2016-10-29 00:00:00

Shenjtorët e javës 30 tetor – 6 nëntor


E diel 30 tetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 31-të gjatë vitit kishtar,  ciklit të tretë. E gjithnjë më 30 tetor kalendari kishtar përkujton edhe shën Gjermanin, ipeshkëv i Kapuas. Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na flet për pasurinë e për të kundërtën e saj, varfërinë dhe kërkon të konvertohemi, të kthehemi, do të thotë, të bëjmë një kthesë në historinë tonë, për ta kuptuar e pranuar dashurinë e tij, e kështu, të mund të gjejmë udhën e lumturisë, edhe në marrëdhëniet tona me të mirat tokësore e me pasurinë. Kështu, liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që jeton me nder e dashuri dhe ecën në udhën e dritën e Zotit.

Të hënën më 31 tetor, sipas kalendarit kishtar bie përkujtimi i shën Alfonsit Rodriguez, rregulltar Jezuit e i shën Kuirinit. Liturgjia e ditës na kujton se Mbretëria e Zotit nuk i ngjet organizmave që rregullojnë jetën tonë tokësore. Mbretëria e Zotit është si fara e vogël e si tharmi që, ndonëse nuk duket, e tharm gjithë brumin. E tillë është edhe forca e dashurisë ndërmjet njerëzve.

Të martën më 1 nëntor, Kisha kremton solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve. Liturgjia e ditës na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.

Të mërkurën e ardhshme më 2 nëntor bie Përkujtimi i besimtarëve të vdekurapo siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”.Liturgjia na kujton se njeriu asgjë nuk do të humbasë në historinë, nëse ka jetuar duke ecur pas Krishtit: të gjithë jemi të Tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin.

Të enjten më 3 nëntor, përkujtohen shën Martini i Porres e shën Silvia, nëna e shën Gregorit të madh.Liturgjia e ditës na kujton se nuk e zgjedhim ne vendin ku do të rrimë në mbretërinë qiellore. Na e zgjedh vetë Hyji Atë. Është Ai, që na ka thirrur, që na jep një vend, një dhuratë. E natyrisht, sa më shumë t’ia besojmë vetveten, aq më e madhe do të jetë dhurata e Tij, të cilën sot për sot nuk jemi në gjendje as ta përfytyrojmë.

Të premten më 4 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë.Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të shtunën më 5 nëntor, do të përkujtohen shenjtorët Domnini, Teotini me shokët martirë.Liturgjia e ditës na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

Të dielën e ardhshme më 6 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 32-të gjatë vitit kishtare e, po më 6 nëntor, kalendari përkujton edhe shën Leonardin vetmitar. Liturgjia e kësaj së diele me psalmin kërkon nga Hyji: Jepi, o Zot shërbëtorit tënd një zemër të përvujtë’: ta përsërisim së bashku këtë lutje që na kujton se feja në Krishtin na bën të lirë, e megjithatë shpesh herë vazhdojmë të jemi skllevër të besëtytnisë e të egoizmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.