2016-10-18 16:42:00

Selia e Shenjtë: njerëzimi të lirohet nga fantazma e luftës bërthamore


“Selia e Shenjtë e bën të vetën britmën e njerëzimit për t’u liruar nga fantazma e luftës bërthamore”: kjo është thirrja e zjarrtë e përfaqësuesit papnor në OKB, imzot Bernardito Auza, i cili foli në sesionin e 71-të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kushtuar çarmatosjes nga armët bërthamore. Paqja dhe qëndrueshmëria ndërkombëtare, nënvizoi prelati, nuk mund të sigurohen vetëm përmes “ekuilibrit të terrorit”.

Paqja e garantuar nga armët atomike është iluzion

Armët bërthamore japin siguri të rreme, theksoi imzot Auza. Zotërimi i tyre është “moralisht i palejueshëm”, sepse kërcënon krejt kuadrin e Kombeve të Bashkuara. Duke kujtuar Mesazhin e Papës Françesku me rastin e Konferencës mbi ndikimin humanitar të armëve bërthamore, mbajtur në Vienë në vitin 2014, nunci apostolik kujtoi urimin e Atit të Shenjtë që dëshira për paqe e vëllazërim të sjellë fryte konkrete, duke siguruar ndalimin e armëve bërthamore, një herë e përgjithmonë. Paqja duhet ndërtuar mbi drejtësinë, zhvillimin shoqëroro-ekonomik, lirinë, respektimin e të drejtave të njeriut, pjesëmarrjen e të gjithëve në punët publike dhe mbi krijimin e besimit ndërmjet popujve, shkruante Papa.

Mbështetje për Traktatin kundër armëve bërthamore

 Prandaj, Selia e Shenjtë mbështet fuqimisht Traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore, gjë që konsiderohet “jetësore” për pajtimin ndërkombëtar. Deri tani, rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme, po të kemi parasysh edhe eksperimentet e fundit të Koresë së Veriut, që e ngjallën sërish frikën e një lufte bërthamore në botë. Selia e Shenjtë kërkon mbledhjen e një konference të posaçme në vitin 2017, ku të vendoset për një mjet “juridikisht të detyrueshëm” për t’i ndaluar këto armë përgjithmonë.

Të drejtat e popujve indigjenë

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB u ndal edhe në të drejtat e popujve indigjenë, që përfaqësojnë 370 milion njerëz në botë. Në një ekonomi globale, që udhëhiqet nga fitimi, ata kërcënohen, çrrënjosen nga tokat e tyre, privohen nga pasuritë. Në Agjendën për zhvillimin 2030 dhe në marrëveshjen e Parisit për klimën, këta popuj, uron Selia e Shenjtë, të jenë “protagonistë” dhe jo “spektatorë” të proceseve ndërkombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.