2016-10-21 13:27:00

Papa Françesku i dorëzon Çmimin Ratzinger një katoliku e një ortodoksi


Papa Françesku do t’u dorëzojë personalisht, më 26 nëntor, Çmimin Ratzinger, imzot Inos Biffi-t dhe ortodoksit grek Ioannis Kourempeles. Çmimi u jepet nga Fondazioni vatikanas “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI” të gjithë atyre studiuesve, që janë dalluar në punën kërkimore-shkencore me karakter teologjik. Është hera e parë që nderohet me të një ortodoks. Dhënia e Çmimit do të bëhet në përfundim të Simpoziumit ndërkombëtar “Eskatologjia: analiza dhe perspektiva”, që do të mbahet në Romë nga 24 deri më 26 nëntor, në Universitetin Papnor të Shën Kryqit. Ndërsa ceremonia e dorëzimit nga Ati i Shenjtë do të zhvillohet në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik.

Kush janë protagonistët e Çmimit Ratzinger

Me origjinë nga Lomagna e Italisë, ku është lindur në vitin 1934, imzot Inos Biffi është pedagog nderi i Teologjisë sistematike dhe i Historisë së teologjisë mesjetare në Fakultetin teologjik të Italisë Jugore. Jep të njëjtat lëndë edhe në Fakultetin e Teologjisë në Lugano. Gjithashtu, është anëtar i Akademisë Papnore të Teologjisë, president i Institutit për Historinë e Teologjisë Mesjetare në Milano dhe drejtor i Institutit të Historisë së Teologjisë në Fakultetin e Teologjisë së Luganos.

Ioannis Kourempeles është lindur në Athinë, në vitin 1965 dhe ka studiuar teologji në Fakultetet teologjike të Selanikut, Erlangenit dhe Haidelbergut. Jep lëndën e historisë së dogmave dhe të teologjisë dogmatike e simbolike në Fakultetin e Teologjisë në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut.








All the contents on this site are copyrighted ©.