2016-11-05 10:50:00

Kard. Amato: Martirët protagonistë të historisë së njerëzimit


Në Shkodër u kremtua Mesha solemne me ritin e Lumnimit të 38 martirëve të Kishës katolike të periudhës së regjimit diktatorial ateist të komunizmit.

Mesha solemne, në Katedralen e Shkodrës, u kryesua nga Kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, në bashkëkremtim me Presidentin e Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra e me tërë episkopatin e Shqipërisë, ipeshkvijtë tjerë nga Kosova, Mali Zi, Italia, Kroacia e shumë vende tjera.

Në Meshën dhe ritin e Lumnimit të 38 Martirëve në  Katedralen e Shkodrës dhe sheshin para këtij Tempulli të Zotit, morën pjesë me dhjetëra mijëra besimtarë e qytetarë nga mbarë Shqipëria, nga Kosova, Mali Zi, diaspora e vendet tjera. Po kështu në Meshë qenë të pranishme autoritetet e larta Shtetërore e qeveritare të Shqipërisë e të Kosovës, si dhe kryetarë të komuniteteve fetare të vendit.

Prekëse fjalët e kryeipeshkvit imzot Massafrës në fillimin e Meshës, më paraqitjen nga një të të gjithë emrave të Martirëve, të cilët u shpallen të Lumë gjatë këtij kremtimi liturgji.. E pas këngës së Meshës, Arqipeshkvi Angelo Massafra e falënderoi Papën:

"Shumë e nderuar Eminencë, si Metropolitë e Arqidioqezës së Shkodër-Pultit, me përvujtëri kam kërkuar prej Atit të Shenjtë Françesk që të shruajë në numrin e të Lumëve Shërbëtorët e Hyjit Vinçenc Prenushi, ipeshkëv, dhe Shokët, Martirë".

"Eminenca shumë e nderuar, në emrin tim personal, e të Arqidioqezës sonë dhe të Postulacionit për Çështjen e Lumnimit, duke falënderuar Hyjin i cili, nëpërmjet martirëve tanë, na dha shembull e qëndrimit të fortë në fe deri në vdekje, Ju lutem t’i paraqisni Shenjtërisë së Tij Papë Françeskut mirënjohjen tone për dhuratën që i fali tokës Shqiptare duke pranuar t’i numërojë ndër të Lumet edhe Shërbëtorët e Hyjit Ipeshkvin Vinçenc dhe Shokët e tij, Martirë".

Gjatë Meshës, Arqipeshkvi Angelo Massafra e falënderoi Papën:

"Eminenca shumë e nderuar, në emrin tim personal, e të Arqidioqezës sonë dhe të Postulacionit për Çështjen e Lumnimit, duke falënderuar Hyjin i cili, nëpërmjet martirëve tanë, na dha shembull e qëndrimit të fortë në fe deri në vdekje, Ju lutem t’i paraqisni Shenjtërisë së Tij Papë Françeskut mirënjohjen tone për dhuratën që i fali tokës Shqiptare duke pranuar t’i numërojë ndër të Lumet edhe Shërbëtorët e Hyjit Ipeshkvin Vinçenc dhe Shokët e tij, Martirë".

Kardinali Amato në homelinë e kësaj Meshe historike për Kishën shqiptare, foli mbi martiret, mbi jetën e tyre, mbi qëndresën e tyre, mbi virtytet e tyre njerëzore e shpirtërore e për mesazhin e tyre për realitetin e sotëm.

Lutja e hyrjes së Meshës së Lumnimit të 38 martirëve të Kishës shqiptare

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti ke mbushur me Shpirtin e forcës sate të lumët Vinçenc, ipeshkëv, e Shokët, martirë që t’i jepnin popullit shqiptar dëshminë e besnikërisë ndaj Krishtit dhe të dashurisë së pakushte ndaj vëllezërve.

