

Pas Meshës në Malmö, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot. Në përfundim të këtij kremtimi - kujtoi para lutjes mariane - dëshiroj të falënderoj imzot Anders Arborelius, Ipeshkëv i Stokholmit, për fjalët e tij të njerëzishme; autoritetet, për angazhimin e tyre si dhe të gjithë ata që morën pjesë në përgatitjen dhe realizimin e kësaj vizite.
Përshëndes përzemërsisht Presidentin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Luterane Botërore dhe Kryipeshkvin e Kishës së Suedisë. Përshëndes anëtarët e delegacioneve ekumenike dhe Trupin Diplomatik, të pranishëm për këtë rast; e edhe të gjithë ata, që u bashkuan me ne në këtë kremtim Eukaristik.
E falënderoj Zotin, i cili më dha mundësinë të vij në këtë tokë e të takohem me ju, që erdhët me shumicë edhe nga të katër anët e botës. Si katolikë bëjmë pjesë në një familje të madhe, të mbështetur nga i njëjti bashkim. Ju inkurajoj ta jetoni fenë tuaj me lutje, me sakramente e me shërbim bujar ndaj nevojtarëve e të vuajturve. Ju nxis të jeni kripë e dritë në rrethanat ku kaloni jetën, me mënyrën si jeni e si jetoni, sipas stilit të Jezusit, me respekt e solidaritet të madh ndaj vëllezërve e motrave të kishave e bashkësive të tjera të krishtera e të gjithë njerëzve vullnetmirë.
Në jetën tonë nuk jemi vetëm. Na ndihmon e na shoqëron gjithnjë Virgjëra Mari, që sot na paraqitet si e para ndër Shenjtorë, dishepulle e parë e Zotit. Ta lëshojmë veten në krahët e saj e t’ia paraqesim dhimbjet e gëzimet tona, druajtjet e dëshirat. Ta vëmë gjithçka nën mbrojtjen e saj, me sigurinë se na shikon e kujdeset për ne me dashuri amtare.
Të dashur vëllezër, ju kërkoj të mos harroni të luteni për mua. Edhe ju do të jeni të pranishëm në lutjen time!
| All the contents on this site are copyrighted ©. |