2016-10-15 16:42:00

Françesku gjyshërve: jeni pjesë thelbësore e Kishës dhe e shoqërisë


Të ndërtohet një shoqëri, që i përfshin të gjithë, në të cilën të moshuarit nuk shikohen si “jo prodhues”, por si dëshmitarë të çmuar “të kulturës së jetës“, në një shoqëri që shpesh mitizon vetëm dukjen. Kështu u shpreh sot Papa, duke ua drejtuar fjalën 7 mijë të moshuarve, përfaqësues të Shoqatës italiane të punonjësve të moshuar (Anla) dhe të Senior Italia Feder Anziani, mbledhur për një ditë reflektimi dhe lutjeje. Ishte një takim festiv me Atin e Shenjtë, i cili i priti në Sallën Pali VI, në Vatikan.

T’i kundërvihemi kulturës “së dëmshme”  të hedhurinës, që i mënjanon  pleqtë, duke i mbajtur të moshuarit si “jo prodhues”. Kjo, thirrja e Françeskut drejtuar institucioneve dhe realiteteve shoqërore për ta ndihmuar “të ashtuquajturën moshë e tretë”, së cilës – kujtoi - i përket edhe ai vetë – t’i shpalosë sa më mirë aftësitë e saja e të punojë në mënyrë që dinjiteti i njerëzve të moshuar të respektohet e të vlerësohet gjithnjë.

Drejtuesit publikë, realitetet kulturore, edukative e fetare si dhe njerëzit vullnetmirë, janë të thirrur të angazhohen për të ndërtuar një shoqëri gjithnjë më mikpritëse e gjithëpërfshirëse.

Françesku ftoi të mos lejohet që kultura e hedhurinës të shkojë përpara e, më pas, tregoi se pati dëgjuar nga e gjyshja historinë e një familjeje, që e kishte syrgjynosur gjyshin në një dhomë tjetër, sepse duke qenë i sëmurë, hante me vështirësi: ishte i nipi ai, që e bëri të atin ta kuptonte rëndësinë e familjes së bashkuar:

“Fëmijët, natyrisht, janë të lidhur fort me gjyshërit dhe i kuptojnë gjërat që vetëm gjyshërit mund t’ua shpjegojnë, me jetën e tyre e me sjelljet e tyre”

Ka shumë rëndësi - shtoi - të favorizohet lidhja ndërmjet breznive:

“Ardhmëria e një populli ka nevojë për takimin ndërmjet të rinjve e pleqve: të rinjtë janë  gjallëria e një populli përudhë e pleqtë ua forcojnë  këtë gjallëri, me kujtesën e urtinë e tyre”.

Papa i nxiti gjyshërit t’u flasin nipërve të tyre, duke kujtuar se kur Jozefi e Maria e çuan Krishtin Fëmijë në Tempull, u pritën nga dy gjyshër, që ishin “urtia e popullit” e që e lumnonin Zotin që kjo urti të shkonte përpara përmes këtij fëmije. Më pas Papa i ftoi të moshuarit:

“Lërini t’ju bëjnë pyetje. Kanë veçori të ndryshme nga tonat, bëjnë gjëra të tjera, u pëlqen një muzikë tjetër… por kanë gjithnjë nevojë për pleqtë, për këtë dialog të vazhdueshëm. Edhe për t’ua dhënë atyre urtinë”.

Në një botë, si kjo e sotmja, në të cilën – nënvizoi Papa – mitizohen shpesh forca e dukja, të moshuarit kanë misionin t’i dëshmojnë vlerat, që meritojnë vëmendje e që mbeten përgjithmonë, sepse të shkruara në zemrën e çdo njeriu e të garantuara nga Fjala e Zotit:

“Jemi të thirrur të punojmë për zhvillimin e kulturës së jetës, duke dëshmuar se çdo stinë e saj është dhuratë e Zotit e ka bukurinë dhe rëndësinë e vet, dhe atëhere kur është e brishtë”.

Kisha i shikon të moshuarit me dashuri, mirënjohje e nderim të thellë - theksoi Papa, sepse janë - përsëriti dy herë - pjesë thelbësore e bashkësisë së krishterë dhe e shoqërisë, si dhe pëfaqësues të rrënjëve të kujtesës së një populli:

“Ju jeni prani e rëndësishme, mbasi përvoja juaj përbën një thesar të çmuar, të domosdoshëm për ta shikuar me shpresë e përgjegjësi ardhmërinë. Pjekuria e urtia juaj, e grumbulluar në rrjedhë vitesh, mund t’i ndihmojnë më të rinjtë, duke i mbështetur në ecjen drejt rritjes e të ardhmërisë, nësa janë në kërkim të udhës së tyre”.

Të moshuarit - shtoi Françesku - dëshmojnë se, edhe në provat më të vështira, nuk duhet humbur kurrë besimi në Zotin e në ardhmërinë më të mirë:

“Janë si pemët, që vijojnë të sjellin fryte: ndonëse nën barrën e viteve, mund të japin kontributin e tyre origjinal për ndërtimin e një shoqërie të pasur me vlera  e për afirmimin e kulturës të jetës”.

Angazhimi i tyre për t’i ndihmuar e për t’i mbështetur të tjerët, është pa asnjë dyshim, tejet i çmuar - vijoi të reflektojë Papa - duke menduar, për shembull, sa gjallërisht marrin pjesë në jetën e famullisë, si katekistë, si animatorë të liturgjisë e si dëshmitarë të dashurisë së krishterë. Pastaj kujtoi edhe rolin e pleqve në mjediset familjare:

“Sa gjyshër kujdesen për nipërit, duke u transemtuar me thjeshtësi të vegjëlve përvojën e jetës, vlerat shpirtërore e kulturore të një bashkësie, të një populli! Në vendet që provuan persekutime të rënda fetare, ishin gjyshërit ata, që ua transmetuan fenë breznive të reja, duke u kujdesur që fëmijët të merrnin Pagëzimin, në rrethanat e vështira të klandestinitetit”.

Janë, pastaj, edhe shumë pleq të tjerë - vërejti Papa - që përballojnë sëmundje të rënda, që lëvizin me vështirësi e kanë nevojë për asistencë. Françesku falënderoi Zotin për shumë njerëz e struktura, që i kushtohen ditë për ditë shërbimit të të moshuarve, për të favorizuar krijimin e mjediseve të përshtatshme njerëzore, ku - pohoi - secili të mund ta jetojë me dinjitet këtë etapë të rëndësishme të jetës së vet:

“Institutet që strehojnë të moshuarit, janë të thirrura të bëhen vende plot humanizëm e vëmendje, ku njerëzit më të ligshtë nuk harrohen as nuk lihen pas dore, por vizitohen, kujtohen, ruhen si vëllezër e motra më të mëdha. Shprehet, kështu, mirënjohja ndaj atyre, që i dhanë shumë bashkësisë e që janë rrënja e saj”.

Në përshëndetjen përfundimtare, Papa uroi që shoqëria ta shikojë gjithnjë buzagazin dhe vezullimin e syve të pleqve, duke i ftuar t’i luten gjyshes së Jezusit, Shën Anës, që të na mësojë të jemi gjyshër të mirë e të urtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.