2016-10-16 15:02:00

"100 vjet botime françeskane”. Tipografia françeskane, feniks që rilind nga flakët, me moton “Semper eadem”


Shtypshkroja e parë françeskane, më 15 nëntorin e ardhshëm do mbushë njëqind vjet. Një shtypshkronjë që e dogjën e, megjithatë, rilindi nga flakët me moton “Semper eadem”- “Gjithnjë e njëjtë”, gjithnjë besnike ndaj misionit të saj për ta lartuar popullin dhe Kombin e vet kah Zoti, me moton “Aty ku âsht Zoti, aty âsht edhe liria!”, duke i dhënë dritën e mendjes, jo drurin!

Është fjala për Shtypshkrojën e parë françeskane, e cila më 15 nëntorin e ardhshëm do mbushë njëqind vjet.  Këtë ditëlindje na kujton veprimtaria e sotme. Na kujton, pra, nëntorin e vitit 1916,  kur Atë Gjergj Fishta dhe Atë Vinçenc Prennushi u ngarkuan të sillnin në Shqipëri shtypshkrojën, nga do të dilnin, pastaj, disa nga librat që i bënë ballë shumë kundërshtimeve e stuhive, që nga flakët, që deshën ta zhduknin nga faqja e dheut tonë,ku rilindi me moton “Semper eadem”.

Për këtë rrugë të gjatë e të vështirë u fol në mjediset e Kuvendit françeskan (Salla Illyricum), në një konferencë shkencore, organizuar nga etërit françeskanë, gjatë së cilës u kujtua gjithë ç’u botua e ç’u përhap prej kësaj Tipografie që nga 15 nëntori i vitit 1916. U rikujtua, pra,  historia e Shtypshkrojës françeskane, pjesën e parë të jetës të së cilës na e la të përshkruar hollësisht atë Benedikt Dema, në revistën “Hylli i Dritës”.

Botimi i parë i shtyshkrojës ishte “Posta e Shypnís”. Ky hap u pasua nga hapa të tjerë, shumë të suksesshëm, duke përballuar dy lufta. Mundi të jetonte deri në kohën, kur iu desh t'i bënte ballë edhe sulmit barbar të komunistëve, që e konfiskuan. Françeskanë e libra pësuan të njëjtin fat!  Fretërit u arrestuan e u mbyllën në burgje; librat përfunduan në skutat e shtëpive katolike a dashamire të kulturës së vërtetë e në zjarrin e vatrave të tmerruara nga listat e gjata të librave të ndaluar, prej Lahutës - tek Kanuni; prej Visareve të Kombit - tek Hylli i Dritës e Zâni i Shna Ndout... Me këtë dënim nisi, e shpesh vijon, edhe falsifikimi i historisë së Shtypshkrojës dhe “Botimeve françeskane”, që u ngritën fluturim nga hiri, si Feniksi e rifilluan të dalin në dritë, si vazhdimësi e lavdishme e atyre që lindën në shtypshshkrojën 100 vjeçare.

Çka ishte djegur, rilindi! E tani, radhës së gjatë të librave botuar pas rrënimit të madh, i shtohet edhe një punim bibliografik, që hedh dritë mbi veprën kulturore të françeskanëve, realizuar me shpenzimet e tyre të pakta, pa u varur nga askush, prej këndej, Vatër e mendimit krejt të lirë!

Gjithë kjo histori 100 vjeçare u kujtua më 15 tetor 2016, në mjediset e Kuvendit françeskan (Salla Illyricum), përmes një Konference shkencore, me pjesëmarrjen e studiuesve të ndryshëm e dashamirëve të kulturës.

Ndërsa më 16 tetor, në librarinë e fretërve, promovohet libri100 vjet botime françeskane”, një vlerë e re, që i shtohet kontributit të jashtëzakonshëm të Shtypshkrojës së vjetër të françeskanëve në kulturën shqipe. Përmes faqeve të tij flet lirisht e në mënyrë të pamohueshme, "vetë goja e Kombit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.