2016-11-02 14:20:00

Papa: lutemi edhe për të vdekurit që nuk i kujton më askush


Sot, 2 nëntor, në orën 16.00, Papa kremtoi Meshën në përkujtim të të gjithë besimtarëve të vdekur, pranë varrezës romake të Prima Porta (Portës së parë). Në një tweet, Françesku shkruan: “Me fe ndalemi pranë varreve të të dashurve tanë, duke u lutur edhe për të vdekurit, që nuk i kujton më askush”.

Radhë të gjata njerëzish, me lule në duar e lot në sy,  drejtohen këto ditë kah varrezat, cimitero në italisht, koimētḕrion në greqisht, që do të thotë “vend pushimi”. Në traditën shqiptare, kremtimi i të shuemve a të Shumat.

E kremtimi i sotëm na kujton se varrezat janë vend pushimi, jo vdekjeje përfundimtare, sepse në pritje të zgjimit të mbramë. “Gjë e bukur të mendosh -   tha Françesku  - se do të jetë vetë Jezusi, ai që do të na zgjojë nga gjumi i rëndë i vdekjes. Ai vetë na kujton se vdekja e korpit është si një gjumë, pas të cilit vjen zgjimi. Me këtë fe ndalohemi sot pranë varreve të të dashurve tanë, atyre që na deshën mirë e na bënë mirë. Shkrimi Shenjt na kujton se ata tani janë në duart e Zotit, duar të mëshirshme, duar të plagosura nga dashuria e edhe nga mëkatet tona. Nuk është e rastit që Jezusi deshi t’i ruante plagët në duar, që ne ta ndjenim në shpirt mëshirën e Tij. E kjo është forca jonë e shpresa jonë. Është Ai, që na shpëton; është Ai, që në mbarim të jetës sonë na merr për dore si atë e na shoqëron në atë Qiell, ku janë të dashurit tanë.

Papa na fton t’i kujtojmë edhe njerëzit, që shkuan e u harruan e askush nuk i kujton më: viktima luftërash, dhune, njerëz të vegjël, që u shuan nën barrën e tmerrshme të urisë e të mjerimit, vëllezër e motra, që u vranë e u flakën në varre të panjohura, vetëm pse ishin të krishterë si dhe të gjithë ata, që shkrinë jetën për t’u shërbyer të tjerëve.

Tradita e Kishës - pohon Papa - na nxit gjithnjë të lutemi për të shuarit, posaçërisht duke i kujtuar në Meshët e kremtuara për shpirtin e tyre; kjo është ndihma më e çmuar shpirtërore, që mund t’u japin, posaçërisht më të harruarve e më të braktisurve.

Kujtimi i të vdekurve, kujdesi për varret e tyre e lutjet për shpirtrat e tyre  - nënvizon Papa - janë dëshmia e shpresës dhe e sigurisë se vdekja nuk do ta thotë kurrë fjalën e fundit, se nuk është ajo, që e ka në dorë krejtësisht fatin e njeriut. Sepse fati i njeriut është një jetë pa perëndim, është takimi gazmor me Zotin, që është bukuri, mirësi, dhembshuri, dashuri e përkryer. “Kjo siguri i jep kuptim të plotë edhe jetës tokësore e na hap rrugën e shpresës për jetën përtej vdekjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.