2016-11-04 14:46:00

Mesha e Papës për kardinajtë dhe ipeshkvijtë e vdekur: dëshmitarë të dashurisë së Krishtit


 “Në dritën e misterit të Pashkëve të Krishtit, vdekja e tyre është hyrje në plotninë e jetës”. Këtë theksoi Papa gjatë homelisë së Meshës për shpirtin e kardinajve dhe të ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit. Disa prej tyre - nënvizoi Françesku - qenë të thirrur ta dëshmojnë Ungjillin në mënyrë heroike, duke mbartur trazira të rënda.

Muaji i nëntorit u kushtohet të vdekurve. E Papa, në Bazilikën e Shën Pjetrit, u lut për kardinajtë dhe ipeshkvijtë e vdekur gjatë vitit. Françesku pohoi se përmes dritës së fesë, ndjehemi edhe më pranë vëllezërve tanë të vdekur. Vdekja na ndau, por vetëm në dukje, sepse pushteti i Krishtit dhe i Shpirtit të Tij na bashkon në mënyrë edhe më të thellë:

“Do të vijojmë t’i ndjemë pranë nesh në Shoqërinë e Shenjtorëve. Të ushqyer nga Buka e jetës, edhe ne, së bashku me ata, që na paraprinë, presim me shpresë të patundur ditën e takimit ballë për ballë me fytyrën e ndritur e të mëshirshme të Atit”.

E pikërisht duke kujtuar kardinajtë dhe ipeshkvijtë e vdekur, Papa pohoi se me shërbesën e tyre vulosën në zemrat e besimtarëve të vërtetën ngushëlluese se hiri e mëshira janë për të zgjedhurit e Tij (Ur. 3,9). Në emër të Zotit të mëshirës e të faljes, duart e tyre bekuan e zgjidhen mëkate; fjalët e tyre ngushëlluan e terën lot, prania e tyre dëshmoi se mirësia e Zotit është e pashterrshme e mëshira e tij, e pasosur.

Papa i quajti “barinj të grigjës së Krishtit që, në ngjasim të Tij, u përpoqën, u dhuruan e u flijuan për shëlbimin e popullit, që u qe besuar:

“E shenjtëruan përmes Sakramenteve dhe i prinë në udhën e shëlbimit; përplot me fuqinë e Shpirtit Shenjt e kumtuan Ungjillin; me dashuri atërore u përpoqën t’i duan të gjithë, posaçërisht të varfërit, të pambrojturit e nevojtarët për ndihmë. Prandaj, në përfundim të jetës së tyre, mendojmë se Zoti i pranoi si fli e pëlqyeshme para syve të Tij. E tani ne këtu lutemi për ta, duke kremtuar Flijimin hyjnor për shpirtrat e tyre e duke i kërkuar Zotit t’i shndrisë drita e pambaruar".

Françesku kujtoi edhe se udha drejt Shtëpisë së Atit nis, për secilin nga ne,  po atë ditë kur hapim sytë për dritën, përmes Pagëzimit, hirit. Një etapë e rëndësishme e kësaj udhe për ne meshtarët e ipeshkvijtë, është çasti kur shqiptojmë: “Ja ku jam!”, gjatë shugurimit meshtarak. Që nga ky çast bashkohemi në mënyrë të posaçme me Krishtin, duke u shoqëruar me shërbesën e Meshtarisë së tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.