2016-11-01 11:46:00

Mesazhi i përkujtimit të të Gjithë Shenjtorëve dhe i të Gjithë të Vdekurve


Kështu këto dy ditë, me 1 e me 2 nëntor, duke kremtuar të Gjithë Shenjtorët e duke Përkujtuar të Gjithë të Vdekurit, Kisha shtegtare mbi tokë përmes liturgjisë shenjte jeton e shpreh hallkën shpirtërore që e bashkon me Kishën Qiellore.

Solemniteti i të këtyre dy ditëve na ndihmon të thellojmë njërën ndër të vërtetat themelore të fesë sonë të krishterë që besojmë: jetën e përjetshme në Hyjin me “Shoqërinë e Shenjtorëve”, feja e ushqen në njeriun shpresën që shkon përtej vdekjes, në Amshimin e Hyjit, që është fundi i misterit të vdekjes.

Kisha pra, me 1 nëntor kremton festën e të Gjithë Shenjtorëve, ndërsa me 2 nëntor përkujton e lutet për të gjithë besimtarët e vdekur, duke dëshmuar kështu përkujdesjen amënore që ka ndaj çdo njeriu në të gjitha periudhat e jetës së tij: nga lindja e deri te caku i fundit të jetës, që nga Pagëzimi e deri tek Ringjallja, do të thotë deri te pjesëmarrja në Jetën e Amshuar në Hyjin.

Dita e 2 nëntorit është e veçantë, na bënë ta ndjejmë në mënyrë të posaçme çdo person e çdo familje. Është festa njerëzore e dashurisë që tejkalon përmasën kohore e njerëzore për t’u shkrirë në përmasën e amshuar të misterit të dashurisë Hyjnore. Kështu me 2 nëntor, Kisha na fton ta shikojnë enigmën e vdekjes me qetësi e shpresë, të ndriçuar nga feja e nga drita e ngjalljes së Krishtit. Gjithçka kalon, po Zoti mbetet dhe caku i jetës sonë është pikërisht takimi përfundimtar ballë për ballë me Zotin. Prandaj Kisha e fton çdo njërin ta shikojë këtë realitet:

Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e i vetë jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, që qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë.

Enigma e vdekjes ndërthuret me mendimin si të jetojmë mirë, si të gjejmë lumturinë, e njëkohësisht me pritjen e gjyqit të mbramë, që do të vendosë përfundimisht drejtësinë. E duke kujtuar këtë, Lumturitë Ungjillore na ftojnë që tani në jetën tokësore të përgatitemi për Jetën e Vërtetë në Hyjin e për t’i dëgjuar fjalët e Tij që thonë: Lum njeriu që dhuron; lum ai që nuk e jeton jetën vetëm për vetvete, por edhe për të tjerët; lum njeriu i mëshirshëm, i mirë e i drejtë; lum njeriu që jeton në dashurinë e Zotit e të afërmit. Kështu jetojmë mirë e kështu nuk duhet të kemi frikë nga vdekja, sepse jemi në lumturinë që vjen nga Zoti e nuk soset kurrë.

Në qendër të fesë së krishterë është misteri i vdekjes e i ngjalljes së Krishtit: Ngjallja e Krishtit ishte si shpërthim drite, shpërthim dashurie që copëton prangat e mëkatit e të vdekjes. Përuroi kështu një përmasë të re të jetës e të realitetit, nga e cila lind një botë e re, e cila depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron atë dhe e bën për vete.

Me këtë siguri të krishterët e shikojnë jetën e pasosur, por pa i harruar detyrat që kanë ende sa janë në botë: këmbët i kanë në tokë por zemrën në qiell, në banesën e përfundimtare të miqve të Zotit.

Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjeshtë një jetë që s’ka fund, por sidomos një cilësi e re e jetës, e shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, i cili na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bën të bashkohemi përgjithmonë me të gjithë vëllezërit e motrat që marrin pjesë në të njëjtën dashuri të Zotit.

Kështu, kremtimet fetare të këtyre ditëve të para të nëntorit na ndihmojnë të thellojmë dy nga të vërtetat themelore të fesë së krishterë që besojmë: “Shoqërinë e Shenjtërve dhe të ngjallurit e korpit”.

Jeta na është dhuruar për të kërkuar Zotin,

Vdekja për ta gjetur,

Amshimi për ta shijuar për gjithmonë.

Të gjithë një dite do ta lëmë këtë toke. Por të lumë janë ata që me jetën dhe shembullin e tyre ndikuan për një shoqëri më të mirë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.