Me ndërmjetësimin e tyre të përbashkët, jepi Kishës sate të përhapur në gjithë botën të njëjtin Shpirt që të përmbushet mbretëria e dashurisë, e drejtësisë dhe e paqes që solli Krishti Zot. Ai jeton e mbretëron me ty në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

                LITURGJIA E FJALËS

Leximi i Parë (1 Mak 1, 41-50; 56-63)

Prej Librit të Parë të Makabenjve   

Në ato ditë mbreti Antiok shkroi një shpallje për mbarë mbretërinë që të gjithë të trajtonin një popull të vetëm e t'i lënë doket e veta.Të gjitha kombet e pranuan urdhrin e mbretit Antiok.Shumë edhe prej izraelitëve pranuan hyjnderimin e tij, u flijuan idhujve dhe e prishën të shtunën. Mbreti dërgoi në Jerusalem e në qytetet e Judesë me anë të të dërguarve të vet letra që t'u përshtaten dokeve të paganëve vendës, të mos kushtojnë fli shkrumbimi, therore, fli kushti në Tempullin e Hyjit, të mos kremtohen më të shtunat e të kremtet, të dhunohet Shenjtërorja e gjithçka është e shenjtë, të ndërtohen lterë, tempuj e idhuj, të flijohen thi e kafshë të papastra, t'i lënë fëmijët pa rrethprerë, të bëhen të papastër me çdo lloj papastërtie e irie, kështu që ta harrojnë Ligjin e t'i ndërrojnë të gjitha doket e shenjtërimit. Kush të mos e dëgjojë fjalën e mbretit Antiok, dënohet me vdekje.

Librat e Ligjit që i gjetën, pasi i shqyenin, i digjnin në zjarr.   Nëse te ndokush gjendej ndonjë libër i besëlidhjes ose që e pranonte Ligjin, vritej me urdhrin e mbretit. Pasi fuqinë e kishin në dorë, bënin kështu kundër Izraelit, kundër atyre që i zbulonin muaj për muaj në qytete.Më njëzet e pesë të muajit flijonin mbi lterin që e kishin ndërtuar mbi lterin e flive të shkrumbimit.Gratë që i kishin rrethprerë fëmijët e vet, i vritnin në bazë të shpalljes ‑ ua varnin fëmijët për qafe ‑ i vritnin edhe anëtarët e familjes së tyre si dhe ata që i kishin rrethprerë.

Megjithëkëtë, një shumicë në Izrael qenë të guximshëm e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastra: më parë zgjodhën vdekjen se të ndoten me ushqime të papastra e ta prishin Besëlidhjen e shenjtë: bënin vdekjen! Fjala e Zotit.

Psalmi (Krhs Ps 65, 1-4; 8-12)

Qoftë bekuar Hyji në mëshirën e tij

Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit,

këndoni lavdisë së Emrit të tij,

lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!

Thuajini Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!

Pse je tejet i fuqishëm,

armiqtë e tu të përkëdhelin.

Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,

le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd”!

Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë

dhe shpalleni lavdinë e tij!

Ai i dha shpirtit tonë jetën,

këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.

Ti vetë, o Hyj, na vure në provë,

porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.

Ti vetë na nxorre në leqe,

barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.

Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit,

na përshkove nëpër zjarr e ujë,

por më vonë na dhe pushim.

Leximi i Dytë (Zb 7,9-17)

Prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit Apostull

Atëherë pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund ta numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit, të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë: “Shpëtimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!” Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër Gjallesave, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin.Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!”

Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!”

Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i pastruan në gjakun e Qengjit.

Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t’i shtijë nën tendën e vet. Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij.Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i kullosë dhedo t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre”.Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja, aleluja.

Kush qëndron deri në fund do të shpëtohet, thotë Zoti.

Aleluja.

Ungjilli  (Mt 10, 16-22; 26-33)

Leximi prej Ungjillit të shenjtë sipas Mateut.

Në atë kohë Jezusi tha: “Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.

Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.

“Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet.  Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin.A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!

Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.” Fjala e Zotit! Lavdi ty, o Krisht.

