2016-10-25 14:08:00

Papa: Mbretëria e Zotit rritet me butësi, jo me organika


Për rritjen e Mbretërisë së Tij, Zoti u kërkon të gjithëve butësinë. Kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë këshilloi klerin dhe besimtarët të mos përqendrohen tepër në struktura e në organika. Mbretëria e Zotit është gjithnjë për udhë, kujtoi.

Mbretëria e Zotit nuk është strukturë fikse

Ligji, nënvizoi Papa, nuk është bërë vetëm për t’u studiuar, por për të ecur në jetë bashkë me të. Ai duhet ta ndihmojë jetën e jo ta pengojë, duhet të kontribuojë në rritjen e Mbretërisë së Hyjit:

Mbretëria e Zotit. Jo! Me Mbretërinë e Zotit mund të ndodhë e njëjta gjë, që mund të ndodhë me Ligjin: ‘palëvizshmëria’, ashpërsia… Ligji është për udhë, Mbretëria e Zotit është në udhë. Nuk është e palëvizshme. Edhe më: Mbretëria e Zotit ndërtohet çdo ditë”.

Të jemi të butë ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt

Jezusi, vijoi Ati i Shenjtë, flet në shembëlltyrat e tij, për gjërat e jetës së përditshme: tharmi, që kur përzihet me miellin, bëhet bukë, pra, është për udhë. Fara, që nuk mbetet e tillë, por vdes e bëhet pemë. S’ka rëndësi sa të vogla janë këto gjëra, rëndësi ka që janë gjithnjë në zhvillim, gjithnjë në shndërrim. Ndërsa dikush, që e sheh Ligjin, por nuk ecën me të, mban një qëndrim të ngurtë, nuk zhvillohet:

“Cili është qëndrimi, që na kërkon Zoti, për ta rritur Mbretërinë e Hyjit e për ta bërë bukë për të gjithë e, edhe banesë për të gjithë? Butësia. Mbretëria e Zotit rritet me butësinë e bindjen ndaj forcës së Shpirtit Shenjt. Mielli e lë veten miell e bëhet bukë, sepse është i butë ndaj forcës së tharmit e, tharmi e lë veten të mbruhet me miellin… nuk e di, mielli nuk ka ndjenja, por ta lësh veten të mbruhesh, do të thotë, njëfarësoj, se ka pak vuajtje aty, apo jo? E pastaj, lejon ta gatuajnë, apo jo? Po edhe Mbretëria e Zotit rritet kështu e, pastaj, në fund, bëhet ushqim për të gjithë”.

I rrepti ka vetëm padronin, por jo atin qiellor

Edhe burrat e gratë, nënvizoi Papa Françesku, duhet të jenë të butë e të përvujtë e ta lejojnë Shpirtin Shenjt të veprojë në ta. Vetëm kështu, tharmi ynë, fara jonë, do të bashkohen me forcën e Shpirtit e do të shndërrohen për Mbretërinë e Hyjit. Nëse mbeten të ashpër, të palëvizshëm, të rreptë, mbeten edhe jetimë, pa Atë:

“I rrepti ka vetëm padronë e jo baba, atë. Mbretëria e Zotit është si nëna, që rritet e sjell fryte, sepse dhuron veteveten që bijtë të kenë ushqim e banesë, sipas shembullit të Hyjit. Sot është një ditë për të kërkuar hirin e butësisë ndaj Shpirtit Shenjt. Sa herë jemi të butë me kapriçot e me gjykimet tona. ‘Po, unë bëj ç’të dua vetë…’…Kështu nuk rritet Mbretëria e Zotit e as ne. Vetëm butësia ndaj Shpirtit Shenjt na bën të rritemi e të shndërrohemi, ashtu si tharmi e fara. Zoti na dhashtë të gjithëve hirin e kësaj butësie”.








All the contents on this site are copyrighted ©.