2016-10-29 00:00:00

26. Dëshmitarët e fesë: Atë Bernardin Palaj. I gozhduari


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot, në rubrikën tonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën e Atë Bernardin Palajn. I gozhduari

26. Atë Bernardin Palaj (Shllak, Shkodër, 02. 10. 1894 – Shkodër, 08. 12. 1947) frat e poet i madh, do të vdiste në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhës i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, muzikant e pianist i talentuar. Pasardhës i denjë i Fishtës së madh, u mbyt, e u harrua.

Enigmë mbetet deka e Atë Bernardinit. Deri tashti dëshmitë për fundin e tij janë tepër të vorfna. Letra e mbrame, që shkroi, iu drejtue Atë Jakob Marlekajt në kulmin e sulmit të komunizmit mbi institucionet fetare. Ishte si një kushtrim  dalë prej vorrit. Shkruente:

I dashtuni P. Jakob, jena në gazep të Zotit. Thueju miqve t' ikun andej qi t'orvaten me sa të munden për me na pshtue prej këtij kobit. Ka nji ka nji po na qesin faret të gjithve. Bâne të njoftun mjerimin t'onë ku të dijësh.

Të fala B.dini

20. IV. 1946

Letra e masipërme ruhet në fletoren "Histori" të Atë Paulin Margjokajt(AFSH), ku lexojmë edhe dishminë: "Kopjue prej notes: P. Bernardini i pat shkrue P. Jakob Marlekajt në tetuer 1945 prej Oroshit njëkto fjalë: Nji ka nji të tanë intelektualt po na hjekin qafet. Njoftoj (bâni me dije) botës kulturore t'andejshme gjejen e trishtueshme t'onën"

Mos më harro! B."

Pranë këtij shenimi ruhet vetë letra. Dhe shtohet: "Më ka kallëxue edhe Gjoni i Marka Gjonit se P. Bernardini i paska thanë kto fjalë: "Zoti nuk ká si na lshon doret".

Kaq, e ma s' iu ndie zâni. E arrestuen, si të tjerët. Ata që vuejtën me tê kallëxojnë se e lidhen me tel të ndryshkun aq fort, sa teli i hyni në mish e  shkaktoi tetanozin me dhimbje të tmershme. Thohet se e çuen në spital e e flakuen nën shkallë, ku edhe diq.

Kur u përhap lajmi se Atë Palaj nuk ishte ma mes nesh – dëshmon Pater Viktor Volaj,  - u mundova, tue u ruejtë fort, me mbledhë dishmitë e mbrame të jetës së tij. Më thanë se Palaj iu nënshtrue torturave ma mizore, qi njihen në historinë botnore të mundimeve. Se, mbasi e kishin torturue keqas, ashtu tanë varrë, prej nga gurronte gjak, e kishin flakue nën shkallë të burgut, lidhë me tela të ndryshkun. Aty edhe kishte dhanë frymën e fundit, me dhimba të papërshkrueshme, shkaktue prej tetanozit. Mandej kush e di në ç’gropë e flakuen. Mbet pa kangë e pa vorr. Kështu më  kallëxuen. Por një ditë, njeni prej atyne, që ishte torturue bashkë me ‘Zogun e kangëve’, më dha lajmin ma të mnershem. Në sa gjimonte, shtri mbi një dërrasë, nën shkallë, aty pari kishte kalue nji prej kriminelave të sigurimit. Kishte ndigjue gjamën e kishte zdrypë nën shkallë për të shijue prej së afërmit mundimet e Fratit të kangëve. Dërrasa, ku e kishin shtrî, ishte plot me gozhda të ndryshkuna. Atëherë katili zhguli nji gozhdë e, tue marrë një gur aty ngjet, e gozhdoi për dërrasë dorën e djathtë të Fratit, atë dorë që i kishte dhurue Kombit Kangët e Kreshnikëve. Tue gozhdue, kështu, me të, edhe Mujin e Halilin e epet e trimnive të tyne e darsmat e mortet e padeksueme te kanga. Këtë shpërblim i epte Atmja Poetit. Njeriu, qi më kallëxonte, vijon Atë Volaj, shtoi se prej nënshkallës ishte përhapë nëpër korridore nji gjamë e randë, si gjama e motit në bjeshkë, kur e merr fryma rrapin e Jutbinës, këndue me aq art prej atij, qi po diste mbi një dru, me dorën e djathtë të gozhdueme, si dora e Krishtit. Atë Zef Pllumi, një nga dëshmitarët e rrallë të kohëve tragjike, mbetë gjallë vetëm për të tregue, shkruen kështu për fundin e Atë Palajt: "Atë Bernardini mbaroi tragjikisht në burgun e Sigurimit të Shtetit komunist në vitin 1946".

Sigurisht që gjatë hulumtimeve për lumnimin e tij, duhet të kenë dalë në dritë dëshmi të reja. Urojmë, sidomos, t'i gjinden eshtënt-relike. Do të ishte figura ma e përshtatshme për t'u njohë si Pajtor i Rapsodëve, i  Poetëve  e i Muzikantëve shqiptarë. Në se nuk asht ma shenjti ndërmjet artistave, sigurisht do të jetë ma artisti ndërmjet shenjtënve.

Sipas veprës së Atë Daniel Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012








All the contents on this site are copyrighted ©.