2016-10-23 13:36:00

Papa: ta kumtojmë Jezusin, kurrë agresivë, por ndryshe nga bota


Sot është koha për ta rikumtuar me forcë Jezu Krishtin, shëlbuesin e vetëm të të gjithëve, me guximin për të qenë ndryshe nga bota, por asnjëherë polemikë ose agresivë: këtë theksoi sot Papa gjatë Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, plot me shtegtarë, në këtë të dielë, kur kremtohet Dita misionare botërore.

Papa Françesku u nis nga përvoja misionare e Shën Palit, e cila u bë e frytshme, e drejtë, besnike, vetëm falë afërsisë dhe forcës së Zotit, që e shndërroi Saulin në kumtues të Ungjillit ndërmjet mbarë popujve:

“Përvoja e Apostullit të popujve na kujton se duhet të angazhohemi në veprimtari baritore e misionare, nga njëra anë, sikur rezultati të varej nga përpjekjet tona, me shpirtin e flijimit të atletit, që nuk ndalet as përballë humbjeve: ndërsa, nga ana tjetër, duke e ditur mirë se suksesi i vërtetë i misionit tonë është dhuratë e Hirit: është Shpirti Shenjt që e bën të frytshëm misionin e Kishës në botë”.

Sot - vijoi Papa Françesku - është koha e misionit, koha e guximit:

“Guxim për t’i forcuar hapat e lëkundshëm, për të përtëritur shijen e shkrirjes së jetës në shërbim të Ungjillit, për të fituar besimim në forcën që ka në vetvete misioni. Është koha e guximit, edhe pse të kesh guxim nuk do të thotë të jesh i sigurt për suksesin. Na kërkohet guxim për të luftuar, jo medoemos për të fituar; për të kumtuar, jo medoemos për të konvertuar. Na kërkohet guxim për të qenë ndryshe nga bota, por pa u bërë kurrë polemikë a agresivë. Na kërkohet guxim  për t’ia hapur zemrën të gjithëve, por pa e pakësuar kurrë bindjen absolute se Krishti është i vetmi shëlbues i të gjithëve. Na kërkohet guxim për ta përballuar mosbesimin, pa u bërë arrogantë (…). Sot është koha e guximit, sot duhet guxim!”.

 Françesku përfundoi  me lutjen:

“Virgjëra Mari, model i Kishës ‘në dalje’, plot bindje ndaj Shpirtit Shenjt, na ndihmoftë të jemi të gjithë, përmes forcës së Pagëzimit, dishepuj misionarë, për t’ia çuar lajmin e shëlbimit mbarë familjes njerëzore”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.