2016-11-01 14:00:00

Karitasi dhe luteranët, së bashku për paqen, drejtësinë e gjithësinë


Karitasi Ndërkombëtar dhe Shërbimi Botëror i Federatës Luterane nënshkruan dje në Malmo Arena, në përfundim të takimit ekumenik me Papën Françesku, një Deklaratë bashkëpunimi për t’u impenjuar në favor të paqes, të të varfërve, të refugjatëve, të emigrantëve dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.

         Dy organizmat kanë punuar së bashku edhe më parë, por deklarata e zyrtarizon këtë angazhim. “Mendojmë – lexohet në tekst – se bashkësitë fetare dhe organizatat e tyre janë në një pozitë unike për të luftuar kundër varfërisë së skajshme, në të gjitha përmasat e saj. Jo vetëm se këto bashkësi janë të pranishme në çdo anë të botës, por edhe sepse kur janë të formuara, të organizuara e të shoqëruara, bëhen ndihmëset më të mira në rastin e fatkeqësive natyrore, nxitëset më të mira për zhvillimin njerëzor të gjithanshëm e të qëndrueshëm dhe përkrahëset më të mira të jetës”.

         E më tej: “Na frymëzon feja jonë e, në një botë të shekullarizuar, kjo na dallon nga bota për guximin, impenjimin, këmbënguljen, marrjen e përgjegjësisë për rreziqet, sigurinë se Zoti është me ne në përballimin e së keqes e në rindërtimin e jetës. Duke qenë dy organizata të krishtera botërore, që punojnë për dinjitetin njerëzor e drejtësinë shoqërore, vendosëm t’i bashkojmë forcat. Për të sjellë shpresë. Për të dëshmuar e vepruar së bashku, pa përjashtuar askënd. E për t’i ftuar anëtarët tanë të impenjohen me të afërmit e të largëtit në nivel lokal”.








All the contents on this site are copyrighted ©.