2016-10-25 13:11:00

Terenc Toçi: paraqitet në Romë dokumentari “Mirazhi Adriatik”


Ekziston në Enciklopedinë prestigjioze Treccani, por jo edhe në kujtesën pozitive shqiptare, të paktën, jo aq sa duhet. Është fjala për Terenc Toçin, pushkatuar  e hedhur në një varr të përbashkët nga komunizmi, si kolaboracionist, fashist e kriminel lufte. Edhe sot e kësaj dite mbetur pa varr, pa kryq, pa një lule…

         Pasi iu dha një sheshi emri i Terenc Toçit, jo më larg se të shtunën, në Romë, në selinë e shoqatës artistike “L’Universale”, u paraqit dokumentari “Mirazhi Adriatik”, me regjizor Gilberto Martinelli, në praninë e nipit të Terenzio Tocci-t, Terenzio D’Alena, të historianit Federico Eichberg, studiues i çështjeve shqiptare, si edhe të dashamirëve e të miqve shqiptarë e italianë. Dokumentari përshkruan jetën e këtij arbëreshi të impenjuar aktivisht në favor të Shqipërisë, pavarësisht se përfundoi në anën e “armiqve”. Ndoshta, do të ishte konsideruar kolaboracionist edhe në një proces Nurembergu, ku, avokat siç ishte, do të ishte mbrojtur me të gjitha forcat e do të kishte paraqitur argumentet e vlefshme, që e shtynë të bashkëpunonte deri diku me autoritetet fashiste. E ndoshta, një proces Nurembergu do t’i kishte njohur rrethanat lehtësuese, që nuk ia njohën komunistët, të cilët e pushkatuan pa u menduar fort. Histori për t’u studiuar e hulumtuar më tej, siç shpjegon, në mikrofonin tonë, Edmond Godo, kryetar i shoqatës “Alba”, ish-këshilltar për emigrantët në komunën e Romës…

         Ja ç’shkruan Enciklopedia Treccani për Terenc Toçin: “Njeri politik (San Cosmo Albanese, Cosenza, 1880 – Tirana 1945). Ndjekës i bindur i ideve të Mazzini-t e filoshqiptar i flaktë, doli në pah në vitet e para të ‘900-ës si agjitator e propagandist i republikanizmit radikal italian dhe i rilindjes italo-shqiptare. Kuadri i reflektimeve të rij republikane shihet qartë në vëllimet “Repubblicani e socialisti” (Republikanët dhe socialistët, 1901), “Risorgimento nazionale” (Rilindja kombëtare, 1902), “I ribelli d’Italia” (Rebelët e Italisë, 1904), “Cuore repubblicano” (Zemër republikane, 1906), “Doveri verso la Patria” (Detyrat ndaj atdheut, 1906), “Battaglie repubblicane” (Beteja republikane, 1907).

         Pasi mori diplomën universitare në Jurisprudencë, në Urbino, në vitin 1906, u vendos në Romë, ku bëri propagandë politike për Partinë Maxiniane Italiane, duke nxjerrë në dritë “La Sentinella del Popolo” (Roja e Popullit). Në të njëjtën periudhë, themeloi periodikët “Gazzetta Albanese” (Gazeta shqiptare), “Courrier des Balkans” (Posta e Ballkanit), “Speranze dell’Albania” (Shpresat e Shqipërisë, 1904-08). I përjashtuar nga seksioni romak i PMI-së në vitin 1908, u nis për në Amerikë për të kërkuar mbështetje për çështjen shqiptare dhe për irredentizmin italian. U kthye në Itali në vitin 1910 dhe organizoi, së bashku me Ricciotti Garibaldin (i biri i Garibaldit të njohur), një ekspeditë për të çliruar Shqipërinë. Në vitin 1911 organizoi një kryengritje me krerët e Mirditës dhe të Malësisë (Shqipëria e Veriut), nga e cila doli një “qeveri e përkohshme”, e cila pati jetë të shkurtër, për shkak të mungesës së ndihmave italiane, të premtuara, por të bllokuara nga qeveria Giolitti. Deri në pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, u mbikqyr në çdo hap nga policia italiane. Në vitin 1913 mori pjesë në Kongresin e Trieshtës e më pas, u kthye në Shqipëri, ku në Shkodër, themeloi të përditshmen e parë politike shqiptare ‘Taraboshi’.

         Në Shqipëri, filloi një fushatë shtypi, që i shkaktoi bezdi autoriteteve italiane, të cilat, në vitin 1914, favorizuan përjashtimin e tij të menjëhershëm nga territori shqiptar. Mbeti i internuar në vendlindje deri në gusht 1920. U largua përfundimisht nga Italia në dhjetor 1920, dukeu vendosur në Shqipëri, ku ushtroi profesionin e avokatit dhe mbuloi detyra me rëndësi shtetërore, si: prefekt i Korçës (1921), konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt (1922), drejtor i Zyrës së Shtypit të qeverisë (1922), deputet në Parlamentin shqiptar (1923), kryetar i Gjykatës penale të Kasacionit (1925), sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës Shqiptare (1927). Në të njëjtën periudhë rifilloi botimin e ‘Taraboshit’, pranoi drejtimin e gazetës dyjavore ‘Shtypi’, ndërsa shkroi ‘Çështja financiare në Shqipëri’, ‘E drejta Ndëshkimore’ (1926) dhe ‘Gramatika italiane pa mësues’.

Me mbretërinë e Zogut I (1928-39), Terenc Toçi hyri në qeveri si ministër i ekonomisë (1936). Gjatë dy vjetëve të fundit të mbretërisë së re të Shqipërisë, publikoi ‘Mbreti i shqiptarëve’. Pas pushtimit italian të Shqipërisë (7 prill 1939) u bashkua me ‘bashkësinë imperiale të Romës’ në favor të bashkimit të dy Kurorave, duke marrë përsipër detyrën e kryetarit të Këshillit të Epërm Korporativ Fashist (1940-42). Hoqi dorë prej tij para kapitullimit të Italisë fashiste dhe u aktivizua për të shpëtuar italianët, pasi ndërhynë forcat e Vermahtit (8 shtator 1943). Qëndroi në Shqipëri edhe në prag të hyrjes së partizanëve në Tiranë, sepse mendonte se s’kishte bërë asgjë të keqe. Në prill 1945 u dënua nga një gjykatë speciale me pushkatim. Trupi i tij nuk u gjet më kurrë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.