2016-10-20 16:21:00

17. Dëshmitarët e fesë: Dom Aleksandër Sirdani: dy fjalë, për njeriun e Fjalës (pjesa 2)


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot në rubrikën tonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim sërish për figurën e Dom Aleksandër Sirdanit, dy fjalë, për njeriun e Fjalës.

17.  Dom Aleksandër Sirdani, martir, ((pjesa 2) ndonëse jetoi e vdiq në të njëjtin shekull, në të cilin jetojmë edhe ne, për datën e lindjes dhe të vdekjes së Dom Aleksandër Sirdanit nuk kemi asnjë të dhënë të shkruar. Në librin “Martirizimi i Kishës Katolike shqiptare, 1944-1990, nuk shënohet asnjë datë e jetës së tij. Po kështu edhe në “Leksikon i shkrimtarëve shqiptarë (1501-1990), hartuar nga Hasan Hasani (Prishtinë, 1995). Në listat e fundit të Zyrës së Martirëve, shënohet datëlindja 1 mars 1891.

Sipas dëshmive gojore, Dom Aleksandër Sirdani, moshatar me Dom Lazër Shantojën, lindi më 1892 në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe. Qe i vëllai i historianit të shquar, Atë Marin Sirdanit. Të dy vëllezërit, mbetur jetimë, pa nënë pa babë, që në moshë të njomë, malësorët e Bogës i nisën për në Gusí dhe ia besuan një hoxhe. Kleriku shenjt mysliman, jo vetëm që nuk mendoi t’i edukonte në fenë islame, por, për t’ua ruajtur fenë e të parëve, u nis së bashku me të dy jetimët për në Shkodër dhe i dorëzoi në duart e Kishës katolike: Aleksandrin në shtëpinë e Motrave Servite, Marinin ndër fretën. Kështu një hoxhë mysliman i dhuroi Kishës katolike dy meshtarë të shquar, e ata, kur u rritën, për të shprehur mirënjohjen, duke vënë buzën në gaz, e quanin veten “të bijtë e Hoxhës”.

Motrat servite i krijuan Aleksandrit mundësinë që të studionte. Mësimet e para, e pastaj të mesmet, i kreu ndër Jezuitë. Kur i përfundoi studimet në Seminarin papnor, ai tashmë e kishte përcaktuar rrugën e jetës: do të bëhej Meshtar!

U nis për të kryer studimet e larta në Innsbruck të Austrisë. Menjëherë pas përfundimit të studimeve, u kthye në Atdhe dhe shërbeu si Meshtar në zona të ndryshme të Shqipërisë së Veriut.

Shumë shpejt u bë i njohur si meshtar shembullor e punëtor i zellshëm në të mirë të kulturës. Qe njeri buajr, i ëmbël, i butë, i dashur e i gatshëm të ndihmonte këdo që kishte nevojë. Gjithçka të mirë që kishte: shërbimin meshtarak, talentin dhe vetë jetën, i shkriu me moton e përhershme të klerit katolik: “Për Fé e Atdhé!”

Dom Aleksandër Sirdani qe studiues i pasionuar i vlerave popullore. Si bleta punëtore shëtiti ndër lëndinat e lulëzuara të krijimit gojor popullor: mblodhi një numër shumë të madh fjalësh të rralla, frazeologjish e fjalësh të urta.

Mbledhjet e frazeologjive Dom Aleksandri i botoi sistematikisht te “LEKA” dhe tek “Hylli i Dritës”. Një pjesë prej tyre i përmblodhi më 1928 në veprën “Fjalë ari”

Në revistën “LEKA”, mbledhësi i palodhur i traditave popullore, botoi një cikël me gjamë apo këngë vaji, të cilat më vonë jezuitët i botuan në një vëllim më vete. Këto këngë paraqesin një interes të jashtzakonshëm, sa për elementet e lashta, që janë të dukshme ndër to, aq edhe për vlerat artistike e gjuhësore. Në këngët e vajit të mbledhura nga Dom Sirdani, sintetizohet mendimi popullor për jetën, vdekjen, virtytin, vesin, amshimin! Ndër to spikasin ato veçori, që e dallojnë popullin shqiptar nga popujt e tjerë. Kujtojmë se këngët e vajit, ndonëse të ndaluara nga diktatura, mbijetuan e sot paraqesin një fushë me interes të posaçëm për mbledhësin dhe studiuesin e folklorit, të gjuhës dhe të historisë.

Dom Sirdani është edhe një nga pionierët e mbledhjes dhe të kodifikimit të mitologjisë, me një vlerë të veçantë për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve që lidhen me gjenezën dhe formimin e popullit shqiptar. Kësaj veprimtarie iu kushtuan edhe meshtarë të tjerë katolikë, posaçërisht Atë Gjeçovi.

Dom Aleksandri qe edhe poet. Në revistën “Leka” botoi herë pas here krijime poetike, të cilat ai i quante “Kallëxime popullore”. Dhe ashtu ishin: të thjeshta, të kuptueshme, pa fluturime të larta. Poezitë e tij, pothuajse të gjitha me temë fetare, janë lirika e satira. Ndër lirikat kujtojmë “Dhetë Urdhnimet e Tënzot” që u botua në disa numra të “Lekës”; ndër satirat, “Legjenda e bishtit të purrinit”, “Frati i ri” etj.

Te satira “Frati i ri”, poeti prek temën e bashkimit të popullit shqiptar, pa të cilin Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Tregon autori se në një stinë thatësire të tmerrshme, malësorët shkuan te frati dhe iu lutën t’i lypte Zotit shi. E frati: “... ju veç më nji fjalë, por bânju/ U kishte çekë/ E u fali shî me rrëshekë!/”

Por, si u mblodh te kisha mbarë famullia, malësorët nisën të grindeshin: do shiun e lypshin shé, t’ tjerë t’imtë e të butë; dikush mot të mirë po lutë, - shkruan poeti. E frati: “Mbasi, - u tha, n’godi s’bini/ Krisni kah shpija/ Shka u bân s’ka as Perendia!//

Dom Aleksandri ishte në kulmin e veprimtarisë, kur vetë i dytë, u arrestua nga komunistët në Kastrat. E torturuan mizorisht. Si shumë klerikë të tjerë. Po fundi i asnjërit nuk mund të barazohet me fundin e Dom Aleksandrit. Prifti, pas torturave të tmerrëshme, qe varrosur i gjallë në një gropë ujërash të zeza. E shtynë brënda në gropë dhe e bënë të fundosej duke e goditur me shkelma në kokë. Ishte shtatori i vitit 1946.

Kështu vdiq e u varros në këtë varr të pashëmbëllt e të paemër, ai që dha pa kursim gjithçka kishte për Kishën e për Kombin.

Sikur të gjithë shqiptarët ta kuptojshin si Dom Leka detyrën ndaj Atdheut e të jepshin gjithçka që mund të jepet për të, pa kërkuar kurrë për të marrë, Shqipëria e shqiptaria do të kishte një pamje tjetër.








All the contents on this site are copyrighted ©.