2016-10-28 14:23:00

Papa: Kisha ka nevojë për ata që luten në heshtjen e klauzurës


Asnjë frikë nga larmia, që vjen nga Shpirti Shenjt: këtë nënvizoi Papa duke u folur pjesëmarrësve në kuvëndimin ndërkombëtar të mëkëmbësve apostolikë për jetën  rregulltare. Kisha - pohoi më pas - ka nevojë për ata, që luten në heshtjen e plotë  jetës murgare.

Shpirti Shenjt fryn ku do e kur do

“Jeta e kushtuar është kapital shpirtëror, që kontribuon për të mirën e gjithë Korpit të Krishtit - pohoi Papa - i cili i inkurajoi barinjtë të tregojnë zell të veçantë në nxitjen e karizmave të ndryshme, si të lashta, ashtu edhe të reja. Vijojnë të lindin institute të ndryshme të jetës rregulltare, sepse Shpirti Shenjt nuk pushon së frymëzuari atje ku dëshiron e kur dëshiron”. Njëkohësisht Papa i fton ipeshkvijtë të mos “i thjeshtojnë tepër gjërat”, në çastin kur bëhet fjalë për ngritjen e ndonjë instituti të ri në Kishën e tyre të veçantë, sepse marrin mbi vete përgjegjësinë në emër të Kishës universale.

Autonomi e drejtë, por jo trashëgimi e mbyllur

Papa kujton se autonomia e drejtë e rregulltarëve nuk duhet ngatërruar me izolimin dhe pavarësinë. Rregulltarët - nënvizoi - nuk janë “trashëgim i  mbyllur”, por pjesë e integruar në Korpin e Kishës, e tërhequr drejt qendrës, që është Krishti.

Nuk ka marrëdhënie të vërteta, ku njëri komandon e tjetri nënshtrohet

Duke kujtuar, pastaj, marrëdhëniet e ndërsjellta ndërmjet barinjve e rregulltarëve, Papa nënvizoi vlerën e reciprocitetit:

“Nuk mund të ketë marrëdhënie të ndërsjellta atje, ku disa komandojnë e të tjerët nënshtrohen nga frika ose nga leverdia. Marrëdhënie të ndërsjellta ka, ndërkaq, atje ku kultivohet dialogu, dëgjimi respektues, mirëpritja e anasjelltë, takimi e njohja, kërkimi i përbashkët i së vërtetës, dëshira për bashkëpunim vëllazëror, për të mirën e Kishës, që është shtëpia e bashkimit”.

Nuk duhet pasur frikë prej larmive, që vijnë nga Shpirti Shenjt

E gjithë kjo - shtoi Papa - është nën përgjegjësinë si të barinjve, ashtu edhe  të rregulltarëve:

“Të gjithë jemi të thirrur, në këtë kuptim, të jemi ‘papë’, ndërtues urash. Koha jonë kërkon bashkim në respekt e larmi. Nuk kemi frikë nga larmia, që vjen prej Shpirtit Shenjt”.

Motrat e klauzurës, pishtarë që shoqërojnë udhën e njerëzimit

Së fumdi Papa kërkoi të tregohet një vëmendje e veçantë për motrat kundruese: kjo formë e ndjekjes së Krishtit, e rrënjosur në heshtje e mbyllje - tha - përfaqëson në Kishë e për Kishën zemrën lutëse, është rojtare e dhurimit falas dhe e pjellorisë apostolike, që lind fryte shumëformëshe të çmuara hiri, mëshire e shenjtërie:

“Kisha, edhe Kisha e veçantë, ka nevojë për këta fanarë, që tregojnë udhën për të arritur në port, për këto pishtarë, që e shoqërojnë shtegtimin e burrave e të grave në natën e errët të kohës, për këto roje agimesh, që kumtojnë lindjen e diellit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.