

Duke vënë në jetë marrëveshjet e arritura nga Takimi i pestë i Grupit të përbashkët të punës Vietnam-Seli e Shenjtë në Hanoi (shtator 1914), u mbajt në Vatikan, nga 24 deri më 26 tetor, takimi VI i këtij grupi. Takimin e kryesuan bashkërisht kryetari i delegacionit vitnamez, zoti Bui Thanh Son, zëvendës-Ministër i Përhershëm i Punëve të Jashtme dhe imzot Antoine Camilleri, zëvendës-sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.
Të dyja palët shkëmbyen gjerësisht mendime për çështjet, që kanë të bëjnë me Kishën katolike në Vietnam.
Pala vietnameze pohoi se vërehet një përmirësim i vazhdueshëm dhe konkret në planin ligjor e politik si përsa i përket promovimit dhe mbrojtjes të lirisë së besimit e të fesë të qytetarëve, ashtu edhe inkurajimit të vazhdueshëm të pjesëmarrjes së Kishës katolike në problemet kombëtare, që kanë të bëjnë me zhvillimin shoqëroro-ekonomik.
Selia e Shenjtë, duke ripohuar lirinë e Kishës për ta çuar përpara misionin, për të mirën e mbarë shoqërisë, vlerësoi qeverinë vietnameze për vëmendjen që po i kushton nevojave të Kishës katolike, siç e dëshmoi, kohët e fundit, përurimi i Institutit Katolik të Vietnamit, si dhe për asistencën në organizmin e ceremonive dhe të ngjarjeve të rëndësishme kishtare.
Të dyja palët u morën vesh që Kisha katolike në Vietnam të vijojë të frymëzohet nga magjisteri i Kishës lidhur me praktikën e të jetuarit të Ungjillit brenda kombit, duke qenë besimtarët e saj njëkohësisht katolikë e qytetarë të mirë. Pasi u ripohua se Papa Françesku interesohet shumë për zhvillimin e marrëdhënieve Vietnam-Seli e Shenjtë, Selia Apostolike uron që bashkësia katolike të vijojë të japë kontributin e saj të çmuar, në bashkëpunim me autorët e tjerë të shoqërisë vietnameze.
Të dyja palët pohuan se marrëdhëniet Vietnam - Seli e Shenjtë vijojnë të përparojnë përmes takimeve e këshillimeve të rregullta, shkëmbimit të delegacioneve të nivelit të lartë dhe vizitave të vazhdueshme baritore të Përfaqësuesit dhe të dërguarit të posaçëm jo rezident papnor në Vietnam.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |