2016-10-22 00:00:00

19. Dëshmitarët e fesë: Dom Marin Shkurti. U zhduk, për t’u ridukur në nderimet e elterit


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot në rubrikën tonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën e Dom Marin Shkurtin.  U zhduk, për t’u ridukur në nderimet e elterit 

19. Dom Marin Shkurti (Samrish, 01. 10. 1933 - 1969) i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

Dom Marini i përket një grupi të veçantë meshtarësh, shuguruar në vitet ’50-’60, nën diktaturë, pas ipeshkvijve Ernest Çoba e Pjetër Dema, më 22 prill 1952. Ndërkohë, sipas dëshmisë së atë Zef Pllumit, “ishin lirue prej burgut nji numër i mirë meshtarësh... që... mbasi kishin kalue gjithë ato vuejtje e tortura ndër burgje e kampe të punës së detyrueme, çdo punë për Krishtin u vinte e lehtë. Perveç kësaj, ata kishin edhe një plus para syve të popullit: ai u besonte shumë dhe i çmonte për jetën e tyne, prandaj edhe i ruente e i ndihmonte, me gjithsa i kishte mbetë mbas shpirtit”.1

Në këtë stinë nisën shugurimet e reja. Pas shfarosjes së madhe të figurave më të ndritura të klerit në dhjetvjeçarin e mëparshëm, e lirimit të të tepruarve gjallë, besimtarët mrekulloheshin duke dëgjuar të flitet për shugurime të reja meshtarake. Athua Zoti po bante  mrekulli? Më 19 mars 1954, në sakrestinë e vjetër të Katedrales, imzot Çoba shuguronte tinzash jezuitin Atë Gjergj Vata dhe priftin Dom Ndoc Noga. Më 1 maj 1956, pas shumë peripecish, shugurohej një ipeshkëv i ri françeskan, Imzot Antonin Fishta e me të,  në Laç të Shëna Ndout, Atë Zef Pllumi dhe Atë Shtjefën Pistulli. Hapej, me ta, radha e gjatë e shugurimeve të reja: Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni (9 shkurt 1961); Dom Mhill Beltoja (8 dhjetor 1961), Dom Luigj Kçira (24 mars 1963), Dom Tish Lisna, Dom Njac Dema.... Shugurimi i tyre ndezi në shpirt të popullsisë një zjarr të ri fetar. 

Më 1944 kleri katolik shqiptar numëronte rreth 200 meshtarë. Më 1952 në bilancin e përndjekjes, shënoheshin mbi 180 klerikë katolikë të dënuar me vdekje, të vrarë pa proces, të burgosur, të torturuar, të shtrënguar të bëjnë punë të detyruar në kampe. 5% e tyre vdiqën të lënë në mëshirën e fatit. Vetëm 1/5 vijonte haptas misionin, duke u përkujdesur për jetën shpirtërore të besimtarëve që, me gjithë atmosferën e terrorit të kuq, vijonin të martoheshin, të lindnin fëmijë e të vdisnin! Në këto kushte, kur të zgjidhje rrugën e meshtarisë, do të thoshte të zgjidhje rrugën e Kalvarit, e thirri Zoti  Dom Marin Shkurtin.

I lindur në Samrish, më 1 tetor 1933, me shkollim krejt të parregullt, nga fillorja, në Dajç të Bregut të Bunës, tek studimet e mëtejshme, nën drejtimin e famullitarit, dom Pjetër Gruda, u shugurua meshtar nga Imzot Çoba në Katedralen e Shkodrës, ku më 8 dhjetor 1961 kremtoi edhe Meshën e parë, për të filluar menjëherë shërbimin në fshatin Stajkë. Pas mbylljes së kishave vijoi fshehurazi shërbesën e tij në fshatra e qytete. Derisa rifilloi sulmi i ri, shfarosja përfundimtare. Sulmi nisi së pari kundër këmbanave, që duke rënë ag e mesditë e muzg, e shqetësonin keqas qeverinë. Përse bien këto këmbana? - duhet të kenë pyetur masakratorët e klerit katolik. Në të vërtetë, kishin shumë arsye. Këmbanat e kishave duhet të binin vetëm përmortshëm, pas gjithë asaj ploje, që kishte përgjysmuar klerin, e para plojës së re, që do ta asgjësonte. Po këmbanat binin përfestshëm!

Më 1965 kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba, u thirr para Këshillit të Ministrave, në Tiranë, ku u njoftua se këmbanat ishin të padëshiruara. Mund të binte vetëm një këmbanë, vetëm një herë e vetëm të dielave e festave të mëdha.

Atëhere këmbana vetmitare kumboi për të kumtuar mortin e ri! Vitin ogurzi 1967! Në janar të këtij viti, rinia e shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës, shpalli publikisht nismën “Të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, bestytnitë, zakonet prapanike”. Më 6 shkurt, fjalimi i diktatorit: “Mbi revolucionarizimin e Partisë e të pushtetit”. Nisi rroposja e madhe. Të parat, vdiqën këmbanat. Kisha e jezuitëve u kthye në teatër kukullash; e fretërve, në kino-teatër; e stigmatineve, në klub rinie e sallë gjyqi  kundër grupit të fundit të klerikëve, që kishin shpëtuar nga masakra e parë, a që kishin mungulluar, si filiza të rinj, në trungun e lashtë, gjysëm të fshehur nën dhe.

Niste, kështu, faza e dytë, shkatrrimtare, e sulmeve kundër  fesë dhe institucioneve fetare. Rrafshimi!

Dom Marin Shkurti, bari pa grigjë e pa strehë, gjithnjë në pritje të arrestimit, vendosi të largohej nga vendi. Po e tradhtuan. E kapën. Dhe e pushkatuan. Ishte viti 1969. Pas tij katër vëllezërit e dy kunetërit, u dënuan me burgime të rënda, duke e paguar kështu, lidhjen e gjakut e të krushqisë me një meshtar katolik. Asokohe farefisnia me meshtarin katolik quhej “njollë në biografi”, gjë që të mohonte çdo të drejtë.

Ishte epoka e shembjeve të mëdha, e flakadaneve të mëdha, ushqyer me Ungjij e libra të tjerë fetarë, që digjeshin deri në mes të sallave të mbledhjeve.

E edhe epoka e trimave të çartur, si atë Meshkalla, që i shoqëruan flakadanet me fjalë plot optimizëm, kur optimizmi ishte kundër çdo arsyeje të mirë:

“Digjnje, digjnje! Nuk asht hera e parë që digjet Ungjilli. Ka 2000 vjet që e djegin, shokët tuej, por askush nuk mujti me i djegë mësimet e Krishtit. Digjnje! Po mësimet e Zotit nuk mund të digjen. Ai asht tepër i madh. Ju, tepër të vogjël!”.

Në këtë rropamë, kur dukej se po përmbysej vetë bota, u zhduk edhe Dom Marin Shkurti, për t’u ridukur në listën e 40 martirëve, të denjë për nderimet e elterit!

1 At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue”, pj. II, Tiranë, 1997, fq. 74








All the contents on this site are copyrighted ©.