2016-10-28 13:10:00

Papa: Jezusi që lutet për ne, është themel i jetës sonë


Themeli i jetës sonë si të krishterë është Jezusi, që lutet për ne. Këtë pohoi Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa nënvizoi se çdo rrugë e zgjedhur nga Jezusi, çdo gjest i Tij, deri edhe fundi i jetës së tij tokësore në Kryq, dallohet nga lutja. Prej këndej, Papa  i nxiti të krishterët të kenë besim në lutjen e Zotit.

Jezusi, pasi u lut gjatë e me gjithë shpirt, zgjodhi dishepujt. Papa Françesku u ndalua tek fragmenti i Ungjillit të sotëm, për ta vënë theksin mbi atë, që është themeli i jetës sonë të krishterë.

Guri i themelit  i Kishës është Jezusi, që lutet për ne përballë Atit

Guri i këndit, i themelit – nënvizoi Papa, duke kujtuar fjalët e Shën Palit – është vetë Jezusi. Pa Jezusin nuk ka Kishë, por, vërejti Françesku, fragmenti i Ungjillit të Shën Lukës shton një hollësi, që duhet të na bëjë të reflektojmë:

“Jezusi shkoi mbi mal për t’u lutur dhe e kaloi gjithë natën duke iu lutur Zotit’. E më pas, vjen gjithçka tjetër: njerëzit, zgjedhja e dishepujve, shërimet, dëbimi i djajve... Guri i këndit është Jezusi: po, por Jezusi që lutet. Jezui lutet. U lut e vijon të lutet për Kishën. Guri i themelit i Kishës është Zoti para Atit, që ndërmjetëson për ne, lutet për ne. Ne i lutemi Atij, por themeli është Ai, që lutet për ne!”.

Siguria jonë është Jezusi, në lutje për secilin nga ne

Jezusi - vijoi Ati i Shenjtë -  është lutur gjithnjë për të tijtë, edhe në Darkën e Mbrame. Jezusi - shtoi - para se të bënte ndonjë mrekulli, lutej. Të mendojmë për ringjalljen e Lazrit:

“Mbi Malin e Ullinjve Jezusi lutet; mbi Kryq shuhet duke u lutur; jeta e Tij përfundoi në lutje. Kjo është siguria jonë; ky, themeli ynë; ky, guri i themelit: Jezusi, që lutet për ne! Jezusi, që lutet për mua! E secili nga ne mund ta thotë këtë: - jam i sigurt, e sigurt se Jezusi lutet për mua; është para Zotit e po i kujton emrin tim, shqetësimet e mia, nevojët që kam! Ky, guri i këndit i Kishës: Jezusi në lutje!”.

Reflektojmë mbi misterin e Kishës, themeluar nga Jezusi që lutet

“Të mendojmë për atë hap, para Mundimeve - tha Françesku – kur Jezusi i drejtohet Pjetrit, duke i bërë këtë vërejtje: “Pjetër, Pjetër, Shejtani ka marrë leje me të shoshitë, si grurin. Po unë u luta për ty, që feja jote të mos të mungojë”:

“E këtë, që ia tha Pjetrit, ta thotë edhe ty, e ty, e ty, e mua, e të gjithëve: ‘U luta për ty, unë lutem për ty, unë tani po lutem për ty’, e kur vjen mbi elter, Ai vjen për të ndërmjetësuar, për t’u lutur për ne. Ashtu si u lut mbi kryq. E kjo na mbush përplot me siguri. Unë i përkas kësaj bashkësie, të patundur, sepse ka si gur themeli Jezusin, Jezusin që lutet për mua, që lutet për ne. Sot do të na bëjë mirë të mendojmë për Kishën, të reflektojmë për këtë mister të Kishës. Jemi të gjithë si një ndërtesë, por themeli është Jezusi, është Jezusi, që lutet për ne. Jezusi, që lutet për mua!".








All the contents on this site are copyrighted ©.