2016-11-06 17:59:00

Françesku: Shpëtohen bankat e jo njerëzit, e ky është turp!


Papa Françesku u takua dje, në Vatikan, me Lëvizjet Popullore. Është shkandull - u tha - të shpëtosh bankat e jo atë, që është “falimetim i njerëzimit”. Kështu foli Papa për emigrantët dhe refugjatët, duke u takuar, në Vatikan, me rreth pesë mijë anëtarë të Lëvizjeve Popullore, pjesëmarrës të Takimit III Botëror, që përfundoi të shtunën, më 5 nëntor, në Romë. Atyre Françesku u kërkoi të angazhohen për një botë, që vë në qendër “Njeriun”.

“Tokë, shtëpi, punë për të gjithë!” - kjo, britma me të cilën Papa shpreh etjen për drejtësi të të gjithë pjesëmarrësve në Takimin III të Lëvizjeve Popullore. Françesku kujtoi takimin e fundit në Bolivi dhe i lavdëroi njerëzit, të cilët punojnë çdo ditë për ngadhënjimin e drejtësisë në mbarë botën,  që po nis t’i zgjasë rrënjët kudo.

Terror e mure

Gjithsesi, bulimi është i ngadalshëm, kërcënohet nga forca të pushtetshme. Këto forca mund ta neutralizojnë procesin e ndryshimeve, që mund ta zhvendosë parinë e parasë e të vërë përsëri në qendër njeriun: “E kush sundon atëhere? Paraja! E si sundon? Me kamxhikun e frikës, të padrejtësisë, të dhunës ekonomike, shoqërore, kulturore e ushtarake, që lind gjithnjë më shumë dhunë, në një spirale, e cila duket se nuk do të mbarojë kurrë”.

Françesku foli për terrorizmin e bazës, pasojë e kontrollit global të parasë mbi tokë. Është ky që i ushqehen trafikantët - terroristë, terrorizmin e shtetit e edhe atë, që gabimisht quhet terrorizëm etniko-fetar: “Asnjë popull nuk është terrorist, asnjë fe. Vërtet se ka grupe të vogla fundamentaliste në të katër anët. Po terrorizmi nis, kur e ke dëbuar mrekullinë e krijimit, burrin e gruan, dhe ke vënë në vend të tyre paranë. Një sistem i tillë është terrorist”.

Kisha rebelohet kundër idhullit para, që mbretëron, në vend që të shërbejë; tiranizon e terrorizon njerëzimin. E tirani terroristike është kur ky terror, i shprehur në periferitë me masakra, plaçkitje, shtypje e padrejtësi, shpërthen me forma të ndryshme dhune. E atëhere qytetarët tundohen nga siguria e mureve fizike e shoqërore.

Mure që mbyllin njërën palë e mërgojnë tjetrën. Qytetarë të murosur, të terrorizuar, nga njëra anë - të përjashtuar, të internuar, edhe më të terrorizuar, nga ana tjetër”. Në vijim Papa foli për dashuri e ura, për falimentimin e shpëtimin e njerëzimit, për Mesdheun, shndërruar tashmë në varrezë, e jo vetëm për Mesdheun, por edhe për varreza të tjera, të krijuara kudo,  e edhe për mure,   të spërkatura me gjak njeriu të pafajshëm. “Askush nuk duhet të ikë më nga atdheu i vet” – bëri thirrje Papa, e në përfundim uroi që Shtetet e organizatat ndërkombëtare t’i hapin, më në fund, sytë për të parë  ku po e çojnë njerëzimin!".








All the contents on this site are copyrighted ©.