2016-10-28 14:24:00

Papa në Suedi më 31 tetor e më 1 nëntor për 500-vjetorin e Reformës dhe për meshën me katolikët


Papa Françesku do të shkojë në Suedi më 31 tetor për të marrë pjesë në një ceremoni të përbashkët të Kishës Katolike me Federatën Luterane Botërore, në program në Lund, në përkujtim të 500-vjetorit të Reformës Protestante, që bie në vitin 2017.

Kremtimi i përbashkët, që do të kryesohet nga vetë Ati i Shenjtë Françesku, nga kreu i Federatës Luterane Botërore, ipeshkvi Munib A. Younan dhe nga sekretari i saj i përgjithshëm, rev. Martin Junge, do të verë në dukje hapat e qëndrueshme ekumenike ndërmjet katolikëve dhe luteranëve dhe dhuratat e çmueshme, që ka sjellë dialogu për të dyja palët. Fjala është për një lutje të përbashkët, sipas një doracaku liturgjik, përgatitur kohët e fundit nga katolikët e luteranët.

Në një komunikatë katoliko-luterane, kohë më parë, u shpjegua se kremtimi është pjesë e procesit të zbatimit të dokumentit të vitit 2013 “Nga konflikti tek bashkimi”, që përbën përpjekjen e parë të bashkësive katolike e luterane për të përshkruar së bashku, në nivel ndërkombëtar, historinë e Reformës dhe qëllimet e saj.

Lutja e përbashkët, në qendër të kremtimit, bazohet mbi këtë dokument dhe përmban temat e falënderimit, të pendesës e të impenjimit për dëshminë e përbashkët të Krishtit, duke synuar paraqitjen e dhuratave të Reformës dhe kërkimin e faljes për ndarjet e shkaktuara nga mosmarrëveshjet teologjike.

Viti 2017 përkon edhe me 50-vjetorin e dialogut ndërkombëtar katoliko-luteran, nga i cili kanë rrjedhur rezultate të rëndësishme ekumenike, si “Deklarata e përbashkët për Doktrinën e Justifikimit”, nënshkruar në vitin 1999. Ajo hodhi poshtë mosmarrëveshje të lashta, që me shekuj i kanë ndarë katolikët e luteranët në konceptimin e të vërtetave themelore të Doktrinës së Justifikimit, në qendër të Reformës së shekullit XVI.

Kështu pra, një faqe e re historike do të shkruhet më 31 tetor e më 1 nëntor në Suedi, gjatë vizitës së Papës Françesku për kremtimin ekumenik luterano-katolik të 500-vjetorit të Reformës Protestante. Dy janë çastet, që do të karakterizojnë përkujtimin e 500-vjetorit të Reformës Protestante: liturgjia ekumenike në Katedralen suedeze të Lundit dhe një takim publik në stadiumin e Malmos.

Në ngjarjet në Lund do të marrë pjesë edhe Papa Françesku. Programi i plotë i udhëtimit të Atit të Shenjtë në Suedi, u njoftua nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit Burke,  e do të përfshijë edhe kremtimin eukaristik me bashkësinë katolike, paraditen e 1 nëntorit.

Kremtimet e përbashkëta luterano-katolike, synojnë të nxjerrin në pah 50 vjet bashkëpunimi e dialogu ekumenik, si edhe dëshminë e përbashkët të krishterë, duke kërkuar falje për ndarjen ndërmjet dy traditave.

Katedralja e Lundit, pra, do të jetë vendi, ku do të zhvillohet lutja e përbashkët ekumenike, bazuar në udhëzuesin liturgjik katoliko-luteran, publikuar kohët më parë, me titull “Lutja e Përbashkët”. Ai e ka bazën në dokumentin “Nga konflikti tek bashkimi”.

Ndërkaq, stadiumi i Malmos do të jetë skenari, ku do të zhvillohen të gjitha veprimtaritë kushtuar dëshmisë së përbashkët të katolikëve dhe të luteranëve në botë. Stadiumi mund të mbajë deri në 10 mijë vetë.

“Kur bashkësitë marrin udhën, që i çon larg konflikteve, aty marrin edhe forcën. Në Krishtin, inkurajohemi t’i shërbejmë së bashku botës. Përkujtimi i përbashkët është dëshmi e dashurisë dhe e shpresës, që kemi të gjithë për meritë të Hirit të Tënzot”, deklarojnë kryetari i Federatës luterane e dhe sekretari i saj i përgjithshëm.

Ndërkaq, kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, shpjegon: “Duke u përqendruar së bashku në temën qendrore, që ka të bëjë me Zotin dhe me qasjen Kristocentrike, luteranët dhe katolikët mund ta përkujtojnë me ekumenizëm Reformën, jo thjesht në mënyrë pragmatike, por duke përjetuar thellësisht fenë në Krishtin e kryqëzuar e të ringjallur”








All the contents on this site are copyrighted ©.