2016-10-31 14:06:00

Papa: katolikë e luteranë ta dëshmojnë së bashku mëshirën e Zotit


Shtegtimi Apostolik  i Papes Françesku në Suedi. Lutja Ekumenike. Në ora 14.30 në Katedralen Luterane në Lund, në Suedi, u mbajt Lutja e Përbashkët Ekumenike. Posa mbërrini në Katedrale, Papa Françesku u prit nga Primati i Kishës së Suedisë, Kryipeshkvi Antje Arborelius, me të cilin përshkuan procesionin drejt altarit qendror. Në procesion më tej morën pjesë edhe disa përfaqësues të Lutheran World Federtion (LWF). Gjatë kremtimit, pas këngëve e leximeve biblike e pas sermonit (homelisë) të Sekretarit të Përgjithshëm të LWF, të nderuarit Martin Junge, Ati i Shenjtë Bergoglio shqiptoi homelinë, të cilën po sjellim në vazhdim:

“Rrini në mua e unë në ju!” (Gjn 15,4). Këto fjalë, shqiptuar nga Jezusi gjatë Darkës së Mbrame, na lejojnë t’i afrohemi Zemrës së Krishtit  pak para se të dhurohej përfundimisht mbi kryq. Mund t’i dëgjojmë rrahjet e zemrës së Tij për ne e dëshirën e Tij për unitetin e të gjithë atyre, të cilët besojnë në Të. Na thotë se Ai është hardhia e vërtetë e ne, shermendët: e, ashtu si Ai është i bashkuar me Atin, kështu edhe ne duhet të jemi të bashkuar me Të, në se duam të sjellim fryt.

Në këtë takim lutjeje, këtu në Lund, duam të shprehim dëshirën  që të mbetemi të bashkuar me Të, për të pasur jetë. I kërkojmë: “Zot, na  ndihmo, me hirin tënd, të jemi më të bashkuar me ty, për të dhënë një dëshmi më të frytshme feje, shprese e dashurie”. E edhe një çast, që ta falënderojmë Zotin për angazhimin e shumë prej vëllezërve tanë të bashkësive të ndryshme kishtare, që nuk u dorëzuan përballë ndarjes, por e mbajtën të gjallë shpresën e pajtimit ndërmjet të gjithë atyre, që besojnë në të njëjtin Zot.

Katolikë e luteranë nisën të ecin së bashku në udhën e pajtimit. Tani, në rrethanat e përkujtimit të përbashkët të Reformës së 1517-tës, kemi një mundësi të re ta mirëpresim edhe udhën e përbashkët, që mori formë në 50 vjetët e fundit në dialogun ekumenik ndërmjet Federatës Luterane Botërore dhe Kishës Katolike. Nuk mund të dorëzohemi përballë ndasisë  dhe distancës që shkaktoi ndarja mes nesh. Kemi mundësi t’i ndreqim në një çast vendimtar të historisë sonë, duke i kapërcyer grindjet dhe keqkuptimet, të cilat shpesh na penguan ta kuptojmë njëri-tjetrin.

Jezusi na thotë se Ati është zotëria i vreshtës (krh v.1), ai që e kujdes dhe e krasit, për të dhënë më shumë fryt (khr v2). Ati shqetësohet vazhdimisht për marrëdhëniet tona me Jezusin, për të parë nëse jemi vërtet të bashkuar me Të (krh v.4). Na shikon, e shikimi i Tij plot me dashuri na inkurajon ta pastrojmë të kaluarën tonë e të punojmë, në të sotmen, për realizimin e atij uniteti të ardhshëm, të cilin Ai e dëshiron aq shumë.

