2016-10-15 18:53:00

Mesha e atë Arturo Sosa: Jezuitët besnikë, krijues e guximtarë


Eprori i ri i përgjithshëm i Jezuitëve, ati venezuelan Arturo Sosa Abascal, kryesoi sot Meshën në Kishën e Jezusit, në Romë, një ditë pas zgjedhjes. Në homelinë e rastit i ftoi sivëllezërit të jetojnë me besnikëri, me frymë krijuese dhe me guxim. Duke ia ngulur sytë Jezusit, para çdo gjëje tjetër, ashtu siç bëri Maria. Për misionin tonë - vijoi – duhen koka e zemra. Ripohoi edhe angazhimin e Jezuitëve përkrah më të vegjëlve e për drejtësinë. Por, ta dëgjojmë vetë atë Sosen, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: -  Bota zhvillohet në drejtim të kundërt. Por sot, më shumë se kurrë, ka burime për të ecur në një botë të ndryshme. Më duket se Shoqëria e ka këtë angazhim shumë të rëndësishëm për të kontribuar në përmbysjen kësaj situate kaq të padrejtë...

Pyetje: - Një Shoqëri që ka kokë - thatë ju - por edhe zemër…

Përgjigje: - Eh, natyrisht. Flitet gjithnjë për kokën e Shoqërisë, për trupin. Por edhe për stomakun, për zemrën… Duhet gjithçka, që të mund të ecet. E zemra është pakëz simbol i vetë njeriut, edhe në Bibël: “Atje ku është zemra jote, është edhe thesari yt!. Atëhere ne duam ta vëmë këtë zemër në duart e Jezusit.

Pyetje: - Në një nga fragmentet e homelisë, thatë edhe se duhet të ruhemi nga kurthet e gjuhës…

Përgjigje: - Po! Ne shpesh herë flasim për bashkëpunim, por shumëkush e kupton si bashkëpunim të të tjerëve me ne. Ndërsa ajo, që desha të them në këtë fragment të homelisë, është: ne duam të bëhemi bashkëpunëtorë të të tjerëve. E kjo është mënyra për t’u rritur me të vërtetë.

Pyetje: - Mendoni se Amerika Latine është në qendër, pikërisht në zemër të Kishës?

Përgjigje: - Jo, Amerika Latine është një pjesë e Korpit të Kishës.  Por më duket se, pas Koncilit II të Vatikanit, Amerika Latine e jetoi thellësisht këtë përpjekje, ashtu si edhe pjesët e tjera të Kishës. Por Amerika Latine  ka zemrën tonë, është gati për ta bërë këtë përpjekje, për të qenë me njerëzit, për ta gjetur Zotin në misterin e mishërimit. Kështu gjindet Zoti.

Pyetje: - Venezuela është vend që jeton tensione të mëdha….

Përgjigje: - Venezuela është edhe brenda zemrës sime. Dëshiroj për popullin e Venzuelës një botë më të mirë se kjo që është sot.  Pres të gjejë rrugëzgjidhje politike, jo përmes udhës së dhunës, jo përmes udhës së luftës, por me dialog, me përpjekjen për t’u kuptuar reciprokisht, për t’u njohur njëri me tjetrin. E më duket se Kisha venezuelane dëshiron të kontribuojë në këtë dialog, të gjejë mënyrën e bisedimit, të gjejë të mirën e përbashkët.

Gjatë homelisë, eprori i ri i përgjithshëm, atë Arturo Sosa Abascal, kujtoi edhe se angazhimi i Shoqërisë së Jezusit duhet të vijojë të karakterizohet  nga një frymë e jashtëzakonshme krijimtarie intelektuale. Të dëgjojmë atë Federico Lombardin, ish-drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë:

Përgjigje: - Ishte një fragment i rëndësishëm i homelisë. Shoqëria e Jezusit ka historikisht thirrjen  për një shërbim ndaj Zotit, që është edhe i ngritur, edhe i thellë nga ana kulturore. E fakti që atë Sosa e vuri në dukje se duhet të vijojmë nga ana e Shoqërisë së Jezusit, të ndjehemi të thirrur në shërbim të Kishës për një shërbesë kumtimi të fesë – por edhe për thellësinë e kuptimit të situatave të botës së sotme, të realiteteve të njeriut, të shoqërisë, të ardhmërisë së kësaj bote - është shumë domethënës.  

Pyetje: - Atë Sosa tha edhe: “Ne, jezuitët, nuk jemi vetëm, jemi pranë të varfërve”.

Përgjigje: - Ky është aspekt shumë karakteristik edhe i vetë traditës së Shoqërisë së Jezusit, që në zanafillë. Kur Shën Injaci dhe shokët e tij të parë nisën shtegtimin e tyre nëpër Evropë, zakonisht banonin pranë spitaleve. U shërbenin të varfërve dhe të sëmurëve, ndërsa zhvillonin edhe shërbime kulturore mjaft impenjative. Pra, i kushtonin vëmendje vuajtjes, varfërisë, problemeve konkrete, që bëjnë pjesë në traditën tonë qysh në zanafillë.  E, edhe në Papën Françesku po e gjejmë shumë këtë. 

Pyetje: - Iu kushtua shumë vëmendje pikërisht ruajtjes dhe zhvillimit të Shoqërisë së Jezusit…

Përgjigje: - Ky është tipikisht misioni i një ati të përgjithshëm, që është epror pikërisht i një urdhëri rregulltar, i cili ndjehet i bashkuar, edhe pse angazhohet në veprimtari të ndryshme në të gjithë kontinentet. Besoj se ruajta dhe rritja e Shoqërisë së Jezusit, sot e nesër, do të vijojë të varet  edhe nga besnikëria e rrënjës së thellë, që na dhuroi Zoti e që vijon të jetë dhuratë kryesore për Kishën nga e kaluara, në të sotmen e të nesërmen. Ta kërkosh e ta gjesh Zotin në të gjitha sendet, duke iu përgjigjur thirrjes së Tij; të bësh vullnetin e Tij, të bashkëpunosh me Të në planin e shpëtimit të Botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.