2016-10-24 15:00:00

Papa, jezuitëve: shkoni ndër të mënjanuarit e të kryqëzuarit, me gëzimin e Ungjillit


Kërkoni gëzimin jo si të ishte ndonjë “efekt special”, por si element themelor i mesazhit ungjillor. Kështu u tha Papa Françesku jezuitëve, në fjalën që i drejtoi Kongregatës së tyre të 36-të të Përgjithshme, në Kurien e Shoqërisë së Jezusit në Romë. Një vizitë e papritur dhe e palajmëruar kjo e Papës, i cili, pasi u përshëndet nga Eprori i ri i Përgjithshëm, atë Arturo Sosa Abascal, ndenji me sivëllezërit, duke ua besuar veprimtarinë e tyre të mëtejshme Zojës së Udhës.

Një lajm i mirë nuk mund të jepet me fytyrë të trishtuar

Ati i Shenjtë Bergoglio u nis nga Shën Injaci i Lojolës, themeluesi i Shoqërisë se Jezusit (Jezuiteve), nga aftësia e tij për t’i shqyrtuar punët në thellësi, karakteristikë e jezuitëve edhe sot. Nga gurra e zanafillës duhet marrë frymëzimi për të shkuar në periferi, atje ku të tjerët nuk shkojnë, u tha Papa, me gëzimin e Ungjillit, pa u shkurajuar nga “të këqiat e botës” apo nga “keqkuptimet ndërmjet atyre, që duan të bëjnë mirë”. Nuk duhet ta zëvendësojmë këtë gëzim, nguli këmbë Ati i Shenjtë, edhe ai jezuit, me gëzimet kalimtare, me të cilat kënaqemi në çdo lloj dyqani. Gëzimi është themelor në kumtimin e mesazhit ungjillor:

“Një lajm i mirë nuk mund të jepet me fytyrë të trishtuar. Gëzimi nuk është një stolisje më shumë, është tregues i qartë i Hirit Hyjnor: tregon se dashuria është aktive, vepruese, e pranishme. Prandaj, kërkimi i gëzimit nuk duhet ngatërruar me kërkimin e ndonjë ‘efekti special’, të cilin epoka jonë di ta prodhojë për konsum. Gëzimi duhet kërkuar në një tregues ekzistencial, që është ‘qëndrimi, vazhdimësia’”.

Tiparet e jezuitit të vërtetë

E Papa përvijoi tiparet e jezuitit të vërtetë:

“Jezuiti është shërbëtor i gëzimit të Ungjillit, si kur punon ‘në mënyrë artizanale’, duke biseduar e duke dhënë ushtrime shpirtërore vetëm për një njeri, duke e ndihmuar të shkojë tek ai ‘vend i brendshëm, nga ku i vjen forca e Shpirtit, që e udhëheq, e çliron dhe e bën të ri”, ashtu edhe kur punon për të organizuar çaste formimi, mëshire, reflektimi, që janë zgjatimi institucional i asaj pike të reflektimit, në të cilën kapërcehet vullneti personal dhe hyn në veprim Shpirti Shenjt”.

Mallëngjehuni nga Zoti i kryqëzuar

Në prag të përfundimit të Jubileut të Mëshirës, Papa Françesku u kërkon sivëllezërve të vet të mallëngjehen nga Zoti i kryqëzuar, i pranishëm në sa e sa njerëz që vuajnë:

“Mëshira nuk është fjalë abstrakte, por stil jete, që para fjalës, vë gjestet konkrete, të cilat e prekin trupin e të afërmit dhe institucionalizohen në vepra mëshire. Për ne, që bëjmë ushtrime shpirtërore, ky hir, përmes të cilit Jezusi na kërkon t’i ngjajmë Atit Qiellor, fillon në atë bisedë mëshire, që është zgjatimi i bisedës me Zotin e kryqëzuar, për shkak të mëkateve të mia”.

Shoshitja, tipar dallues

Kjo lloj mëshire duhet të arrijë tek të varfërit, tek mëkatarët e tek të mënjanuarit, vijoi Papa, i cili vuri në dukje se pikërisht jezuitët, për hir të Shën Injacit, kanë si tipar dallues shoshitjen e mënyrës si bëhen gjërat:

“Ky hir i shoshitjes, që na thotë se nuk mjafton ta mendojmë, ta bëjmë apo ta organizojmë të mirën, por duhet ta realizojmë me frymën e duhur, është ai që na rrënjos në Kishë, ku Shpirti Shenjt vepron e përhap larminë e karizmave të veta, për të mirën e përbashkët”.

Për ta bërë këtë pa e humbur paqen dhe gëzimin e brendshëm, duke pasur parasysh edhe mëkatet personale e ato të strukturave, që kemi krijuar, theksoi Papa Françesku, duhet të mbartim Kryqin e të provojmë varfërinë e përuljen:

“Shërbimi i shpirtbardhësisë dhe i shoshitjes na bën të jemi njerëz të Kishës – jo klerikalë, por kishtarë – njerëz ‘për të tjerët’, pa asnjë pronë personale që na izolon, por duke ndarë me të tjerët gjithçka kemi e duke u shërbyer atyre”.

Jezuitët, përfundoi Ati i Shenjtë Françesku, nuk ecin “as vetëm, as rehat”, në një udhë, që përshkohet së bashku me Popullin e Zotit, duke u përpjekur të ndihmojnë dikë. Vetëm kështu, Shoqëria e Jezusit mund të ketë “fytyrën, mënyrën e të folurit dhe të jetesës” së të gjithë popujve, të çdo kulture, që rezultatet të mos jenë individualiste, por të përbashkëta për çdo gjë.








All the contents on this site are copyrighted ©.