2016-10-24 12:42:00

Musine Kokalari: kujtesa e rikthyer, shkrimtare e poeteshë shqiptare e ‘900-ës


Të premten, më 21 tetor, në Romë, nën hijen e Papës Aleksandri VII, në sallën që mban të njëjtin emër, në Arkivin e Shtetit Italian, u promovua libri në italisht “La mia vita universitaria” (Jeta ime universitare) e një shqiptareje. Quhej Musine Kokalari dhe librin e pati shkruar në italisht, duke përshkruar kohën e studimeve në Romë. Për botimin e tij janë kujdesur Mauro Geraci dhe Simonetta Ceglie, për kolanën e Shtëpisë Botuese Viella, që ka një titull domethënës: “Kujtesa e rikthyer”. Në libër është botuar edhe një ese e poetit Visar Zhiti, i ngarkuar me punë në ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Ndoshta jo të gjithë e dinë kush është Musine Kokalari (1917-1983). Libri e përshkruan si shkrimtare e madhe dhe poeteshë shqiptare e ‘900-ës, ndoshta e para grua “e ndjeshme” ndaj çështjes së rolit të gruas në shoqërinë rurale të atëhershme. Lindi në Adale të Turqisë, më 10 shkurt 1917. Në vitin 1921, familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë shkoi në Tiranë, ku në vitin 1937, mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”, për t’u nisur për studime në Universitetin “La sapienza” të Romës, në Itali. Përfundoi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Botoi librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan nga partizanët vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Në paraqitjen e librit “Jeta ime universitare” - që vetëm tani sheh dritën e botimit, pavarësisht se autorja e shkroi në vitet 1937-41 - përveç Mario Bovës, kryetar i Shoqatës “Occhio Blu - Syri i Kaltër”, vetë Visar Zhitit dhe Ardian Ndrecës, pedagog në Universitetin Papnor Urbanian, ishte e pranishme edhe ish-drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit shqiptar, Nevila Nika, aktualisht pedagoge në Universitetin Evropian të Tiranës. Ta dëgjojmë….








All the contents on this site are copyrighted ©.