2016-10-17 15:05:00

Asambleja e ipeshkvijve të Rusisë për marrëdhëniet shtet-Kishë


Gjendja e thirrjeve për t’iu kushtuar Zotit dhe marrëdhëniet aktuale ndërmjet shtetit e Kishës në Rusi: këto ishin dy temat qendrore të mbledhjes vjeshtore të katër ipeshkvijve katolikë në Federatën Ruse: kryeipeshkvi i Moskës dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Paolo Pezzi; ipeshkvi i Saratovit, imzot Clemens Pickel; ipeshkvi i Novosibirskut, imzot Joseph Werth dhe ipeshkvi i Irkutskut, imzot Kirill Klimovich.

Ligji i ri kundër terrorizmit të mos e pengojë Kishën

Asambleja u mbajt më 13 e 14 tetor, në seminarin “Maria, Mbretëreshë e Apostujve” të Shën Pjetërburgut. Punimet iu kushtuan një sërë çështjeve, që lidhen me kalendarin liturgjik, por një nga temat kryesore ishte ajo e “thirrjes për meshtari dhe për jetën murgare, si edhe formimi i meshtarëve të ardhshëm”. Përsa u përket marrëdhënieve të Kishës me shtetin, ipeshkvijtë uruan që “legjislacioni i ri i Federatës Ruse për luftën kundër terrorizmit dhe për rregullimin e veprimtarisë misionare të mos krijojë pengesa të pakapërcyeshme në punën e strukturave të Kishës Katolike në Rusi”.

I pranishëm në punime, nunci i ri apostolik

Në mbledhjen e ipeshkvijve mori pjesë edhe nunci i ri apostolik në Federatën Ruse, kryeipeshkvi Celestino Migliore, i cili “siguroi se është i gatshëm të japë gjithë ndihmën e nevojshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.