2016-10-22 15:37:00

Organizohet nisma “Këmbanat për Halebin”, që t’i jepet fund masakrës


#bellsforaleppo(këmbanat për Halebin): kështu titullohet nisma, e filluar më 12 tetor nga famullia luterane e Kallio, në kryeqytetin finlandez të Helsinkit. Po marrin pjesë në të, gjithnjë më shumë vende të Evropës, e jo vetëm të saj. Çdo ditë, në orën 17.00, kishat që marrin pjesë, u bien këmbanave mënjanë, përmortshëm, për të kujtuar Sirinë dhe të vdekurit e saj. Njërëz që ndoshta japin shpirt atë ças, kur nis të vajtojë këmbana, sikur të donte ta përcillte shpirtin e të vrarit deri tek porta e Amshimit. Këmbana bie e kërkon t’i jepet fund  kësaj masakre pa fund!

Më se 200 famulli pjesëmarrëse

Këmbanat do të vijojnë të bien çdo ditë, deri më 24 tetor, domethënë, deri pasnesër, Ditë e Kombeve të Bashkuara”, shpjegon Teemu Laajasalo, mëkëmbës i famullisë së Kallio-s: “Nuk ka asnjë arsye, që të mund ta shfajësojë bombardimin e ndihmave humanitare ose të kishave - shton - Asnjë arsye për ta shkatërruar jetën e civilëve, ndërmjet të cilëve, shumë fëmijë”.

Nisma, që dy ditë më parë ndiqej nga 200 famulli, u mbështet edhe nga Konferenca e Kishave evropiane, nga Federata luterane botërore dhe nga Këshilli Botëror i Kishave.

T’u jepet fund vrasjeve në Siri

“Shpresojmë - përfundon Teemu Laajasalo - se të gjitha Kishat, bashkësitë dhe njerëzit vullnetmirë kanë dëshirë të marrin pjesë në protestën për t’u dhënë fund vrasjeve në Siri”.

Në kanalin http://bellsforaleppo.org/ mund të shihet harta e përditësuar vazhdimisht e Kishave, që marrin pjesë në këtë nismë.








All the contents on this site are copyrighted ©.