim në fundin e zemrës së çdo njeriu. Gjithnjë - saktësoi - duhet të jemi të sigurt se Zoti është pranë nesh, pavarësisht  nga e keqja, që kemi bërë”.

Nuk ka skutë në zemrën tonë, ku të mos ketë arritur dashuria e Zotit. Ku është njeriu që gaboi, atje bëhet edhe më e pranishme mëshira e Atit, për të ngjallur pendim, falje, pajtim e paqe.

Françesku foli për mungesën e respektimit të ligjit, që meriton dënim, heqje lirie, e që është - kujtoi - forma më e rëndë e dënimit, sepse e prek njeriun në thelbin e zemrës. Por, pastaj, Papa menjëherë shtoi:

“Shpresa nuk mund të mungojë kurrë, Një gjë është ajo që meritojmë, e tjetër, fryma e shpresës, që nuk mund të na e marrë asgjë e askush”.

Mëshira e Zotit

Është Zoti ai, që shpreson! Mëshira e Tij nuk na lë kurrë të qetë. Zoti nuk ndalet kurrë, kurrë nuk pushon, vijon të kërkojë, derisa ta gjejë delen e humbur:

“Nëse, pra, Zoti shpreson, atëherë shpresa nuk mund t’i hiqet askujt, sepse është forcë, që ndihmon për të ecur, është tension drejt së ardhmes, për ta shndërruar jetën. Është shtytje drejt së nesërmes, që dashuria me të cilën, pavarësisht nga gjithçka,  duhemi, të mund të bëhet udhë e re..”.

Kështu shpresa - për Papën - është provë shpirtërore e forcës së mëshirës së Zotit, që kërkon të shkojmë përpara e të fitojmë, me fe, mbi forcën tërheqëse të së keqes e të mëkatit. Kisha nuk mund të heqë dorë nga përpjekja për të ngjallur në zemrën e secilit dëshirën për liri - vijoi Françesku - e, më pas, foli për hipokrizinë e njeriut, që e tregon tjetrin me gisht.

Hipokrizia e atij, që e drejton gishtin kah tjetri

“Sa herë që hyj në ndonjë burg, e pyes veten; ‘Pse ata, e jo unë?’. Të gjithë mund të gabojmë, të gjithë. Në një mënyrë a në një tjetër, kemi gabuar. E kjo hipokrizi bën që të mos mendohet për mundësinë e ndryshimit të jetës, mungon besimi në rehabilitimin, në radhitjen përsëri në radhët e shoqërisë”.

Në këtë mënyrë - vijoi Papa - harrohet se të gjithë jemi mëkatarë e shpesh, edhe të burgosur, pa u kujtuar fare:

“Kur mbetemi të mbyllur në paragjykimet tona, ose kur jemi skllevër të idhujve të rremë të mirëqenies, kur lëvizim brenda skemave idelogjike ose kur absolutizojmë ligjet e tregut, që i shtrydhin njerëzit, në të vërtet nuk bëjmë tjetër veç të mbyllemi ndërmjet katër mureve të qelisë së individualizmit e të vetvetes, larg së vërtetës, që lind lirinë. E zgjatja e gishtit për të treguar njeriun që gaboi, nuk mund të bëhet alibi për të fshehur kontradiktat tuaja”.

Siguria e faljes  

“Askush nuk mund të mendojë se është i drejtë para Zotit” - nënvizoi Papa - e askush nuk mund të jetojë pa sigurinë se mund të gjejë faljen. Duke i ftuar të gjithë të mos të mbyllen në të kaluarën e të mos bien në tundimin, që i shtyn të mendojnë se nuk mund të falen, sepse “Zoti është më i madh se zemra jonë” e ne duhet vetëm t’i besojmë mëshirës së Tij:

“Historia, që nis sot e shikon drejt së ardhmes, pret të shkruhet me hirin e Zotit e me përgjegjësinë tuaj personale. Duke mësuar nga gabimet e së kaluarës, mund të shpalosni një kapitull të ri të jetës”.

Sa herë - shtoi Papa - forca e fesë krijoi mundësinë për të shqiptuar fjalën falje, në kushte të pamundura për mendësinë njerëzore!  E, në vijim, duke kujtuar njerëzit që u plagosën e u fyen rëndë, pohoi me dhimbje: “Vetëm forca e mëshirës së Zotit mund t’i shërojë plagë të tilla”:

“Atje ku dhunës i përgjigjen me falje, atje edhe zemra që gaboi mund të fitohet nga dashuria, e cila ngadhënjen mbi çdo formë të së keqes. E kështu, ndërmjet viktimave e fajtorëve, Zoti ngjall dëshmitarë të vërtetë të mëshirës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.