2016-10-21 11:42:00

Me 21 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gasprin e Bufalos


Me 21 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gasprin e Bufalos. I lindur në Romë më 6 janar 1786, që i vogël iu kushtua lutjes e pendesës. I ati ishte kuzhinier i princit Altieri; e ëma merrej me punët e familjes. Ishe ajo që i dha të birit një edukatë të vërtetë të krishterë. I shuguruar meshtar më 31 korrik 1808, u specializua në ungjillëzimin e karrocierëve e të banorëve të katundeve romake. U dënua me internim, sepse nuk pranoi të betohej për besnikëri ndaj Napoleonit e kaloi katër vjet në burgjet e Bolonjës, Imolës e Korsikës. 

Fatin e tij e pati më pas vetë perandori francez, që u internua në Ishullin e Shën Helenës, ku edhe vdiq. Ndërsa shenjti i ardhshëm u kthye në Romë, ku Papa Piu VII i besoi detyrën të përshkonte Italinë duke predikuar e duke iu kushtuar posaçërisht misioneve popullore. Tepër i devoçëm i Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit, më 15 gusht 1815 themeloi Kongregatën e Misionarëve të Gjakut të Krishtit. Rregulltarët e këtij urdhri i kushtohen predikimit dhe mësimdhënies. Në vitin 1834, së bashku me Marinë de Matia, themeloi degën femërore të Kongregatës: “Motrat e adhurimit të Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit”.
 Shën Gaspri vdiq në Romë më 28 dhjetor 1837. U shpall shenjt nga Papa Piu XII më 12 qershor 1954.

Më 10 dhjetor 2006, në përurimin e kishës romake kushtuar Zojës ‘Yll i ungjillëzimit’, Benedikti XVI pati theksuar: “Sidomos në rrethanat e shoqërisë sonë, gjerësisht të shekullarizuar, famullia është fanar që rrezaton dritën e fesë, duke i dhënë kuptim e shpresë jetës së njerëzve e të familjeve” – fjalë pas të cilave shuguroi elterin e kishës së re. E pikërisht në këtë elter janë vendosur relike të Shën Gasprit të Bufalos, pranë atyre të Shën Bernardit të Kiaravales, të Shën Françesk Saverit, e të Shën Katerinës Laburè, figura që- siç theksoi Benedikti XVI - na kujtojnë ungjillëzimin dhe fenë e apostujve, drita e vërtetë që ndriçon Kishën. 








All the contents on this site are copyrighted ©.