2016-10-19 11:09:00

Papa në audiencën e përgjithshme: i varfëri ka nevojë për mua


Papa Françesku mbajti sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, audiencën e zakonshme të përgjithshme të së mërkurës, duke ia kushtuar katekizmin temës: “T’u japësh të hanë të uriturve, të pinë, të eturve”.

Një nga pasojat e së ashtuquajturës “mirëqenie”, është ajo që i shtyn njerëzit të mbyllen në vetvete, duke u bërë fare të pandjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Këto, fjalët e para të katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme. Bëhet ç’është e mundur - vijoi Françesku - për t’u ngjallur njerëzve shpresa të rreme, të kota, duke paraqitur modele kalimtare jete. Të cilat, ashtu si duken, edhe zhduken pas ndonjë viti, si të ishte jeta jonë modë për t’u ndjekur e për t’u ndryshuar në çdo stinë. Nuk është kështu! Realiteti, që shpesh na krijon situata nevojash urgjente, duhet pranuar e duhet përballuar ashtu siç është. E prandaj, ndërmjet veprave të mëshirës, gjejmë fjalët uri e etje si dhe ftesën për t’u dhënë të hanë të uriturve - janë shumë sot, eh! - e të pinë, të eturve. Sa e sa herë mjetet e komunikimit flasin për popuj që vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe e ujit. Me pasoja tejet të rënda, sidomos për fëmijët.

Përballë lajmeve të tilla, e posaçërisht figurave, që i shoqërojnë – kujtoi Papa - opinioni publik preket thellë e nisin herë pas here fushata ndihme për të nxitur solidaritetin. Dhurimet bëhen bujare e kështu mund të kontribuohet për t’ua lehtësuar vuajtjet shumëkujt. Kjo formë e bamirësisë është e rëndësishme, por ndoshta nuk na bën ta ndjejmë drejtpërdrejt  vuajtjen. Ndërsa kur, duke shkuar udhës, takojmë ndonjë njeri nevojtar, ose kur ndonjë i varfër vjen e na troket në portën e shtëpisë sonë, është krejt ndryshe, sepse nuk jemi më përpara një figure, por para njeriut, që më prek drejtpërdrejt. Nuk ekziston më kurrfarë distance ndërmjet atij a asaj, e unë e ndjej se duhet t’i bëj pyetje vetes.

Më pas, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa kujtoi se varfëria abstrakte nuk na bën të marrim pjesë në të; na bën vetëm të mendojmë, të ankohemi; por kur ti e shikon varfërinë në korpin e një burri, të një gruaje, të një fëmije, kjo, po, të bën edhe të  pyesësh veten! E, prej këndej, prirja që kemi për të ikur nga nevojtarët, për të mos iu afruar ose për ta zbukuruar pakëz realitetin e tyre me zakonet e modës. Kështu largohemi nga ky realitet. Nuk ka më kurrfarë distance ndërmjet meje e të varfërit, kur e takoj.

Në këtë rast, cili është reagimi im?  Bëj sikur nuk e shoh e vijoj ecjen? Apo ndalem e interesohem për gjendjen e tij? Shikoj nëse mund ta ndihmoj në ndonjë farë mënyre këtë njeri, apo bëj çmos të çlirohem sa më parë prej tij? - pyeti Papa.

Por ndoshta - vijoi - njeriu që takon, kërkon vetëm diçka tepër të nevojshme: diçka për të ngrënë a për të pirë. Të ndalemi e të mendojmë një çast – ftoi Françesku në vijim - sa e sa herë themi “Atynën”, e megjithatë nuk i kushtojmë vëmendjen e duhur këtyre fjalëve: “Bukën tonë të përditshme na  e jep sot!”.

Në Bibël, një Psalm thotë se Zoti është ai, që i jep të hajë çdo  frymori (136, 25). E rëndë, uria. E di mirë kush jetoi periudha luftërash a zije buke. E megjithatë, kjo përvojë përsëritet ditë për ditë e bashkëjeton pranë e pranë me bollëkun dhe shpërdorimin.

Janë gjithnjë aktuale – theksoi Papa - fjalët e Shën Jakut Apostull: “Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: ‘Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!’, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi do të ketë?!  Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete”. (2,14-17). Nuk mungon kurrë ndokush, që ka uri, që ka etje e, prej këndej, që ka edhe nevojë për mua. Nuk mund të më zëvendësojë askush tjetër. I varfëri ka nevojë për mua, për ndihmën time, për fjalën time, angazhimin tim.

E edhe mësimi, që nxjerrim nga faqja e Ungjillit, në të cilën Jezusi, duke parë gjithë atë turmë që e ndiqte prej orësh, u kërkon dishepujve të vet: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”(Gjn 6,5). E dishepujt i përgjigjen: ‘Është e pamundur! E si mund t’i ngijë kush me bukë në këtë vend të shkretë?” (Mk 8, 4).

Atëhere Jezusi mori ato pak bukë e peshq që kishin me vete. I bekoi. E theu bukën e ua ndau të gjithëve. E ky është mësim vërtet i rëndësishëm për ne. Na kujton se ajo pak e gjë që kemi, nëse e lëshojmë në dorë të Jezusit dhe e ndajmë me fe, bëhet pasuri, bollëk i madh.

Papa Benedikti – shtoi Françesku - në Enciklikën “Caritas in Veritate”, pohon: “T’u japë të hanë të uriturve është urdhër etik për Kishën universale!”. E drejta e ushqimit, ashtu si dhe e drejta e ujit, luajnë një rol të rëndësishëm për respektimin e të drejtave të tjera. Prej këndej, është shumë e nevojshme të fitojë pjekuri ndërgjegjja solidare, që ta ruajmë ushqimin dhe ta sigurojmë ujin, parë si të drejta universale për të gjitha qeniet njerëzore, pa asnjë dallim a diskriminim (n.27). Nuk duhet t’i harrojmë kurrë fjalët e Jezusit: “Unë jam buka e jetës”(Gjn 6,35) dhe “Kush ka etje, të vijë tek unë” (Gjn 7, 37). Këto fjalë na kujtojnë të gjithëve se lidhja jonë me Zotin, një Zot që na e zbuloi, në Jezusin, fytyrën e Tij të mëshirës, kërkon edhe t’u japim të hanë të uriturve e të pinë, të eturve!

Në përfundim të audiencës së përgjithshme Papa, duke përshëndetur  shtegtarët polakë të pranishëm në Sheshin e Pjetrit, kujtoi se sot liturgjia përkujton martirin e Lum, Dom Popiełuszko, meshtar polak, vrarë nga regjimi komunist i vendit të tij, më 1984. 








All the contents on this site are copyrighted ©.