2016-10-30 15:33:00

Papa në Engjëllin e Tënzot lutet për të dëmtuarit nga tërmeti e u jep zemër të gjithë mëkatarëve


Në Engjëllin e Tënzot, Papa u shprehu afërsinë në lutje popullsive të Italisë qendrore, të dëmtuara përsëri sot në mëngjes nga një prej tërmeteve më të fuqishme të shekullit, që shkaktoi dëme e shkatërrime të pandreqshme, për fat të mirë, pa viktima:

“Lutem për të plagosurit dhe për familjet, që pësuan më shumë dëme, ashtu si dhe për personelin e angazhuar në ndihmë të të dëmtuarve. Zoti i Ngjallur u dhëntë forcë e Zoja i ruajtët”.

Në katekizmin, mbajtur sot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa u ndalua tek takimi i Jezusit me Zakeun, kreun e publikanëve, tagrambledhës. Bashkëpunëtor për romakët, për të vetët ishte kopuk i pasuruar mbi kurriz të popullit! Zakeu - kujtoi Papa - ndonëse dëshironte ta shikonte Mësuesin, nuk guxonte t’i qasej pranë, t’i fliste. Është Jezusi ai, që i afrohet i pari e i flet e i thotë: “Zake, sot do të ndalem në shtëpinë tënde!”. Po ç’e shtynte Zotin të ndalej në shtëpinë e këtij mëkatari:

“Plani i shëlbimit, i mëshirës së Atit. E, në këtë plan, është edhe shëlbimi i Zakeut, njeriut të pandershëm e të përçmuar nga të gjithë, që prandaj ndjen nevojën të bëjë kthesë”.

E Jezusi, i udhëhequr nga mëshira, e kërkonte pikërisht atë:

“Shikimi i Jezusit shkon përtej mëkateve e paragjykimeve, e shikon njeriun me sytë e Zotit, i cili nuk ndalohet tek e keqja e së kaluarës, por tejshikon të mirën e ardhme; Jezusi nuk dorëzohet para mbylljeve, ai hap, gjithnjë – gjithnjë krijon hapësira jete; nuk ndalet tek dukja, po shikon zemrën”.

Nganjëherë ne - vërejti Papa - kërkojmë ta korrigjojmë e ta kthejmë mëkatarin duke e qortuar, duke ia flakur në fytyrë gabimet dhe sjelljen e tij të padrejtë. Ndërsa sjellja e  Jezusit me Zakeun na hap një rrugë tjetër:

“… atë për t’i treguar kujt gabon vlerën e tij, atë vlerë që Zoti vijon ta shikojë, pavarësisht nga gjithçka, pavarësisht nga të gjitha gabimet”.

Është rruga, që na nxit t’u besojmë njerëzve! E pikërisht kjo rrugë i bën të rriten e të ndryshojnë:

“Kështu sillet Zoti me ne të gjithë: nuk bllokohet nga mëkati ynë, por e kapërcen me dashuri e na bën të na marrë malli për të mirën”.

Ç’është e vërteta, të gjithë e kanë këtë mall, duan të gjithë të bëjnë sadopak mirë, pasi kanë gabuar:

“E nuk gjindet njeri në botë që të mos e ketë diçka të mirë në shpirt. Këtë shikon Zoti, për ta nxjerrë jashtë nga e keqja”.

Më pas, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

“… na ndihmoftë ta shikojmë mirësinë që kanë në shpirt njerëzit, të cilët i takojmë çdo ditë, në mënyrë që të gjithë të inkurajohen ta bëjnë të dukshme figurën e Zotit, të vulosur në zemrën e tyre”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku shprehu nderimin e tij për katër martirët e vrarë gjatë shekullit të kaluar në Spanjë, meshtarë benediktinë, të lumnuar dje, në Madrid: Atë José Antón Gómez; Atë Antolín Pablos; Atë Juan Rafael Mariano Alcocer Martínez dhe Atë Luis Eulogio Vidaurrázaga Gómez, duke kujtuar sesa vëllezër e motra persekutohen akoma sot për fenë në të katër anët e botës.

Së fundi, një kërkesë e veçantë e Françeskut, në prag të nisjes për Suedi, për të përkujtuar - katolikë e luteranë, së bashku për herë të parë, 500-vjetorin e Reformës:

“Kërkoj nga të gjithë ju të luteni që ky shtegtim të jetë etapë e re e udhës së vëllazërimit drejt bashkimit të plotë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.