2016-10-28 10:49:00

Papa Françesku: tronditëse, të shlyesh ndryshimet seksuale


Bukuria e planit të Zotit mbi martesën dhe mëshira për familjet e plagosura, sfidat e teknologjive të reja dhe e ideologjisë shqetësuese gender: këto, temat që preku Papa në takimin me Institutin Papnor “Gjon Pali II” për Studimet mbi Martesën dhe Familjen, me rastin e Vitit të ri akademik.

Kriza e familjes: mbizotëron gjithnjë më shumë fjala “unë” mbi fjalën “ne”

Sot lidhjet bashkëshortore e familjare vihen në provë në njëmijë mënyra. Papa niset nga reflektimi mbi kulturën e sotme, që larton individualizmin narcizist, koncept ky i lirisë së shkëputur nga përgjegjësia për tjetrin, mbi thellimin e indiferencës për të mirën e përbashkët, imponimin e ideologjive, që e sulmojnë drejpërdrejt projektin familjar, ashtu si edhe mbi thellimin e varfërisë, që e kërcënon ardhmërinë e shumë familjeve:

“Janë, pastaj, edhe çështjet e hapura nga zhvillimi i teknologjive të reja – nënvizoi Papa – që i bëjnë të mundshme praktikat, nganjëherë në konflikt me dinjitetin e vërtetë të jetës njerëzore! Fiton gjithnjë më shumë epërsi  “un”, përmbi “ne”, individi, përmbi shoqërinë. “Është një rezultat që i kundërvihet planit të Zotit, i cili ia besoi botën dhe historinë, besëlidhjes së burrit me gruan”.

Ideologjia gender, shqetësuese

Pa kujtuar, këtu, drejtpërdrejt ideologjinë gender, Papa flet për nevojën “e njohjes së ndryshimit ndërmjet burrit e gruas, parë si pasuri e premtim, jo si shkak për nënshtrim  e shpërdorim”. Pranimi i dinjitetit të burrit e gruas kërkon të vlerësohen  drejt marrëdhëniet e tyre reciproke. E si mund ta njohim me fund humanizmin konkret, me të cilin jemi gatuar, nëse nuk e kuptojmë përmes këtij ndryshimi?”.

Është e pamundur të mohohen arritjet e kulturës moderne në zbulimin e dinjitetit të ndryshimeve seksuale. Prej këndej, është edhe shqetësuese të vëresh se sot kjo kulturë duket si e bllokuar nga prirja për ta shlyer ndryshimin, në vend që të zgjidhë problemet, që e lëndojnë”.

Në të vërtetë – vijon Papa – kur punët ndërmjet burrit e gruas shkojnë mirë, edhe bota e historia shkojnë fare mirë. Në rast të kundërt, bota pushon së qeni mikpritëse e historia ndalet në vend!

Bukuria e martesës dhe mëshira për familjet e plagosura

Dëshmia e bukurisë të përvojës së krishterë të familjes - nënvizon Françesku – duhet të na frymëzojë shumë më tepër; njëkohësisht është  e nevojshme të ketë dhembshuri të madhe e mëshirë të madhe për ligështinë dhe rrezikun e gabimeve, që mund ta cënojnë dashurinë ndërmjet njerëzve, por pa u nënshtruar përballë dështimit njerëzor, për ta mbështetur kështu planin hyjnor mbi familjen, “ikonë e besëlidhjes së Zotit me mbarë familjen njerëzore”:

“Është e drejtë të pranojmë se nganjëherë kemi paraqitur një ideal teologjik tepër abstrakt të martesës, gati-gati të ndërtuar artificialisht, larg situatave konkrete e mundësive reale të familjeve, kështu siç janë. Ky idealizim i tepruar, posaçërisht kur nuk kemi rizgjuar besimin në hirin hyjnor, nuk e ka bërë aspak më të dëshirueshme e më tërheqëse martesën: krejt përkundrazi” (Esort. Ap,. Postsin. Amoris laetitia, 36).

Afërsia e Kishës

Takimi i dyfishtë sinodal kushtuar familjes – vërejti në vijim Papa – tregoi se duhet zgjeruar kuptimi dhe kujdesi i Kishës për këtë mister të dashurisë njerëzore, përmes të cilit  bën udhë dashuria e Zotit për të gjithë. Në këtë kuptim, tema baritore e sotme nuk është vetëm  ajo e largimit të shumkujt nga ideali dhe praktika e së vërtetës së krishterë mbi martesën e familjen; më vendintare akoma bëhet tema e “afërsisë së Kishës”:

“Afërsi ndaj breznive të reja të bashkëshortëve, që bekimi i lidhjes së tyre t’i bindë gjithnjë më shumë dhe t’i shoqërojë, e afërsia në situatat e ligështive njerëzore, që hiri të mund t’i shpëtojë, t’i rigjallërojë, t’i shërojë. Lidhja e pazgjidhshme e Kishës me bijtë e saj është shenja më transparente e dashurisë besnike dhe e mëshirës së Zotit”.

Teologjia e baritoria shkojnë krah për krah

Papa Françesku kujton, në përfumdim, se teologjia e baritoria shkojnë krah për krah: “Nuk duhet harruar se edhe teologëve të mirë, ashtu si barinjve të  mirë,  u vjen era e popullit të rrugëve e, me reflektimin e tyre, hedhin vaj e  verë mbi plagët e njerëzve”:

“Një doktrinë teologjike që nuk përpiqet të orientohet e të plazmohet nga qëllime ungjillëzuese e nga kujdesi baritor i Kishës, është po aq e pamendueshme, sa bartoria e Kishës, që nuk do të dinte të përfitonte nga zbulesa dhe nga traditat e saj, lidhur me inteligjencën dhe  transmetimin më të mirë të fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.