O Zot Jezus,Ti bëre që të Lumët e tu Vinçenc dhe Shokët të vuajnë për ty; forcoje ligështinë tonë me ndihmën tënde hyjnore,që sikurse ata nuk ngurruan të vdesin për ty,ashtu ne të qëndrojmë të fortë duke të dëshmuar ty, qëjeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

Kardinali Amato në homelinë e kësaj Meshe historike për Kishën shqiptare, foli mbi martiret, jetën e tyre, qëndresën e tyre, mesazhin e tyre.

1. Është ditë feste sot, e jo vetëm për shqiptarët e pranishëm këtu, në Shkodër, por edhe në shumë qytete të tjera, në Shqipëri dhe jashtë saj. Vetëm dy muaj pas shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës, bijë e madhe e tokës suaj, grua heroike, pasqyrë e zemrës së mëshirshme të Hyjit, gjithnjë pranë zemrës së thyer të çdo qeniejeje njerëzore, nevojtare për ndihmë e ngushëllim, lumnimi i 38 Martirëve shqiptarë u kujton të gjithëve se në mbi këtë tokë e mira pengohet vazhdimisht prej së keqes. Megjithatë, protagonistët e vërtetë të historisë së njerëzimit nuk janë përndjekësit, por martirët.

Ndërsa përndjekësit davariten, si hijet e zeza, që shuhen përgjithmonë në errësirën e harresës së amshuar, martirët janë pishtarë drite, që shkëlqejnë në qiellin e njerëzimit, duke u treguar të gjithëve fytyrën vërtet të mirë të njeriut, identitetin e tij të thellë si qenie e krijuar sipas shembëllesës e përngjasimit me Zotin.

Megjithëse në ferrin e një përndjekjeje arbitrare dhe të padrejtë, martirët tuaj  treguan para armiqve të tyre të njëjtat ndjenja, mbajtën të njëjtin qëndrim, që pati mbajtur Krishti: falje, besnikëri, qëndresë, vëllazëri, mëshirë. Në këtë mënyrë bëhen busulla, që na orientojnë drejt limanit të së mirës, drejt mbretërisë së Hyjit, që duhet ndërtuar edhe mbi këtë tokë.

Martirët janë dëshmitarët e atij njerëzimi të ri, që nuk mbjell në histori luftëra, përçarje e vrasje të njerëzve të pafajshëm, por paqe, gëzim e vëllazëri, duke lartuar talentet e njëmendta të qenies njerëzore, të krijuar – siç thotë poeti Dante –  «Jo për të jetuar si shtazë, por për të ndjekur virtyt dhe dije».[2]

2. Liturgjia e Fjalës na paraqet tri faza të luftës së amshuar të armikut të Hyjit mbi tokë. Leximi i parë, i marrë prej Librit të parë të Makabejve, flet për popullin e Hyjit, të mposhtur e të poshtëruar prej mbretit Antiok, pushtuesit blasfem, që ndalon flijimet e Tempullit, u lartëson altare dhe tempuj idhujve paganë, djeg librat e ligjit dhe vret gratë e fëmijët. Në këtë stuhi nuk mungojnë heronjtë që i kundërvihen shkatërrimit të kultit ndaj Hyjit të vërtetë. Shkrimi i shenjtë thotë: «Megjithëkëtë, shumica në Izrael ishte e guximshme e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastërta: më parë zgjodhi vdekjen se të ndotej me ushqime të papastërta e ta thyente Besëlidhjen e shenjtë» (1Mak 1,62-63).

Në Ungjill Jezusi i nxit apostujt të jenë të fortë dhe të guximshëm, kur të dorëzohen në gjyqe dhe të urrehen nga të gjithë për shkak të emrit të tij: «Mos kini frikë – thotë Zotëria – nga ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin» (Mt 10,28).

Shpërblimi për besnikërinë ndaj Zotit shpjegohet në Librin e Zbulesës, i cili flet për lumnimin e atyre që vijnë prej mundimit të madh dhe që i kanë larë veshjet e tyre, duke i bërë të bardha me gjakun e Qengjit. Është turma  e pafundme e martirëve të çdo kombi, fisi, populli e gjuhe, që të veshur me petka të bardha dhe me degë palme në duar, rrinë pranë fronit të Hyjit. Këta «Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij. Sepse Qengji që është në mes, në fron, Bariu i tyre, do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre» (krh. Zb 7,9-17).

