2016-10-31 14:39:00

Papa është në Suedi: shtegtim kishtar në fushën e ekumenizmit


 Papa Françesku filloi shtegtimin e 17-të apostolik ndërkombëtar të papnisë në Suedi, i ftuar nga Federata Luterane Botërore (Lwf) për përkujtimin e 500-vjetorit të  Reformës së Martin Luterit. Shtegtimi papnor ka karakter të fortë ekumenik, gjë që e tregojnë dy takimet e sotme të Papës: riti i lutjes së përbashkët ekumenike, në Katedralen e Lund dhe një veprimtari me dëshmi, me pjesëmarrjen e delegatëve të komuniteteve të krishtera, në Malmö Arena; ndërsa nesër, festa e  Gjithë Shenjtorëve, Papa do të kremtojë Meshën pranë stadiumit të Malmö për katolikët suedezë. Në Meshë janë ftuar edhe përfaqësues të Federatës Luterane. Françesku nuk është Papa i parë, që shkel në trojet e Suedisë. Ky vend ka pritur edhe Gjon Palin II, në vitin 1989.

Nisi kështu, një çast vendimtar për ekumenizmin: Papa Françesku e tha këtë që në vigjilje të këtij shtegtimi të 17-të apostolik dhe e përsëriti edhe gjatë fluturimit nga Roma në Malmö të Suedisë, duke përshëndetur gazetarët që e shoqërojnë:

“Ky është shtegtim i rëndësishëm, sepse shtegtim kishtar, shumë kishtar në fushën e ekumenizmit. Puna juaj do të ndihmojë për ta kuptuar, që njerëzit ta marrin vesh sa më mirë”.

Takimet e para të mëngjesit të sotëm

Papa arriti në orën 11.00 në aeroportin e Malmö, ku u mbajt edhe pritja zyrtare tek këmbët e shkallëzës së avionit, nga ana e kryeministrit suedez, Stefan Lofven dhe të ministres së kulturës, zonjës Alice Bah-Kuhnke. Të  pranishëm edhe autoritete të tjera si dhe disa anëtarë të Lwf (Federatës Botërore Luterane). Në këtë ceremoni nuk u mbajtën fjalime. Menjëherë pas, në seksionin e personaliteteve vërtet të rëndësishme (Vip) në aeroport, Françesku u takua privatisht me kryeministrin dhe ministren e kulturës. Pasi u kryen këto takime, zhvendosja me makinë për rreth 42 kilometra, në Igelosa, ku Papa do të përbuhet gjatë këtij shtegtimi dyditor. Është një strukturë e madhe për kërkime mjekësore, ku zhvillohen edhe takimet e Konferencës ipeshkvnore suedeze.

Pra, dy ditë të ngarkuara me ngjarje, që nisën me arritjen e Papës  në aeroportin e Malmö e vijuan me vizitën e mirësjelljes familjes mbretërore, në pallatin e Lund. Pasdite, lutja ekumenike e përbashkët në Katedralen luterane, gjatë së cilës Papa Françesku mbajti  homelinë.

Gjithnjë sot, në ditën e parë të vizitës në Suedi, pas lutjes, rreth orës 16.40, Papa u nis me automobil për në Malmö Arena, ku u mbajt takimi publik me 30 delegacione luterane. Këtu Françesku, si shenjë e natyrës ekumenike të shtegtimit e përshkoi rreth e rreth Arenën, gjithnjë me automobil, së bashku me kardinalin Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të krishterëve, me kryetarin e Federatës botërore luterane, ipeshkvin Munib A. Younan si dhe me sekretarin e përgjithshëm, të nderuarin Martin Junge, i pranishëm në takim.

Takimi nisi me këngë e vijoi me katër dëshmi. Folën Pranita, Imzot Héctor Fabio, Marguerite dhe Rose. Pas tyre, ipeshkvi Antoin, që jeton në Haleb Presidenti i Federatës Luterane Botërore dhe Papa Françesku. Pati formën e një bashkëbisedimi me dëshmitarët, fjala e Papës.

Nesër, më 1 nëntor, Festa e Gjithë Shenjtorëve, Françesku do të kremtojë Meshën,  gjithnjë në Malmö, me bashkësinë e vogël katolike suedeze, para se të rikthehet në Romë, ku pritet rreth orës 15.30. Të mëdha, shpresat për frytet e kësaj ngjarjeje!   








All the contents on this site are copyrighted ©.