2016-10-20 04:30:00

16. Dëshmitarët e fesë: Dom Lekë Sirdani. Këta janë me të vërtetë njerëz të Hyjit! (pjesa 1)


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot në rubrikën tonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën e Dom Lekë Sirdanin. Fundi i Dom Lekës, sipas dëshmisë së Atë Anton Lulit

16. Dom Lekë Sirdani (Gurëz, Milot, 01, 03. 1891-Koplik, 26. 12. 1948), martir, ((pjesa 1) personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

“Dom Aleksandrin e futën në burg dhe e dënuen në mënyrë barbare. S’patën pikë mëshire për të. E rrahën aq randshem, sa që goditjet ndigjoheshin fort deri në qelinë  time, pak ma larg qelisë së tij. Ai i duronte torturat pa bëzajtë. Por në orë të ndryshme të ditës, burgu tundej nga zani i tij: “Kam etje! Ujë, ujë, se po des!”. Britma dridhte mure e shpirtna. Na shkaktonte dhimbje, ma fort se varrët, që edhe ne nuk na mungojshin. S’ mërrij me e përshkrue si duhet atë skenë. E as ju nuk mundeni me  e përfëtyrue, sepse jashtë çdo arsyeje njerëzore. 

Një ditë, mbasi më kishin torturue me korrent elektrik, isha aq i terrorizuem, sa iu luta rojes, që më shoqnonte në qeli: “Ali, në daç ti, mund të më lirosh prej kësaj jete, që s’durohet ma. S’të kushton tjetër, veçse një plumb ballit! Do të isha mirënjohës në atë jetë!”. Alia gjegji: “Të shpëtoj ty, po ç’t’i bëj vetes. Mos harro se jam me fëmijë! Do të mbeteshin pa baba”. E dinte Aliu se do ta hante vetë plumbin, për një plumb të shkrehur pa urdhërin e atyre, që shkrehshin çdo ditë plumba në mish të gjallë. U riktheva në qeli e vijova të ndigjoj britmat e Dom Lekës. Nuk e di sa zgjati kalvari i tij. Sigurisht, disa muej. Kur e pashë një ditë në korridor, nuk e njoha. Para asaj  figurë-fantazëm, ula sytë. Sa e tmerrshme me e pa ashtu e mos me mujtë me ba asgja për të. Një masdite, tue mos i ndigjue ma britmat e tij, pyeta rojen: “Ku asht Dom Leka, që nuk po ndigjohet?”.

M’u përgjigj: “Ehhh, i shkreti, sapo e hodhën në nevojtoren e burgut. Atëherë  i thashë rojes se ndihesha keq e iu luta të më shoqnonte në banjo. M’u gjegj se nuk kishte ardhë ende orari. Po unë vijova t’i lutem ankthshëm, e ai më shoqnoi, pa fjalë. Çova sytë për ta falënderue e pashë se edhe sytë e tij ishin mbushë me lot. Edhe ai kjante për fundin e Dom Lekës. Kur iu afrova gropës së zezë, që shërbente si nevojtore për ne, të burgosunit, pashë se langu i zi, me pak dhé përsipër, vijonte me gurgullue. U ula, për të krijue përshtypjen se isha aty për nevojat e mia, nga frika se ndokush mund të më spiunonte e, mshehtas, me dorën që më dridhej nga tmerri, bana shpejt e shpejt një shenjë kryqi mbi trupin e atij Meshtari të shkretë, që sapo kishte dhanë shpirt, i hedhun në një vend kaq çnjerëzor. Nga tronditja, u ndjeva me të vërtetë keq. Aq, sa nuk munda të çohesha prej buzës së asaj grope, që u kthye në vorr për dy  prej meshtarëve ma të mirë të Kishës. Roja më shtërngoi fort, tue më marrë ngrykë. Si Centurioni. E sytë e tij thoshin: “Këta janë me të vërtetë njerëz të Hyjit!”. Kur mbërrijta, ma në fund, në qeli, bërtita sa mujta: “Deri kur, o Zoti em! Deri kur!”. Mandej u luta në heshtje për shpirtin e atij, që tashma, nga gropa e zezë, duhet të ishte naltue në horizontet e lirisë së amshueme!

Marrë nga Regjina Lulashi, “Dy vëllezër dëshmorë”(Due fratelli martiri, 2007), Grafiche Panico Galatine (Lecce), fq 68-69 








All the contents on this site are copyrighted ©.