2016-10-22 13:25:00

Papa: dialogu, themelor për Kishën, të dëgjosh do të thotë të shembësh muret


Rreth 100 mijë vetë morën pjesë, sot paradite, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa ia kushtoi katekizmin temës “Mëshira dhe dialogu”, duke komentuar fragmentin ungjillor sipas Gjonit,  që përshkruan takimin e Jezusit me samaritanen.  Po e botojmë, më poshtë, tekstin e plotë të katekizmit  të Papës:

Vëllezër e  motra, mirëdita! Fragmenti i Ungjillit të Shën Gjonit, që e dëgjuam (krh 4,6-15), flet për takimin e Jezusit me një grua samaritane. Çka të prek më tepër në këtë takim, është dialogu tejet i thukët i Jezusit me gruan. E kjo sot na krijon mundësinë të nënvizojmë një aspekt shumë të rëndësishëm të mëshirës, që është pikërisht dialogu.

Dialogu u krijon njerëzve mundësinë të njihen e t’i kuptojnë kërkesat e njëri-tjetrit. Por, sidomos, është shenjë e respektit të madh, sepse i bën njerëzit ta dëgjojnë tjetrin e të përvetësojnë anët më të mira të bashkëbiseduesit. Së dyti, dialogu është shprehje e mëshirës, sepse, pa i harruar ndryshimet, mund të ndihmojë për ta kërkuar e për ta ndarë të mirën e përbashkët. Veç kësaj, dialogu na fton të vihemi ballë për ballë tjetrit, duke e parë si dhuratë të Zotit, që na drejtohet e kërkon ta pranojmë.

Shpesh herë ne nuk i takojmë fare vëllezërit, edhe pse jetojmë pranë tyre, posaçërisht kur duam të dukemi, të kemi epërsi mbi tjetrin. Nuk dialogojmë, kur nuk dëgjojmë aq sa duhet, ose kur përpiqemi ta ndërpresim tjetrin njëqind herë, për të treguar se jemi ne, që kemi të drejtë.

Në vijim, duke folur lirisht, jashtë tekstit, Papa shtoi:

“Por sa e sa herë, duke e dëgjuar tjetrin, e ndalojmë e i themi: “Jo! Jo!” Nuk është kështu!”, ia presim fjalën e nuk e lëmë ta mbarojë atë që deshi të thoshte. E kjo e pengon dialogun: është agresion!”

Ndërsa dialogu i vërtetë ka nevojë edhe për çaste heshtjeje, në të cilat mund të marrim dhuratën e paçmueshme të pranisë së Zotit në vëllezërit.

Të dashur vëllezër e motra, dialogu i ndihmon njerëzit t’i humanizojnë marrëdhëniet e t’i kapërcejnë keqkuptimet. Ndjehet fort nevoja e dialogut në familjet tona! E sa më lehtë do të zgjidheshin problemet, nëse do të mësoheshim ta dëgjonim me vëmendje njëri-tjetrin! E po kështu edhe në marrëdhëniet ndërmjet burrit me gruan, prindërve me fëmijët. Sa shumë do të ndihmonte dialogu ndërmjet mësuesve e nxënësve të tyre, ose ndërmjet drejtuesve e punëtorëve, për të zbuluar, kështu, cilat janë kërkesat më të mira të punës.

Edhe Kisha dialogon gjithnjë me burrat e gratë e të gjitha kohëve, për të kuptuar cilat janë nevojat që ka në zemër çdo njeri e për të dhënë ndihmesën në realizimin e së mirës së përbashkët. Të mendojmë për dhuratën e madhe të krijimit dhe përgjegjësinë që kemi të gjithë për ta mbrojtur  shtëpinë e përbashkët: dialogu për një temë kaq të rëndësishme është kërkesë e domosdoshme. E të mendojmë për dialogun ndërmjet feve, për të zbuluar të vërtetën më të thellë të misionit të tyre mes njerëzve dhe për të kontribuar në sigurimin e paqes e të një rrjeti respekti e vëllazërie.

Për të përfunduar, të gjitha format e dialogut janë shprehje e kërkimit të dashurisë së Zotit, që i kërkon të  gjithë e vë në secilin një farë të mirësisë së vet, që të mund të bashkëpunojë në veprën e tij krijuese. Dialogu shemb muret e ndarjeve e të keqkuptimeve, krijon ura komunikimi e nuk  lejon që askush të izolohet, të mbyllet në botën e vet të vogël.

Përsëri duke folur lirisht, Papa i porositi të pranishmit: “Mos harroni: të dialogosh do të thotë të dëgjosh çka më thotë tjetri e të them butësisht çka mendoj vetë. Nëse punët shkojnë kështu, familja, lagjja, vendi i punës, do të jenë më të mira. Por nëse unë nuk e lë tjetrin të thotë çka ka në zemër  e nis të ulërij - sot ulërihet shumë - kjo lidhje ndërmjet nesh nuk ka sesi të ketë fund të mirë; nuk do të ketë fund të mirë lidhja e burrit me gruan, e prindërve me fëmijët... Të dëgjosh. Të shpjegosh, ëmbël, pa i lehur tjetrit, pa ulërirë; me zemër të hapur”.

Jezusi e dinte mirëfilli çka kishte në zemër samaritania: e megjithatë, nuk ia mohoi dëshirën për t’u shprehur e, pak nga pak, hyri në misterin e jetës së saj. Ky mësim vlen edhe për ne. Përmes dialogut mund të ndihmojmë në rritjen e shenjave të mëshirës së Zotit e t’i bëjmë mjet të mikpritjes  e të respektit.  Faleminderit!








All the contents on this site are copyrighted ©.