2016-11-01 13:14:00

Koch: Papa, i kënaqur nga udhëtimi në Suedi. Burke: ditë shumë e bukur


Për domethënien e udhëtimit të Papës Françesku në Suedi, me rastin e përkujtimit të 500-vjetorit të Reformës, të dëgjojmë kryetarin e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, kardinalin Kurt Koch:

         “Ati i Shenjtë e ka shumë për zemër ekumenizmin. Papa dëshiron të favorizojë bashkimin me të gjithë të krishterët: kjo është shumë e rëndësishme për të. Prandaj, i jam shumë mirënjohës që e pranoi ftesën e luteranëve për të shkuar në Suedi, në përkujtimin e Reformës. Shihet se Ati i Shenjtë është shumë i gëzuar për këtë. I dëgjoi të gjithë me vëmendje, sidomos dëshmitë e njerëzve të ardhur nga rajone të ndryshme të botës. E përgjigjja e tij ishte mëse e qartë, kur i inkurajoi të gjithë të ecin përpara, të mos kenë frikë dhe të kenë forcë për t’i përballuar të gjitha sfidat, që na ndihmojnë për t’i kapërcyer dasitë”.

         Për këtë ditë historike të Papës Françesku me luteranët, të dëgjojmë edhe drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke:

         “Ishte një ditë shumë impenjative, por edhe shumë e bukur. Pa dyshim, besoj se është një nga gjërat më të bukura. Papa ndoqi fjalën e shkruar, por në një çast - gjatë pasdites – foli pa letër për “revolucionin e butësisë”. E kjo i preku me të vërtetë njerëzit… Patëm edhe dëshmitë e këtyre njerëzve nga shumë anë të botës. Ai mbeti shumë i prekur nga një zonjë, që foli për ‘çmendurinë’ e Papa komentoi: po, kjo është çmenduria e atyre, që e duan Jezu Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.