2016-10-19 14:26:00

I Lumi Giorgio (Jerzy) Popieluszko, Meshtar e Martir


I Lumi Giorgio (Jerzy) Popieluszko, të cilin e kujtoi sot Papa, në ditën e festës së tij liturgjike, lindi në Okopy, më 14 shtator 1947, vdiq në Wloclawek të Polonisë, më 19 tetor 1984.

I thirrur për rrugën e meshtarisë, pavarësisht nga joshjet dhe kërcënimet  e regjimit komunist polak, nën të cilin jetoi e u martirizua, u shugurua meshtar në duart e kardinalit Stefan Wyszynski, më 28 maj 1972, në Varshavë. Nisi menjëherë shërbimin në famullinë e Shën Stanislao Kostkës e edhe shërbesën në gjirin e punëtorëve, me të cilët organizonte konferenca, takime lutjeje, kremtime meshësh, me predikime të zjarrta për Atdheun, katandisur në mjerim të plotë politik, ekonomik e moral nga komunistët. 

E joshën, u munduan ta bëjnë për vete me të gjitha mënyrat, sepse tepër e fortë fjala e tij dhe e besueshme, jeta e tij prej njeriu që ecte pa asnjë lëkundje pas Krishtit. Por nuk mundën. Ai vijoi udhën e nisur, e kur, më 28 gusht 1980, primati i Polonisë i kërkoi të shkonte mes punëtorëve në grevë, që  kishin nevojë për një prift, nuk ngurroi asnjë çast. U bë, kështu, kapelan i Solidarnosc, në Huta. Natyrisht ky ‘post’ i  meshtarit të ri, u pasua me kërcënime, që shpesh edhe u vunë në jetë. Nisën t’i bëjnë presione, ta ndjekin hap pas hapi e deri t’i vënë lëndë shpërthyese në banesë.

U arrestua dy herë e, në gjysmën e 1984-ës, u pyet trembëdhjetë herë nga policia. Duke e parë se jeta e tij ishte në rrezik, kardinali Glemp i propozoi të shkonte për studime në Romë. Nuk pranoi! E dinte se Roma nuk do ta shpëtonte nga rreziku, që e kishte gjithnjë mbi krye. Mjaftonte një aksident rrugor, një makinë që mund t’i kalonte përsipër, për ta asgjësuar. E ndoshta kështu mund ta kishin edhe më lehtë ta zhduknin. Sepse ishin mësuar, tashmë, me këtë rrugë të asgjësimit të “armiqve” pa u hyrë ferrë në këmbë. Nuk  pranoi, prandaj. E kështu shkoi trimërisht drejt fundit. Gjatë kremtimit të mbram fetar të 19 tetorit 1984, i ftoi besimtarët të çlirohen nga frika, nga terrori e, posaçërisht, nga dëshira për hakmarrje, e cila valonte edhe në zemrën e ndonjë të krishteri, pasojë e mënxyrave që jetoheshin ditë për ditë nën regjimin komunist. “Të fitojmë mbi të keqen, me të mirë” - i ftoi të gjithë - duke e ruajtur, si burrat, dinjitetin tonë”.

Pak orë më pas u kap nga tre oficerë të sigurimit e u gjet me kafkën e thyer. Besuan, kështu, se ia kishin mbyllur gojën përgjithmonë!. Po njerëzit e kishin kuptuar prej kohe: prandaj Ai vijoi t’u fliste edhe në funeralin e tij, ku  mori pjesë një gjysëm milion vetë e ku, më pas, do të shtegtonin më se 18 milionë të tjerë, ndërmjet të cilëve, edhe Papa Gjon Pali II.

Kisha e njohu zyrtarisht martirizimin e atë Jerzy Popieluszkos, duke e shpallur të Lum, në praninë e Nënës së tij plakë.








All the contents on this site are copyrighted ©.