2016-10-25 00:00:00

22. Dëshmitarët e fesë: Dom Ndoc Suma. "Vetëm tashti po e marr vesht..."


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot në rubrikën tonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën Dom Ndoc Sumën, "Vetëm tashti po e marr vesht..."

22. Dom Ndoc Suma (Nënshat, 31. 07. 1887 - 22. 04.1958) vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: "Vetëm kur dola në gjyq, e mora vesht pse më kishin arrestue".  

Dom Ndoc Suma nuk kishte asnjë tipar heroi, e aq më pak, personaliteti të shquar. Nuk kishte bërë as trimëri të mëdha e as vepra të mëdha. Që nga lindja, në Nënshat, më 31 korrik 1887, te thirrja për rrugën e meshtarisë. Nga vitet e qeta, zhytyr në studime, në Seminarin Papnor, ku kreu vitin e parë të  filozofisë e të teologjisë, te studimet në Insbruk të Austrisë, për vitin e dytë. Asokohe kalimi nga studimet në Kolegjen Saveriane të Shkodrës, në shkollat e larta të Evropës, nuk ishte aq i madh, sa t’i pengonte dashamirët e dijes të dilnin faqebardhë. Madje, të shquheshin mbi të tjerët. Mjafton të kujtojmë Konicën.

Në jetën e  kushtuar të Dom Ndocit ishin më shumë jetët e të tjerëve, sesa jeta e tij, pa ngjarje të jashtëzakonshme. Përveç 21 shtatorit 1911, kur u shugurua në Kapelën e Seminarit, e 24 shtatorit 1911, ditë e kremtimit të Meshës së parë, në vendlindje. Ku u kthye pas një vonese prej dy motesh.

U kthye pranë të vetëve, me dëshirën për t’i gdhendë shpirtërisht e mendërisht. Pranë njerëzve të thjeshtë të fshatit, mundimçarë, me kallo në duar. Të thyer më dysh nga   rangët e shtëpisë, nga punët ndër ara e kopshtije, nga vrapi pas katër-pesë delesh e dhish, gjithnjë në ndjekje të çubave të barit. U bë bari i barinjve. Atyre, që teshat më të mira i ruanin për vdekje. Shkoi mes tyre, si njeri, që dijen e kishte marrë sa në shkollë, aq në maje të gurit të malit e rreth vatrës, mbrëmjeve, ku mblodhi mite e tradita të  lashta shqiptare, duke iu kushtuar etnografisë.

I qetë, energjik, me zë tingëllues, si gjithë meshtarët, fliste thjesht, pa gojtari të zgjedhur, po me zemër në dorë. Mbështetej në Zotin e në popullin, që Ai i lumi ia kishte besuar. Në fenë e tij, në frymën e tij krijuese.

Shërbeu si famullitar në Kçirë, Koman, Naraç, Laç të Vaut të Dejës dhe në Pistull. I vlerësuar fort nga besimtarët, që e deshën dhe e ndoqën shqetësueshëm në çdo hap, sepse shëndetlig.

Po kremtonte Meshën Shenjte më 8 dhjetor 1946, kur e arrestuan. Ishte njeri aq i thjeshtë, sa nuk e mori vesh fare pse po e mbërthenin në hekura. Pastaj, në gjyq, e akuzuan për faje, që po i dëgjonte për herë të parë. Për bashkëpunim me diversantët, të cilët nuk i kishte parë kurrë, në një fshat ku  gjithkush e dinte ku mund ta gjente në çdo orë të ditës e të natës. Sepse njerëzit vdesin edhe natën!  

“Vetëm tashti e mora vesh çka kam bâ”, pati thënë, me humor të hidhur, kur u rikthye nga gjyqi, në qeli, i dënuar me 30 vjet burgim.  

Ishte njeri i thjeshtë, i zakonshëm. E me këtë thjeshtësi e përballoi edhe burgun, i bindur se kjo ishte vullndesa e Zotit. Nuk iu nënshtrua torturave të tmerrshme, të padurueshme, si të tjerët. Si u paralizua në burg, ku kishte ndenjur 8 vjet, e liruan, të shkatërruar fizikisht aq, sa pas pak do të mbyllte sytë, me bindjen se s’kish bërë tjetër, veç misionit të tij. Duke na kujtuar, kështu, me jetën e vdekjen e tij, se edhe njeriu më i thjeshtë mund të ecë në rrugën e shenjtërisë.

Më 10 nëntor të vitit 2002, kur u hap procesi dioqezan për lumnimin dhe shenjtërimin e martirëve shqiptarë, do të jetë çuditur duke dëgjuar edhe emrin e tij. Nuk ishte më në listën e të dënuarve me burgim të përjetshëm, por të kandidatëve për nderimet e elterit.

“Vetëm tashti po e marr vesh se çka kam ba”, do të ketë thënë, prej atje nalt, ku  sosen të gjitha shtigjet, duke lexuar historinë  e jetës së vet,  në listën e 40 të lumëve të ardhshëm.

Duhet t’i duken krejt të tepërta edhe këto fjalë, që po flasim sot për të, duke e kujtuar. I  bindur se nuk bëri as më pak, as më shumë, se duhet të bënte.

Po ne nuk mund të mos e kujtojmë, atë dhe të tjerët, me emra e pa emra.

Sepse nuk mund t’i harrojmë kurrë ‘Martirët tanë’. “Përvoja e vdekjes dhe e ringjalljes së tyre i përket gjithë Kishës, mbarë botës” vijon të na kujtojë Pasardhësi i Shën Pjetrit, Papa Shenjt Vojtila. Duke na porositur ta vijojmë reflektimin mbi çka na ngjau gjatë disa dhjetvjeçarëve të shekullit XX!...“Përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një kohe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…Nuk duhet harruar ç'ka ngjarë…nuk duhet harruar!”, jehojnë fjalët e thëna nga Shën Gjon Pali II në trojet tona! 








All the contents on this site are copyrighted ©.