2016-10-27 13:22:00

Papa: edhe sot Zoti qan përballë fatkeqësive të natyrës e luftërave


Edhe sot, përballë fatkeqësive të natyrës e luftërave, të luftuara për të adhuruar “hyjin para”, përballë njerëzve të pafajshëm, të vrarë nga bombat, Zoti qan. E tha këtë Papa, në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. “Zoti qan - vijoi Françesku - qan për njerëzimin, që nuk e kupton paqen, të cilën Ai ia ofron, paqen e dashurisë”.

Në Ungjillin e ditës, Jezusi e quan Herodin “dhelpër”, pasi disa nga farizenjtë i tregojnë se mbreti donte ta vriste. E thotë atë, që do të ndodhë: ‘Përgatitet të vdesë”. Më pas i drejtohet Jeruzalemit, të mbyllur në vetvete, qytetit, që i vret profetët e dërguar në gjirin ne tij:

“Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen! Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klluka i bashkon nën krahë zogjtë e vet ... e ju nuk deshët! Mirë, pra, ‘shtëpia juaj do t’ju lihet juve!’ Jo po, unë po ju them: nuk do të më shihni më deri [që të vijë dita] të thoni: Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit’!”.

Dikush ka thënë se Zoti u bë njeri, që të mund të qante, të qante për atë që kishin bërë bijtë e tij. Lotët para varrit të Lazrit janë lot miku. Ky është vaj i Atit.

Mendimi të shkon menjëherë tek djali plangprishës, tek çasti kur ai kërkon pjesën e trashëgimit e niset. Ky atë nuk shkoi tek fqinjët e nuk u tha: “Po shihni, shihni, ç’më gjeti! Shihni ç’më bëri ky faqezi! Që qoftë mallkuar!”...Nuk e bëri këtë - vijoi Papa. - Jam i sigurt! Ndoshta shkoi e qau në vetmi:

“E pse e them këtë? Sepse Ungjilli nuk e thotë, thotë se kur i biri u kthye, i ati e pa nga larg: e kjo tregon se babai ngjitej vazhdimisht mbi tarracë e shikonte rrugën, me shpresë se biri i humbur do të rikthehej. E një atë, që e bën këtë, është atë, i cili jeton i përlotur, në pritje t’i kthehet prap i biri. E ky është vaji i Hyjit Atë. E me këtë vaj, Ati rikrijon, në Birin e vet, mbarë gjithësinë”.

Mendimi i Françeskut shkoi edhe tek çasti kur Jezusi, me kryqin mbi shpinë ngjitet mbi Malin e Kalvarit e grave të përshpirtshme, që qanin, u thotë të mos qajnë mbi Të, por mbi bijtë e tyre. Ishte, prandaj, vaj ati e nëne, që Zoti vijon ta bëjë edhe sot e kësaj dite:

“Edhe sot, përballë gjëmëve të natyrës, luftërave që bëhen për të adhuruar Hyjin parà, përballë gjithë atyre njerëzve të pafajshëm që vriten nga bombat e flakura prej adhuruesve të idhullit parà, edhe sot Ati qan, edhe sot thotë: ‘Jeruzalem, Jeruzalem, bijtë e mi, ç’po bëni kështu?’. E ua thotë viktimave të varfra e edhe tregtarëve të armëve e të gjithë atyre, që shesin jetën e njerëzve. Na bën mirë të mendojmë se Ati ynë Zot u bë njeri, që të mund të qante e na bën mirë të mendojmë se sot Ati ynë Zot vajton: vajton për këtë njerëzim, që nuk arrin, më në fund, ta kuptojë se Ai na ofron paqen e dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.