2016-11-01 16:04:00

Bibla e Luterit, bazë e gjuhës letrare gjermane


“Biblia, das ist die heilige Schrift deutsch”(“Bibla, domethënë, Shkrimi Shenjt në gjermanisht”). Me këtë titull, në vitin 1534, vetëm 21 vjet para Gjon Buzukut, pa dritën, në Witenberg “Testamendi i Vjetër dhe i Ri”, përkthyer nga Luteri, duke nisur nga viti 1521, një vit pasi ishte shkishëruar.

Në këtë kohë Gjermania ishte e ndarë edhe në planin gjuhësor: para Luterit, kishin dalë më se 14 përkthime të ndryshme të Biblës, një pjesë në dialektin e Gjermnisë së epër (që flitej në Jug), pjesa tjetër, në atë të Gjermanisë së poshtme (që fltej në veri). Dialekti i Jugut e ai i Veriut, pra! E në këto dy zona të ndryshme gjuhësore, përdoreshin, pastaj, një mori nëndialektesh të tjera rajonale.  E lokale.

Luteri u nis nga teksti hebraik e grek i Shkrimit Shenjt, i fiksuar më 1518 nga Erazmi i Roterdamit, dhe e përktheu në një gjuhë, që nuk ishte as veriore e as jugore, por gjuhë e re letrare, “e shpikur” mund të themi  dhe e kuptueshme për gjithë botën gjermanike. Shkrinte kështu, në një, traditat e lashta letrare të gjuhës zyrtare saksone, me ato bohemo-luksemburgeze (të sanksionuara në aktet e kancelarive), duke i pasuruar me shprehje të marra nga gjuha e gjallë e popullit, të cilat Luteri i mblidhte në viset e ndryshme, ku shtegtonte vazhdimisht.

Përkthimi u krye në dy faza: në fillim Luteri shkruante variantin e parë, duke e përkthyer fjalë për fjalë gjithë tekstin e duke u përpjekur të përkonte sa më shumë me origjinalin. Ishte i saktë, deri në mani. Për të gjetur si quheshin në gjermanisht gurët e çmuar, që përmenden në Kapitullin XXI të Zbulesës (diaspër, zafir, kalçedon, smerald, e një mori gurësh të tjerë, që vështirë t’u gjindet emri në shqip), studioi personalisht emrat e gurëve të çmuar me të cilët stolisej princi i Saksonisë. Punë që e pati bërë, me të njëjtin zell e ngulm, atë Mark Harapi me emrat e barërave e të luleve të bjeshkës, kur pati përkthyer “Të Fejuarit” e Manxonit.

Një problem tjetër ishin frazat idiomatike, domethënë, mënyrat tipike të të shprehurit, që përdoreshin në të folurën e Lindjes së Mesme. Tepër larg, në hapësirë dhe kohë nga e folura gjermanike. Luteri punoi duke i kushtuar më shumë vëmendje kuptimit, sesa përkthimit fjalë për fjalë e duke i transferuar, nëse mund të shprehemi kështu, lumenjtë e Babilonjes, në pyjet e Gjermanisë. E, për ta bërë familjare Biblën e tij, kontribuan edhe ilustrimet, posaçërisht për Testamendin e Vjetër e për Zbulesën. Shpesh ilustrimi shërbente për të mbështetur tezat antikatolike të Luterit; për shembull, gruaja e veshur me të kuqe, e ulur mbi shtatë kodrat (Zbulesa XII) paraqitej me tiarën papnore në kokë.

Luteri e lexonte Biblën mbi bazën e doktrinës së tij.  Kështu, kur mesazhi i Shën Palit mbi shfajsimin përgënjeshtrohej - për shembull, nga Letra e Shën Jakobit - ai reagonte duke lartuar autorë e fragmente, që ishin në favor, për të kritikuar e për të minimizuar ato, që ishin në kundërshtim me tezat e tij. Kështu, ndërmjet shkrimeve neotestamentare, Ungjilli i Gjonit dhe Letrat e Shën Palit zinin vendin e parë, ndërsa në fund fare radhitej “Zbulesa”, për shkak të përmbajtjes enigmatike.

Luterin e ndihmoi një ekip tejet i përgatitur bashkëpunëtorësh. E ai vetë ishte aq i vetëdijshëm për këtë nismë sa, më 1530, i shprehu publikisht teoritë e veta në shkrimin “Mesazh mbi përkthimin”, duke i vlerësuar përpjekjet e punës së tij, me synim përhapjen e Shkrimit Shenjt në popullin gjerman, që edhe shtresat më të ulëta të shoqërisë të mund t’i njihnin fjalët e Patriarkëve, të Profetëve e të Apostujve! Kishte a s’kishte të drejtë, ia lëmë gjykimit të lexuesit.  Po nuk mund ta vëmë në diskutim se Luteri i dhuroi popullit gjerman dokumentin e tij të parë në gjuhën e njësuar, që mund të kuptohej deri në skutat më të harruara të Gjermanisë. Shumë zona të vendit i mbetën besnike Romës, por në tërësinë e tij, kombi i ardhshëm gjerman nuk mundi ta mohonte se Luteri i dhuroi tekstin kanonik, që përuronte letërsinë e tij! Si Buzuku ynë i lashtë!

 

 Sipas Storia della Chiesa,, San Paolo, Romë 2000, fq  410








All the contents on this site are copyrighted ©.