3. Mundimi, martirizimi, lavdërimi. Ky është fati që u takoi martirëve shqiptarë. Vuajtjet e tyre shpalosin një faqe tragjike të historisë europiane. Nga njëra anë përndjekësit mizorë, nga ana tjetër martirët e pambrojtur.

Shumë vetë në atë stuhi poshtërimi dhe gjaku pyesnin se ku ishte Hyji. Por qenë vetë martirët ata që u përgjigjën se Zoti ishte me ta, i mbështeste në vuajtje, ngjitej në Kalvar me ta, pësonte me ta, qante me ta. Në martirët shqiptarë Jezu Krishti rijetonte mundimet e veta dhe vdekjen e vet. Jezusi ishte pranë Dom Lazër Shantojës kur u pushkatua në Tiranë më 5 mars 1945 dhe pranë Dom Ndre Zadejës kur u pushkatua në Shkodër më 25 mars 1945. Po ashtu, më 4 mars 1946, në orën e pushkatimit, Jezusi ngushëllonte jezuitët Giovanni Fausti e Daniel Dajani, françeskanin Gjon Shllaku, seminaristin Mark Çuni, të riun njëzet e një vjeçar Gjelosh Lulashi dhe babain e familjes Qerim Sadiku.

Veçanërisht mizore qe, për shembull, vrasja e Imzot Frano Gjinit, i ngarkuar prej ipeshkvijve katolikë të dialogonte me regjimin në pushtet. Imzot Gjini u arrestua, u akuzua për propagandë anti-komuniste, u torturua dhe pësoi urinë e etjen deri në rraskapitje. I varur në një pemë në oborrin e Sigurimit, u rrah e më pas u hodh në ujërat e zeza. Në fund u ekzekutua më 8 mars 1948 së bashku me 18 vetë të tjerë, meshtarë dhe laikë.[3] Ky guxim mbinjerëzor ishte fryt i hirit të Krishtit që e mbështeste martirin në vuajtjet çnjerëzore të torturave.

Edhe martirët e tjerë – ndërmjet të cilëve arqipeshkvi i Durrëzit, imzot Vinçenc Prennushi – të gjykuar, të dënuar, ndonëse të pafajshëm, të torturuar dhe të vrarë, e ndjenin praninë e Krishtit. Ai ishte pranë tyre. Prej hirit të tij merrnin forcën për ta përballuar me kthjelltësi si dhe me gëzim provën e martirizimit. E dinin se do të kishin pjesë në ringjalljen e Krishtit dhe se gjaku i tyre do të ishte fara për pranverën e Kishës në Shqipëri. 

4. Falë Provanisë Hyjnore, druri e Kryqit, i rrahur prej stuhisë komuniste, sot lulëzoi përsëri me një energji të përtërirë në Shqipëri, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar dhe të ringjallur. Kisha – duke kujtuar fjalën e Jezusit: «Nëse më salvuan mua, do t’ju salvojnë edhe ju » (Gjn 15,18-20) – pas shtypjes ka rilindur edhe më e shkëlqyeshme se më parë, e forcuar edhe prej dëshmisë së bijve të vet martirë.

E dimë se feja nuk kishte vdekur kurrë në Shqipëri. Kur mungonin meshtarët, qenë prindërit ata që pagëzuan fëmijët, i mësuan në fe, bekuan martesat. Njerëzit vijuan të luten e të thonë rruzaren . Vizitoheshin muzetë vetëm për të soditur kryqet dhe figurat e shenjta. Shpesh njerëzit shkonin në kishat e braktisura për t’u lutur. Kremtoheshin fshehurazi të kremtet e Krishtlindjeve dhe të Pashkëve. Pavarësisht nga ndalimi i emrave të krishterë, fëmijët shpesh në shkollë thirreshin emrin shekullar, ndërsa në shtëpi, atë të pagëzimit. Lexoheshin fshehurazi Bibla dhe librat fetarë.