Edhe ne duhet ta shikojmë me dashuri e ndershmëri të kaluarën tonë, ta pranojmë gabimin e të kërkojmë falje: vetëm Zoti është gjykatësi! E duhet ta pranojmë me të njëjtën ndershmëri e dashuri se ndarja jonë largohej nga intuita origjinale e popullit të Zotit, që dëshiron, natyrisht, të jetë i bashkuar dhe se u  përjetësua historikisht nga njerëz të pushtetshëm të kësaj bote, më shumë se nga populli besimtar, i cili kudo e kurdoherë, ka nevojë të udhëhiqet me siguri e dashuri nga Bariu i tij i Mirë. Me gjithë këtë, nuk mungoi, nga të dyja palët, vullneti i mirë për ta shpallur e për ta mbrojtur fenë e vërtetë. Por jemi të vetëdijshëm edhe se u mbyllëm në vetvete nga frika a paragjykimi përballë fesë, që e shpallin të tjerët, me theks e gjuhë të ndryshme. Papa Gjon Pali II thoshte: “Nuk duhet ta lëmë veten të na udhëheqë ndjeti për t’u bërë gjykatës të historisë, por vetëm nga dëshira për t’i kuptuar më mirë ngjarjet e për t’u bërë mbartës të së vërtetës”(Mesazh Kardinalit Johannes Willebrands, President i Sekretariatit për Bashkimin e të Krishterëve, 31 tetor 1983). Zoti është zotëria i vreshtës që na ushqen e na mbron me dashuri të pafundme: ta lëmë Zotin të na prekë në zemër! Gjëja e vetme që dëshrion prej nesh, është të rrimë të bashkuar si shermend të gjallë me Birin e tij Jezus. Me këtë shikim të ri të së kaluarës, nuk pretendojmë të realizojmë një korrigjim të paaktualizueshëm të asaj që ndodhi, “por ta tegojmë ndryshe këtë histori” (COMMISIONE LUTERANA –CATTOLICA ROMANA PER L’UNITáAaAÀ, nga konflikti, në bashkim, 17 qershor 2013, 16).

Jezusi na kujton: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjn 15,5). Është Ai, që na mbështet e na inkurajon të kërkojmë mënyra për ta bërë unitetin realitet gjithnjë më të dukshëm. Pa asnjë dyshim ndarja ishte burim i pafundmë vuajtjesh e moskuptimesh; por, në të njëjtën kohë, na ndihmoi të fitojmë sinqerisht vetëdijen se pa Të nuk mund të bëjmë asgjë, duke na dhënë mundësinë t’i kuptojmë më mirë disa aspekte të fesë sonë. Me mirënjohje pranojmë se Reforma ndihmoi të vihej më në qendër Shkrimi Shenjt në jetën e Kishës.

Përmes dëgjimit të përbashkët të Fjalës së Zotit në Shkrimet Shenjte, dialogu ndërmjet Kishës Katolike dhe Federatës Luterane Botërore, së cilës po i kremtojmë 50-vjetorin, bëri hapa të rëndësishme. I kërkojmë Zotit që Fjala e Tij të na mbajë të bashkuar, sepse ajo është burim ushqimi e jete; pa frymëzimin e saj nuk mund të bëjmë asgjë.

Përvoja shpirtërore e Martin Luterit na kujton se nuk mund të bëjmë asgjë, pa Zotin. “E si mund ta kem një Zot të mëshirshëm?”. Kjo është pyetja,  që e trazonte vazhdimisht shpirtin e Luterit. E, në të vërtetë, çështja e marrëdhënieve të drejta me Zotin është vendimtare për jetën. Siç dihet, Luteri e zbuloi këtë Zot të mëshirshëm në Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit të mishëruar, të vdekur e të ngjallur. Me konceptin “vetëm përmes hirit hyjnor”, na kujtohet  se Zoti e merr gjithnjë nismën e se i paraprin çdo përgjigjeje njerëzore, në të njëjtin çast, në të cilin njeriu kërkon ta nxisë këtë përgjigje. Doktrina e shfajsimit shpreh thelbin e jetës njerëzore përballë Zotit.

Jezusi ndërhyn për ne si ndërmjetësues pranë Atit dhe e lut për unitetin e dishepujve të tij “Që bota të besojë” (Gjn 17,21). E kjo është që na ballafaqon e na shtyn të bashkohemi me Jezusin për t’i kërkuar me ngulm: “Epnae dhuratën e unitetit, që bota të besojë në pushtetin e mëshirës sate”. Kjo është dëshmia që bota po e pret nga ne! Si të krishterë, do të jemi  dëshmi e besueshme e mëshirës së Zotit, në atë masë, me të cilën falja, përtëritja e pajtimi do të jenë përvojë e përditshme ndërmjet nesh. Së bashku mund ta kumtojmë e ta manifestojmë konkretisht e me gëzim mëshirën e Zotit, duke e mbrojtur e duke i shërbyer dinjitetit të çdo njeriu. Pa këtë shërbim ndaj botës e në botë, feja e krishterë është e paplotë.

Luteranë e katolikë lutemi së bashku në këtë katedrale e jemi të vetëdijshëm se pa Zotin nuk mund të bëjmë asgjë: ta kërkojmë ndihmën e Tij, për të qenë gjymtyrë të gjalla, të bashkuara me Të, gjithnjë nevojtarë për hirin e Tij, që të mund t’ia çojmë së bashku Fjalën e Tij botës, e cila ka nevojë për dashurinë e Tij e për mëshirën e Tij!








All the contents on this site are copyrighted ©.