2016-10-16 09:00:00

Papa Françesku shpall shtatë shenjtorë të rinj


Shtatë shenjtorë të rinj iu shtuan sot Kishës Katolike. Papa Françesku kryesoi meshën e kanonizimit në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku me besimtarët e shumtë, të ardhur nga vende të ndryshme të botës për të kremtuar këtë festë të madhe. Para meshës, Ati i Shenjtë u takua me krerët e delegacioneve zyrtare për çdo shenjtor, ndërsa pas saj, tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Por cilët janë shenjtorët e rinj, shembull për gjithë të krishterët? Ja një biografi e shkurtër e tyre:

1. Shën Salomon Leclercq lindi në Boulogne-sur-Mer, në Francë, më 14 nëntor 1745. Prindërit e quajtën Guglielmo Nicola Ludovico. Hyri në noviciatin e Vëllezërve të Shkollave të Krishtera, që edhe sot njihen si lasalianë, sipas emrit të themeluesit Shën Gjon Baptisti i La Sale. Mori kushtet e përjetshme rregulltare në vitin 1772. Gjatë viteve të turbullta të Revolucionit Francez, kur Kongregata u detyrua ta braktiste shtëpinë, ai mbeti aty për ta ruajtur. Më 15 gusht 1792, rojet e arrestuan dhe e burgosën, për ta vrarë barbarisht pas disa ditësh, në kopshtin e Kuvendit të karmelitanëve, teatër i njërës prej masakrave më të tmerrshme të atyre viteve. 166 meshtarë e rregulltarë u burgosën, sepse nuk pranuan të betoheshin mbi Kushtetutën civile të klerit. Më pas u masakruan pa gjyq e trupat e tyre u hodhën në pus. Ishte 2 shtatori 1792. Papa Piu XI kremtoi meshën e lumnimit të këtij grupi martirësh në vitin 1926, jo shumë larg periudhës kur kjo histori do të përsëritej.

2. Jozef Sanchez del Rio, shenjti tjetër, i lartuar sot në nderimet e elterit, lindi më 6 shkurt 1913 në Sahuayo, në shtetin Michoacan të Meksikës. Frekuentoi shkollën në qytetin ku lindi e më pas në Guadalajara. Me shpërthimin e së ashtuquajturës “guerra cristera”, në vitin 1926, vëllezërit e tij u bashkuan me forcat rebele, kundër regjimit të dhunshëm e antikristian, që ishte vendosur në vend. Edhe Jozefi shkoi me ta si flamurtar. Gjatë një beteje, më 25 janar 1928, ushtria federale arriti të kapte disa vetë, ndër të cilët edhe shenjtin e ardhshëm, që u burgos në qytetin e lindjes, u torturua dhe iu rrjep lëkura e tabanit të këmbëve. Iu kërkua disa herë të mohonte Krishtin për të shpëtuar jetën, por çdo herë, nuk pranoi në asnjë mënyrë. Më 10 shkurt, e detyruan të shkonte në këmbë në varreza, ku u vra me pistoletë. Fjalët e fundit të tij të kujtojnë martirët shqiptarë: “Rroftë Krishti Mbret e rroftë Virgjëra Shenjte e Guadalupes”. U shpall i Lum nga Papa Benedikti XVI, në vitin 2005.

3. Emanuel Gonzalez Garda, shenjtori i tretë i sotëm, lindi në Sivilja të Spanjës, më 25 shkurt 1877. U shugurua meshtar më 21 shtator 1901. Shërbeu në fshatra të vogla e më pas, u bë kryeprift në famullinë e Shën Pjetrit në Huelva. Në vitin 1910 themeloi Veprën e Tri Marive dhe të Dishepujve të Shën Gjonit, e cila u përhap shumë, sidomos në Spanjë dhe në Amerikë. Në vitin 1915 u shugurua ipeshkëv ndihmës i Andaluzisë, ndërsa më 1920, ipeshkëv i së njëjtës dioqezë. Themeloi Bashkimin Eukaristik Shpërblyes dhe Kongregatën e Motrave Misionare Eukaristike të Nazaretit. Në vitin 1931, u dukën shenjat e para të luftës së përgjakshme civile spanjolle (1936-1939) e më 31 maj, disa grupe revolucionarësh dogjën gati të gjitha kishat e Malagës, duke i vënë zjarrin edhe pallatit ipeshkvnor. Shenjti u bëri ballë me guxim dhe e la veten në dorën e tyre, por e liruan. Në vitin 1935 u emërua ipeshkëv i Palencias në Kastiljen e Vjetër. Shkrimtar i frytshëm, botoi shumë vepra, në veçanti, kushtuar përshpirtërisë eukaristike dhe katekizmit. Vdiq në Madrid, më 4 janar 1940. U shpall i Lum në vitin 2001 nga një shenjt tjetër, Papa Gjon Pali II.