Pasi kaloi stuhia, më në fund dielli i lirisë shkëlqeu përsëri mbi popullin tuaj të fortë dhe guximtar. Kur mjegulla e terrorit u davarit në vitin 1990 njerëzit filluan t’i uronin përsëri njëri-tjetrit duke buzëqeshur: “Gëzuar Pashkët”. U mbyllën përfundimisht muzetë e ateizmit në Tiranë dhe në Shkodër dhe më 4 nëntor të vitit 1990 u kremtua një meshë në kapelën e varrezave të Shkodrës, pasuar nga Mesha e dytë, me pjesëmarrjen e rreth 50.000 besimtarëve. Më 25 prill 1993 Gjon Pali II bekoi gurin e parë të shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së Shqipërisë. Kisha shqiptare, me ipeshkvijtë e vet, meshtarët dhe besimtarët, është si një lis shekullor, që erërat as stuhitë nuk mund ta shkulin, sepse mbetet i rrënjosur fort në fenë e Krishtit.

5. Po si duhet reaguar përballë mujsharive të një diktature çnjerëzore e gjakatare? Le të kujtojmë e le t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Françesku: «Mos i harroni plagët, por mos merrni hak. Ecni përpara duke punuar me shpresë për një të ardhme të madhe».[4]

Përballë genocidit fetar të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar   katolikët duhet të kujtojnë dhe të falin. Kujtimi shërben për të përforcuar ftesën e Jezusit që t’i falim armiqtë, madje edhe t’i duam e të lutemi për përndjekësit. Prej martirëve katolikët duhet të trashëgojnë jo qëndrime urrejtjeje, inati dhe përçarjeje, por ndjenja dashurie, vëllazërie e harmonie. Sot katolikët, duke kujtuar bijtë e tyre martirë, duhet t’i  falin, ata që i  përndoqën, i keqtrajtuan, i vranë. Kjo është dhurata që Kisha katolike i bën me gëzim dhe bindje popullit shqiptar, për ta jetuar me shpirt të pajtuar bashkëjetesën me vëllezërit.

Pas disa ditës Papa Françesku do të krijojë kardinal Dom Ernest Simonin, meshtar i Arqidioqezës së Shkodrës, të mbijetuar të përndjekjes. Fjalët e tij të para kanë qenë: «Kjo dhuratë e Atit të Shenjtë është për mua një nxitje e mëtejshme për t’u bërë mjet i shpëtimit të shpirtrave, në emër të tij. Vetëm në Krishtin gjendet shpëtimi dhe sot bota ka më shumë se kurrë nevojë për këtë lajm».[5]

Shqipëria, vendi i shqipeve, përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468), të quajtur Athleta Christi nga papa Kalisti III, ka në Nënë Terezën e Kalkutës dhe në Të Lumët Martirë të shekullit të kaluar, heronj të tjerë të lavdishëm të fesë e të atdheut, që përhapin në botë emrin e mirë të popullit shqiptar.

 Martirë të Lum, lutuni për ne!

 

[1] E mbajtur në Shkodër (Shqipëri) më 5 nëntor 2016. Grupi i martirëve është i përbërë nga dy Ipeshkvij, njëzet e një Meshtarë Dioqezanë, shtatë Fretër Minorë, tre Jezuitë, një Seminarist dhe katër Laikë, mes të cilëve një Aspirante për jetën kushtuar Zotit.

[2] Dante, Komedia Hyjnore, Ferri, Kënga 27 rr. 118-120.

[3] krh. Joseph Ritho Mwaniki, La Chiesa cattolica in Albania, në Jan Mikrut (nën kujdesin e), La Chiesa Cattolica e il Comunismo in Europa Centro-orientale e in Unione Sovietica, Gabrielli Editori, San Pietro in Cariani (Verona), 2016 fq. 40.

[4] Papa Françesku, Vizita baritore në Shqipëri në shtator të vitit 2014.

[5] Krh. Mimmo Muolo, Simoni, dalla tortura alla porpora, në «Avvenire», 11 tetor 2016, fq. 7.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.