2016-10-26 13:50:00

Papa: jo mureve, pritja e emigrantëve e parfumon shpirtin


 “Solidariteti ndaj emigrantëve na e mbush shpirtin me erë të mirë e na bën të ndryshojmë”. Kështu u shpreh Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku vijoi katekizmin kushtuar veprave të mëshirës, duke u kërkuar gjithë të krishterëve t’i mikpresin emigrantët, shtegtarë që detyrohen të ikin nga kushtet e një jete çnjerëzore.  Ky i shtegtimit - kujtoi Papa - është fenomen që bën pjesë në historinë e njerëzimit qysh në kohën e Abrahamit. E Françesku dha një shembull prekës e konkret, për të treguar se mikpritja e të huajit ta shndërron zemrën. Të shumtë, besimtarët dhe shtegtarët e pranishëm, edhe pse ishte ditë me shi.

Të mendosh se shtegtimi i popujve dhe i njerëzve të veçantë është fenomen i viteve tona, do të thotë të mos e njohësh historinë: ai është pjesë e përhershme përbërëse e historisë së njerëzimit, qysh në zanafillë të saj.  Këtë kujtoi Papa e, në vijim, nënvizoi aktualitetin e fenomenit, duke kujtuar edhe shkaktarët e tij: krizën ekonomike, ndryshimet klimaterike dhe  konfliktet  e armatosura.

Katekizmin e sotëm Papa e nisi me fjalët e Jezusit: “Isha i huaj, e më strehuat; i zhveshur, e më veshët”. Vetë Bibla na jep një mori shembujsh: nga Abrahami, tek populli i Izraelit, që lë Egjiptin, e deri tek Familja Shenjte, e cila ikën nga Herodi. Historia e njerëzimit është histori  shtegtimesh: në të katër anët e dheut, nuk ka popull që s’e njohu fenomenin e shtegtimit.

Përgjigjja është solidariteti. Mbyllja favorizon trafikë kriminalë

Në rrjedhë shekujsh ka pasur vazhdimisht shprehje solidariteti, edhe pse nuk kanë munguar kurrë tensionet shoqërore. E sot kriza ekonomike  favorizon lindjen e sjelleve të mbylljes, ndërsa përgjigjja e vetme, që duhet dhënë, është solidariteti:

“Në disa vise të botës lindin mure e pengesa. Të duket nganjëherë se vepra e heshtur e shumë burrave dhe grave të cilët, në mënyra të ndryshme, përpiqen për t’i ndihmuar e për t’ju gjendur pranë refugjatëve e emigrantëve, errësohet nga zhurma e të tjerëve, që i japin zë egoizimit instinktiv. Por mbyllja nuk është rrugëzgjidhje, përfundon me favorizimin e trafikëve kriminalë. E vetmja rrugë, është ajo e solidaritetit”.

Papa u kërkon gjithë të krishterëve mikpritje

Angazhimi i të krishterëve në këtë fushë sot, është urgjent, ashtu siç ishte edhe në të kaluarën - nënvizoi Françesku. - E, si shembull, kujtoi Shën Françeskën Kabrini, që ia kushtoi gjithë jetën emigrantëve në SHBA, ndërmjet fundit të tetëqindës e fillimit të nëntëqindës. Prej këndej Papa u kërkoi gjithë të krishterëve ta strehojnë njeriun, që ikën nga kushte çnjerëzore jetese, siç janë luftërat, uria e dhuna:

“Dioqezet, famullitë, institutet e jetës së kushtuar, shoqatat e lëvizjet, si dhe çdo i krishterë, që të gjithë janë të thirrur t’i mikpresin shtegtarët” - pohoi Papa.

Refugjati i zbathur, që ia shndërron zemrën taksistit

Prej këndej, siç bën shpesh, Papa deshi ta konkretizojë këtë ftesë me një shembulll. Tregoi, prandaj, historinë e një emigranti që, rastësisht u takua në udhë me një zonjë. Ishte i zbathur e, ashtu siç ishte, donte të arrinte tek Porta Shenjte, në Shën Pjetër. Morën një taksi së bashku. E, rrugës, burri i zbathur i rrëfei zonjës historinë e tij: histori dhimbjeje, lufte, urie. I tregoi ç’e kish shtyrë të ikte nga atdheu e të shtegtonte deri këtu. Kur arritën, zonja hapi çantën për të paguar taksistin, por ai, burri që në fillim nuk e deshi emigrantin në taksinë e tij, sepse i vinte erë e keqe,  gjegji: “Zonjë, jam unë ai, që duhet të paguajë, sepse ky njeri më bëri të dëgjoj një histori, që ma shndërroi zemrën!”. Kjo zonja e dinte ç’do të thotë dhimbje, ç’do të thotë zemër e plasur e një emigranti, sepse ishte me gjak armen e e ndjente fuqimisht vuajtjen e popullit të saj. Kur ne bëjmë një gjë të tillë, në fillim refuzojmë, sepse ndjehemi paksi të bezdisur. Thartojmë fytyrën, ngaqë tjetrit mund t’i vijë edhe erë e keqe. Po pikërisht ai ta mbush me erë të mirë shpirtin. Kujtojeni këtë histori e mendoni ç’mund të bëjmë për refugjatët.

Duke ia hapur zemrën tjetrit, shoqëritë rifitojnë paqen

Të veshësh atë që është lakuriq, do të thotë t’ia rikthesh dinjitetin e  humbur: prandaj duhet t’u japim veshje atyre që nuk i kanë, por edhe të mendojmë për gratë, viktima të trafikut, të flakura në mes të udhës, e jo më pak, edhe për  ata, “të tjerët”, për të gjitha mënyrat e përdorimit të trupit njerëzor si mall, edhe kur është fjala për të mitur - tha Françesku. Të shumta janë format e lakuriqësisë: “Lakuriq je, kur nuk ke shtëpi, nuk ke punë, nuk ke pagë të drejtë, ose kur diskriminohesh për shkak të racës a të besimit. I krishteri duhet të veprojë, të mos mbyllet në vetvete, në botën e ngushtë të interesave të veta”:

“Pikërisht në atë masë, me të cilën ua hapim zemrën të tjerëve,  po në atë masë jeta bëhet e frytshme, shoqëritë rifitojnë paqen e njerëzit, dinjitetin e tyre të plotë. E mos e harroni atë zonjën, atë emigrantin që qelbej  e sidomos, atë shoferin, të cilit emigranti ia shndërroi zemrën. Faleminderit!”.

Në përfundim të audiencës, Papa kujtoi edhe tetorin, muajin e Rruzares, në përfundim e sipër.








All the contents on this site are copyrighted ©.