2016-10-31 14:11:00

Papa: luteranëve, Uniteti ndërmjet të krishterëve është çështje parësore


“Uniteti ndërmjet të krishterëve është çështje parësore: pranojmë se ndërmjet nesh vlen më shumë ajo që na bashkon, sesa ajo që na ndan.” Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku në Malmo Arena, gjatë ngjarjes ekumenike me luteranët në Suedi, me rastin e përkujtimit të përbashkët të 500-vjetorit të Reformës së Martin Luterit. Fjalimi i Papës (tekst i plotë) drejtuar luteranëve.

Të dashur vëllezër e motra,

e falënderoj Zotin për këtë përkujtim të përbashkët të 500-vjetorit të Reformës, që po e jetojmë me shpirtin e përtërirë e me vetëdijen se uniteti i të krishterëve është detyrë e dorës së parë, duke e pranuar se ndërmjet nesh vlen më shumë ajo që na bashkon, sesa ajo që na ndan. Udha e nisur për ta arritur, është tashmë dhuratë e madhe, që na bën Zoti e, falë ndihmës së Tij, sot jemi të mbledhur, luteranë e katolikë, me shpirtin e bashkimit, për t’i sjellë sytë kah i vetmi Zot, Jezu Krishti.

Dialogu ndërmjet nesh krijoi mundësitë ta thellojmë njohjen reciproke, të krijojmë besim të përbashkët dhe të konfirmojmë dëshirën për të ecur drejt bashkimit të plotë. Një nga frytet e prodhuara nga ky dialog është bashkëpunimi ndërmjet organizatave të ndryshme të Federatës Luterane Botërore dhe Kishës Katolike. Falë kësaj klime të re  mirëkuptimi, sot Caritas Internationalis dhe Lutheran World  Federation for World Service do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët marrëveshjesh, që të zhvillojnë e të fuqizojnë kulturën e bashkëpunimit për promovimin e dinjitetit njerëzor e të drejtësisë shoqërore. I përshëndes përzemërsisht anëtarët e të dyja organizatave që, në një botë të copëzuar nga luftërat e konfliktet, ishin e janë shembull i ndritshëm  i përkushtimit e i shërbimit ndaj të afërmit. I nxis të vijojnë ecjen në rrugën e bashkëpunimit.

I dëgjova me vëmendje dëshmitë: vërejta se në mes të një mori sfidash, këta njerëz e vënë ditë për ditë jetën në shërbim të ndërtimit të një bote, e cila përkon gjithnjë më shumë me planet e Zotit.

Pranita foli për krijimin. E qartë se i gjithë krijimi është shprehje e dashurisë së pakufishme të Zotit  për ne; prandaj edhe përmes dhuratave të natyrës, ne mund ta kundrojmë Zotin. Mendoj ashtu si ti për çështjen e shpërdorimeve, që e dëmtojnë planetin, shtëpinë tonë të përbashkët e që  kanë edhe pasoja të rënda mbi klimën. Siç e kujtove edhe ti, goditjet më të rënda bien mbi njerëzit e ligshtë, që detyrohen të emigrojnë, për të shpëtuar nga pasojat e ndryshimeve klimaterike. Të gjithë jemi përgjegjës për mbrojtjen e krijimit e, në mënyrë të veçantë, ne të krishterët. Stili ynë i jetesës, sjelljet tona, duhet të jenë në përkim me fenë tonë. Jemi të thirrur ta kultivojmë harmoninë me vetveten e me të tjerët, por edhe me Zotin e me veprën e duarve të Tij. Pranita, të inkurajoj ta vijosh angazhimin tënd në favor të shtëpisë sonë të përbashkët.

Imzot Héctor Fabio na njoftoi për punën e përbashkët që zhvillojnë katolikë e luteranë në Kolumbi. Lajm i mirë ky, të mësosh se të krishterët bashkohen për të vënë në jetë procese komunitare e shoqërore me interes të përbashkët. Ju kërkoj një lutje të veçantë për këtë tokë të mrekullueshme që, me bashkëpunimin e të gjithëve, të  gëzojë, më në fund, paqen aq të dëshiruar e të nevojshme për bashkëjetesën e denjë njerëzore. Le të jetë lutje, që të pushtojë mbarë vendet ku vijojnë situata konflikti.

Marguerite na tërhoqi vëmendjen mbi punën në favor të fëmijëve, viktima të shumë mizorive, si dhe mbi impenjimin për paqen. Është diçka e admirueshme e njëkohësisht dhe thirrje për t’i marrë seriozisht situatat e panumërta, në të cilat vuajnë shumë njerëz të pambrojtur, ata që nuk kanë zë. Ky, që ti e shikon si mision, ishte një farë, e cila prodhoi fryte të begata e sot, falë kësaj fare, miliona fëmijë mund të studiojnë, të rriten, të rifitojnë shëndetin. Të falënderoj që sot, edhe pse në mërgim, vijon të komunikosh një mesazh paqeje. Na kujtove se gjithë të njohurit mendojnë se kjo që po bën është marrëzi. Natyrisht, është marrëzia e dashurisë së Zotit për të afërmin. Sa mirë do të ishte që kjo marrëzi të përhapej anë e kënd, e ndriçuar nga feja e nga besimi në Provaninë hyjnore. Ec pa frikë përpara  e unë uroj që ky zë shprese, i cili dëgjohet në fillim të aventurës sate, të vijojë ta nxisë zemrën tënde  e zemrat e shumë të rinjve.

Rose, më e reja, dha një dëshmi vërtet prekëse. Diti të përfitojë nga talenti që i dha Zoti përmes sportit. Në vend që t’i shpërdorojë forcat në situata të  pafryt, i vuri në shërbim të një jete plot fryte. Ndërsa dëgjoja historinë tënde, më erdhi në mendje historia e shumë të rinjve, që kanë aq shumë nevojë për dëshmi, si kjo jotja. Do të më pëlqente t’u kujtoj se të gjithë mund ta zbulojnë kushtin e mrekullueshëm se janë të gjithë bij të Zoti, e privilegjin se Ai i mirëpret e i do. Rose, të falënderoj nga zemra që u përpoqe e flijove aq shumë për t’i inkurajuar edhe vajzat e tjera të rikthehen në shkollë, e edhe për lutjet që thua çdo ditë për paqen në Shtetin e ri të Sudanit të Jugut, që ka kaq shumë nevojë për to.

Pasi dëgjova këto dëshmi të forta, që na bëjnë të mendojmë për jetën tonë e për mënyrën si u përgjigjemi situatave të vështira rreth nesh, dëshiroj t’i falënderoj të gjitha qeveritë që i asistojnë refugjatët, mërgimtarët dhe njerëzit në kërkim të strehimit, sepse çdo veprim në favor të këtyre njerëzve nevojtarë për mbrojtje, përfaqëson një gjest të madh solidariteti e njohjeje të dinjitetit të tyre. Për ne, të krishterët, është detyrë e dorës së parë t’i ndihmojmë të flakurit nga radhët e kësaj bote e ta bëjmë të dukshme dhembshurinë dhe dashurinë përdëllyese të Zotit, që nuk e flak asnjërin, por i  mirëpret të gjithë.

Pas pak do të dëgjojmë dëshminë e Ipeshkvit Antoine, që jeton në Haleb, qytet i rrënuar nga lufta, ku përbuzen e shkelen deri të drejtat më themelore. Lajmet na flasin ditë për ditë për vuajtjen e pamasë, shkaktuar nga konflikti sirian, që vijon tash më se pesë vjet. Në mes të një shkatërrimi të madh, është vërtetë heroik qëndrimi i burrave e i grave, që rrijnë atje, për t’u dhënë ndihmë materiale e shpirtërore nevojtarëve. Është e admirueshme edhe që ti, i dashur vëlla, vijon të punosh në mes gjithë atyre rreziqeve, për të na treguar situatën dramatike të sirianëve. Secili prej tyre është në zemrën tonë e në lutjen tonë. Lutje, përmes së cilës kërkojmë kthimin e zemrave të atyre, që kanë përgjegjësi për fatet e këtij rajoni.

Të dashur vëllezër e motra, të mos lejojmë që të na mposhtin kundërshtimet. Këto histori na motivojnë e na ofrojnë nxitje të reja për të punuar gjithnjë më të bashkuar. Kur të rikthehemi në shtëpitë tona, ta marrim me vete angazhimin për të bërë çdo ditë një gjest paqeje e pajtimi, për të qenë dëshmitarë të guximshëm e besnikë të shpresës së krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.