2016-10-27 14:08:00

Papa pranë të dëmtuarve nga tërmeti në Qendër të Italisë


Më se 200 lëkundje, që nga ora 19.10 e djeshme, domethënë që kur toka nisi përsëri të dridhej në Qendër të Italisë. Papa Françesku u shprehu menjëherë afërsinë e tij popullsive të dëmtuara:

“Jam, me lutje, pranë njerëzve të dëmtuar përsëri nga tërmeti, në Qendër të Italisë”. Kështu shkruan në Twitter@Pontifex Papa Françesku, duke marrë pjesë në vuajtjen e popullsive të goditura përsëri nga lëkundjet e tokës. Pas tërmetit të 24 gushtit, dje toka nisi të lëkundej në orën 19.10, me një lëkundje prej 5,4 ballësh; më pas, në orën 21.18, me lëkundje prej 5,9 ballësh, e akoma në orën 23.42, me madhësi 4,6 ballësh. Epiqendra ishte në Castelsantangelo sul Nera, Visso e Ussita, në Marche - e Preci, në Umbria. Sot paradite, pak pas orës 10.30, një lëkundje tjetër prej 4,4 ballësh u ndje në të njëjtën zonë ku, sipas njoftimit të kryebashkiakut të Ussitës, “80% e banesave tashmë janë të pabanueshme.

Njerëzit e kaluan natën të pushtuar nga frika, nën një shi të akullt, në parafabrikatet e ngritura gjatë tërmetit të ’97-tës, nën strehët që munden të gjejnë e edhe në autot e tyre. Tani për tani dëmet në njerëz janë të kufizuara. Vetëm një burrë, me moshë 73 vjeç, vdiq nga infarkti, i tmerruar prej tërmetit. Disa të tjerë janë të plagosur lehtë. Dëmet më të mëdha i pësuan përsëri ndërtesat, sidomos në Marche, ku u evakuan tre spitale, e edhe në viset tjera të prekura nga lëkundjet. Për t’u shënuar se u dëmtua edhe burgu i Camerinos. Disa zona janë ende pa dritë e pa telefon. Pasdite kryeministri Renzi vizitoi zonat e goditura nga kjo fatkeqësi e përsëritur e natyrës.








All the contents on this site are copyrighted ©.