2016-10-28 12:43:00

Më 28 tetor, kalendari kishtar kujton Shën Simon Zelotin e Shën Judë Tadeun, apostuj e martirë.


Më 28 tetor, kalendari kishtar përkujton  Shën Simon Zelotin dhe Shën Judë Tadeun, apostuj e martirë. Shën Simoni i ditës së sotme është i dyti me këtë emër ndër dishepujt e Jezusit. I pari ishte Simoni, të cilit Jezusi vetë ia ndërroi emrin e ia bëri “Çefa”, domethënë Pjetër. Ndërsa Simoni që përkujtojmë sot quhej ndryshe Kananitasi, ose Zeloti. Emri i tij del në listat e apostujve, por Libri i Shenjtë nuk na jep ndonjë hollësi mbi të. E kështu që nuk dihet asgjë e sigurtë në lidhje me këtë apostull. Sipas traditës ka qenë misionar si gjithë apostujt e tjerë, madje disa janë të mendimit se pati arritur deri në Angli për ungjillëzim dhe se më pas u martirizua nga Persët.

Po ashtu edhe Shën Juda Tade, nuk duhet ngatërruar me Judë Iskariotin i cili e tradhëtoi Jezusin. Përkundrazi Shën Juda, i mbiquajtur “Tade” – nga fjala aramaike “Thad”, që do të thotë i ëmbël, i mëshirshëm, i dashur, zemërgjerë, ishte vëllai i Jakut, apostullit tjetër. Të dy këta ishin të bijtë e Alfeut dhe Marisë të Kleofës. Alfeu vetë ishte vëllai i Shën Jozefit, prindit e kujdestarit të Jezu Krishtit. Kështu që Juda Tade dhe Jaku mund të quhen kushërinj të Jezusit.
Judën Tade e njohim nga pyetja që i drejton Jezusit gjatë Darkës së Mbrame (Gjn, 14.24: “Zot, pse duhej që ti të na shfaqeshe ne e jo të gjithë botës?”, por edhe nga letra e tij ku qorton nxitësit e ngatërresave të cilët i quan “re pa shi që era i çon andej e këndej.” Sidoqoftë, Shën Juda Tade, ndonëse nderohet pak, është një nga shenjtërit me fuqi të jashtëzakonshme, dhe tradita e quan Pajtor të Pastrisë dhe të Çështjeve që duken të Pazgjidhshme. E në fakt tradita nuk gabon sepse vetë Jezusi, kur iu shfaq në vegim Shën Brigjidës, e cila gjendej në një hall të madh, i tha t’i drejtohej këtij Shenjti që të ndërhynte për të. Shën Brigjida iu lut Shën Judës Tade dhe sakaq problemi që e mundonte u zgjidh.

 Apostujt Simon Kananeun e Juda Tadeun!
"Zoti ynë Jezu Krishti caktoi udhëheqësit, mësuesit e botës dhe përhapësit e mistereve të tij hyjnore. Deshi që ata të shkëlqenin si pishtarë e të ndriçonin jo vetëm viset e Judenjve, por mbarë botën. Apostujt e Krishtit qenë shtyllat dhe themelet e së vërtetës”. Këtë bindje, që e kanë të gjithë të krishterët, e patën posaçërisht të krishterët e bashkësive të para, shumë prej të cilëve u pagëzuan drejtpërdrejtë nga apostujt. Apostuj ishin edhe Juda e Simoni, të cilët Kisha katolike i përkujton në të njëjtën ditë. Simoni mbiquhej "kananeu" ose "zelota" do me thënë "zelltari", për të treguar se bënte pjesë në krahun më të skajshëm të grupimit fetar hebraik. Në listën e apostujve, hartuar nga Shën Mateu ungjilltar, ai zë vendin e dhjetë.
Kisha përkujtoi sot edhe Judën. Natyrisht nuk është fjala as për Judën Makabe, të Testamentit të Vjetër e as për Judën Iskariot, të Testamentit të Ri, atë që tradhtoi Krishtin.
Fjala është për Judën Apostull e Shenjtor. Emri Judë në kohën e Krishtit ishte shumë i përhapur ndër Judenj. Sipas historianit Niçefor Kalisti, Juda Apostull, pajtor i njerëzve që ndodhen në situata të dëshpëruara, ungjillëzues i Palestinës, Sirisë e ndoshta edhe i Mesopotamisë, u varros në Persi. Pra, Simon Kananeu e Juda Tadeu, apostuj, na kujtojnë se Jezu Krishti i zgjodhi nxënësit dhe bashkëpunëtorët e vet nga shtresa të ndryshme shoqërore e fetare, pas bërë asnjë përjashtim, sepse Atij i interesojnë njerëzit, jo kategoritë shoqërore apo etiketat. Ishte Jezusi që i bashkonte, që i bënte ta ndjenin veten si një njeri i vetëm. E ky është një mësim i vërtetë për ne, që shpesh kemi prirjen të nënvizojmë ndryshimet e ndoshta edhe kundërshtimet, duke harruar se në Jezu Krishtin na jepet forca për t’i zgjidhur konfliktet tina.








All the contents on this site are copyrighted ©.