4. Shën Ludovik Pavoni lindi në Brescia të Italisë, më 11 shtator 1784. Iu përgjigj thirrjes së Zotit dhe u shugurua meshtar më 21 shkurt 1807. U dallua menjëherë nga një përkushtim i jashtëzakonshëm për të rinjtë e varfër e të braktisur. Për ta themeloi Institutin e Shën Barnabës, përvojën e të cilit e vijoi me Kongregatën e Bijve të Zojës së Papërlyer. Më vonë, këtij institucioni i shtoi edhe një seksion për shurdhmemecët. I dha hov të ri edhe veprimtarisë editoriale dhe tipografike. Të nesërmen e shpërthimit të revoltës së Dhjetë Ditëve në Brescia kundër shtypjes austriake, më 24 mars 1849, atë Ludoviku shoqëroi të rinjtë e tij, nën shiun e rrëmbyeshëm, për t’i shpëtuar nga dhuna e plaçkitjet. Fatkeqësisht, u sëmur me bronkopolmonit dhe ndërroi jetë më 1 prill. Shën Gjon Pali II  e lumnoi më 2002.

5. Alfons Maria Fusco, i pesti ndër shenjtorët e sotëm, lindi në Angri të Salernos, më 23 mars 1839. Pasi përfundoi formimin, u shugurua meshtar më 29 maj 1863. Në kishën kolegjiale të Angrit, shenjti iu kushtua me zell rrëfimit të bësimtarëve dhe predikimit të Fjalës së Zotit. Hapi një shkollë për fëmijët e varfër në shtëpinë e vet. Në vitin 1866, u dallua për ndihmën që u dha njerëzve të sëmurë nga kolera. Kështu, gjatë viteve, disa gra u bashkuan me të, deri sa u pa e nevojshme themelimi i Kongregatës së Motrave të Shën Gjon Pagëzuesit (1878), të cilën e ngarkoi me shkollimin dhe edukimin e vajzave jetime e nevojtare. Alfons Maria Fusco u shua dalëngadalë, më 6 shkurt 1910, në Angri, aty ku pushon edhe sot e kësaj dite. Shën Gjon Pali II e shpalli të Lum në vitin 2001.

6. Shën Jozef Gabrieli i Rruzares Brochero lindi në Santa Rosa de Rio Primero, pranë Kordovës në Argjentinë, më 16 mars 1840. U shugurua meshtar më 4 nëntor 1866 e shërbeu në Kordovë, sidomos në zonën e San Alberto-s. U impenjua kryesisht në kumtimin e Ungjillit dhe në edukimin e popullsisë. Përhapi praktikën e ushtrimeve shpirtërore të Shën Injacit, të cilat dhanë shumë fryte në ato anë. Punoi shumë për zhvillimin e territorit, duke ndërtuar kisha, kapela, shkolla dhe rrugë në malet e zonës. Në vitin 1908 iu desh ta linte detyrën e famullitarit, për shkak se u sëmur nga gërbula. Vdiq më 26 janar 1914 në Villa del Transito, në Kordovë. Kësaj radhe, qe Papa Françesku ai, që e shpalli shenjt në vitin 2013. Ati i Shenjtë e përmend shpesh shembullin e këtij meshtari, që udhëtonte me mushkë për të dëshmuar kudo Krishtin.

7. Shën Elizabeta e Trinisë Shenjte (në shekull Elisabetta Catez) lindi në kampin ushtarak të Avorit pranë Bourges, në Francë, më 18 korrik 1880. Që në adoleshencë e ndjeu thirrjen e Zotit e bëri, privatisht, kushtin e virgjërisë, me dëshirën për të hyrë në kuvend. Duke jetuar në botë, u përgatit për këtë, përmes katekizmit për të vegjlit, përmes ndihmës për të varfërit e të braktisurit. Më 2 gusht 1901 hyri në Karmelin e Dizhonit e më 11 janar 1903 bëri kushtet rregulltare. Vetëm pak muaj më vonë, u sëmur nga një sëmundje e tmerrshme, të cilën e pranoi, duke ia besuar krejtësisht veten Krishtit. Pati një krizë të madhe shpirtërore, siç është karakteristikë për shumë shenjtorë, duke provuar braktisjen e mungesën e Zotit. E kapërceu këtë fazë me fe e dashuri. Vdiq më 9 nëntor 1906, në moshën 26 vjeçare. Në vitin 1984 u shpall e Lume nga Shën Gjon Pali II.








All the contents on this site are copyrighted ©.