2016-10-30 00:00:00

Fundjave me Papën e Kishën


Vatikan: Papa kremtoi, si zakonisht, në mesditë, lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, nësa përgatitet të niset për një shtegtim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Shkon në Suedi për të marrë pjesë në kremtimet përkujtimore Luterano-Katolike me rastin e 500-vjetorit të Reformës. Është shtegtimi i 17-të Apostolik papnor.  Lutuni për mua – u përsëriti edhe sot shtegtarëve Françesku - duke  i ftuar ta shoqërojnë me uratë në këtë shtegtim ekumenik historik.

Vatikan: Pranë Shtëpizës së Piut IV, në Vatikan, sot u mbajt një takim i madh i të rinjve. U mblodhën nga mbarë bota për të diskutuar e për të shkëmbyer mendimet dhe përvojën, në kuadrin e Objektivave të Zhivillimit të Qëndrueshëm, promovuar nga OKB-ja.

Spanjë: Në Madrid, e pikërisht në bazilikën e Shën Françeskut të Madh,    u kremtua Lutja ndërfetare për paqen. Nisma, me titull “Paqja është emri i Zotit”, u organizua nga familja françeskane, në bashkëpunim me delegacionin dioqezan për marrëdhëniet ndërfetare dhe bashkësinë e Shën Egjidit. E morën fjalën përfaqësues të shquar të besimeve të ndryshme, nga kryipeshkvi i Madridit, tek imami i xhamisë qendrore të Spanjës, kryerabini i bashkësisë hebraike të vendit, përfaqësuesi i Kishës ungjillore spanjolle e përfaqësues të tjerë, ardhur nga Kostandinopoja e Portugalia, Takimi përfundoi me nënshkrimin e thirrjes së Asizit për Paqe.

E po në Spanjë, pikërisht në Madrid, dje u kremtua Mesha për Lumnimin e José Anton Gomez dhe 3 shokëve të tij, Meshtarë të Urdhërit të Shën Benediktit, martirizuar më 1936. I pranishëm, i dërguari i Papës,  kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Shkodër: Ky kremtim na kujton menjëherë një ditë tjetër të lumnueshme, datën 5 nëntor, kur do t’i shikojmë përsëri mes nesh Martirët e Kishës katolike të Shqipërisë, 38, jo më të torturuar e të pushkatuar, por të ngritur në nderimin më të lartë, atë të elterit. Shkodra plakë, e rinuar nga gjaku i derdhur për Krishtin nga bijtë e saj, është në valën e përgatitjes për kremtimin e madh, e në valën e zellit tradicional për të pritur miqtë, që do të vijnë nga të katër anët. Do të vijnë në këtë festë të të gjithë shqiptarëve, që ta gëzojmë së bashku  këtë ditë të lume - me të Lumët e parë, të cilët e dëshmuan me gjak Krishtin gjatë tramundanës komuniste. E kush do ta besonte atëherë kur kriste mitrolozi mbi trupat e tyre... Nuk mund të mos i kujtojmë në këto çaste, fjalët e shqiptuara nga Papa Françesku gjatë vizitës së Tij në Shqipëri, më 21 shtator 2014:

“Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të patrandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar! Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I). Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira".

Shkodra ju pret ta vini lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm mbi eletrin, ku do të lartohen dëshmitarët e saj për Krishtin, ju fton të merrni pjesë në kremtimin e Lumnimit të Martirëve tanë të shtunën më 5 nëntor, në  orën 10.00.

Romë:  dje, në Romë, u kremtua Dita e 9-të për Shoqatat e Tokës Shenjte,  me temë: “Qiell i ri e tokë e re, të krishterët e Tokës Shenjte në Vitin Jubilar të Mëshirës: histori shpresash të afta për të ndërtuar ardhmërinë, pavarësisht nga gjithçka tjetër”. Nisma u promovua nga Rojtaria e Tokës Shenjte.

Torino:  E po dje, në katedralen e Shën Gjon Pagëzuesit, në Torino, Kori i Kapelës Muzikore Papnore Sikstina, nën drejtimin e mjeshtrit, imzot Massimo Palomebella, dha koncertin përfundimtar kushtuar Jubileut të Mëshirës. Në program, fragmente nga muzika gregoriane e 500-tës. U kremtua edhe 25-vjetori i shugurimit ipeshkvnor të imzot Nosiglias.

Ora diellore

Kujdes! Në orën 3.00 përfundoi ora legale e hyri përsëri në fuqi, ora diellore. Akrepat e orëve duhet të jenë kthyer tashmë një orë mbrapa, për t’u vendour në orën 2.








All the contents on this site are copyrighted ©.