2016-11-01 14:45:00

Pse shkoi Papa tek luteranët në Suedi?


Vizita e Françeskut në vendin skandinav ishte e shkurtër, një ditë e gjysëm. Shkeli në dy vende pranë e pranë njëri-tjetrit: Lund e Malmö. Në Lund mori pjesë në përkujtimin ekumenik të përbashkët për hapjen e kremtimeve të 500-vjetorit të Reformës së Luterit, që do të vijojnë gjatë vitit 2017. E kjo ishte edhe arsyeja  kryesore e shtegtimit.

Pse më 31 tetor?

31 tetori është dita, që kujton simbolikisht çdo vit lindjen e reformës. Kujtohet 31 tetori 1517, kur murgu agostinian afishoi 95 tezat e famshme mbi portën e kishës së kështjellës së Wittenbergut, në Gjermani. Vërtetësia e kësaj ngjarjeje nuk provohet historikisht: shumë historianë mendojnë se Luteri ia kishte paraqitur tezat e tij ipeshkvit vendas e se ishte ai, që i botoi, për të nisur diskutimin e tyre.

Ç’dëshironte Luteri?

Në bazë të vendimit të Luterit ishte kritika e Kuries Romake, të cilën ai e quan të korruptuar e të lidhur në tepri me të mirat materiale të kësaj bote. Rasti për t’u shkëputur, mund ta quajmë “casus belli”, qe ai i të ashtuquajturës “tregti” e indulgjencave. Besimtarët siguroheshin se, po të bënin dhurime në të holla ose në ndonjë vepër fetare, mund t’u faleshin pjesërisht ose plotësisht mundimet e përkohshme për mëkatet e rrëfyera. Luteri e shikonte këtë si tregtim të hirit hyjnor e si  veprim, që të krijonte idenë se “shëlbimi mund edhe të blihej”, me para.

Reforma lindi në Gjermani, pse Papa shkoi në Lund?

Sepse Federata Luterane Botërore, që përfshin shumicën e Kishave luterane, të lidhura drejtpërdrejt me idetë e Luterit, u themelua shtatëdhjetë vjet më parë në Lund. Zgjedhja e Suedisë do të ishte edhe shenjë për të treguar se kërkimi i unitetit ndërmjet konfesioneve të ndryshme nuk lidhet vetëm me një të kaluar, që duhet shëruar, por shikon kryesisht përpara, Zgjedhja e Lund tregon se Kisha luterane nuk ekziston vetëm në Gjermani, por është realitet global.

Papa në Suedi u takua edhe me katolikët…

Natyrisht. E nuk mund të ishte ndryshe. Vëmendja për bashkësinë e vogël katolike vendase ishte një element i vazhdueshëm i vizitës në trojet skandinave. Posaçërisht kujtojmë se Françesku, papa i dytë që vizitoi Suedinë pas Gjon Palit II, më 1989,  kremtoi sot Meshën në Swedbank Stadion të Malmö, i rrethuar pikërisht nga katolikët.

Është ngjarje e izoluar vendimi i Papës për të shkuar në Suedi?

Shumë luteranë, e jo vetëm, panë në vizitën e Papës një gjest profetik. Gjithsesi, edhe pse jashtëzakonisht guximtar e domethënës, ky shtegtim nuk do të mund të realizohej, pa një udhë të gjatë afrimi ndërmjet katolikëve e luteranëve. Udhë, çasti kulmor i së cilës ishte nënshkrimi, më 1999, i Deklaratës së përbashkët të shfajsimit. Ndërsa dokumenti “Nga konflikti - në bashkim”, edhe ky i përgatitur së bashku, është i vitit 2013. Gjatë kremtimit ekumenik suedez, pjesëmarrësit ndoqën atë, që u quajt “Common prayer” (Lutje e përbashkët), një doracak liturgjik katoliko-luteran, botuar kohët e fundit.

Shtegtimi i Papës u quajt ekumenik: ç’do të thotë kjo?

Me termin eukumenizëm, nga i cili rrjedh edhe termi tjetër, ekumenik. kuptojmë kërkimim e unitetit ndërmjet atyre që, ndonëse shpallin fenë e përbashkët në Krishtin, u përkasin konfesioneve e Kishave të ndryshme. Ndryshime që, në disa raste, kanë të bëjnë me qëndrime doktrinore shumë të largëta ndërmjet tyre. Lëvizja ekumenike nisi në mjediset protestante, në fillim të shekullit XX, e pikërisht më 1910. Kisha katolike hyri zyrtarisht në lëvizjen ekumenike me Koncilin II të Vatikanit. Dekreti mbi ekumenizmin, Unitatis redintegratio u miratua në vitin 1964.








All the contents on this site are copyrighted ©.